Euro arrin vlerën më të ulët në 12 vjet

Edona Llukacaj

Ditën e enjte, monedha e përbashkët europiane ka shënuar një rënie të fortë në tregun vendas, duke arritur një rekord të ri në 12 vitet e fundit. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një euro u këmbye sot me 121.49 lekë, duke rënë me 0.15 lekë në raport me një ditë më parë. Ky është niveli më i ulët i këmbimit të monedhës së përbashkët ndaj lekut që prej gushtit të vitit 2007, sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë.

Rënia e euros ditën e sotme, sipas Monitor, lidhet me dy arsye kryesore:

-Së pari, euro ka rënë sot në bursat ndërkombëtare edhe kundrejt dollarit.

-Së dyti, me fillimin e gushit rriten flukset valutore në vend, pasi përveç turistëve në vend vijnë dhe emigrantët. Tradicionalisht në gusht, gjithnjë, shënohet një forcim i lekut dhe tendenca është e pranishme për të paktën gjysmën e parë të gushtit.

Ndryshe nga euro, dollari u rrit në tregun vendas, duke reflektuar mbiçmimin e tij në bursat ndërkombëtare. Një dollar u këmbye me 109.9 lekë, me një rritje të fortë prej 0.83 lekë në raport me një ditë më parë.

e.ll./dita

Share This Article
2 Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *