Monedha euro gjatë kësaj jave ka humbur pikë kundrejt monedhës vendase, lekut. Në fundjavë, monedha europiane u këmbye në tregun e brendshëm, sipas kursit të agjensive të këmbimit valutor, mesatarisht në blerje me 140 lekë, ndërkohë që, një javë më parë u këmbye me 140.5 lekë, duke humbur 0.5 pikë. Edhe në shitje, këtë javë euro është tregtuar me 140.5 lekë, duke humbur po të njëjtën vlerë, nga 141 lekë që u tregtua një javë më parë.
Ndërkohë edhe dollari amerikan ka humbur pikë këtë javë kundrejt lekut. Konkretisht këtë javë është blerë me 105.4 lekë nga 107.8 lekë që është blerë një javë më parë, duke treguar një rënie të vlerës për si shkak i stinës së verës dhe zhvlerësimit që vjen nga rritja e qarkullimit në tregun monetar vendas. Monedha amerikane është shitur me 106 lekë nga 108.5 lekë që është shitur një javë më parë.
Gjatë muajve të fundit, tendenca e këmbimit euro-lek ka qenë në favor të monedhës europiane dhe tendenca e përgjithshme e lekut ka qenë ajo e zhvlerësimit, pavarësisht luhatjeve momentale të kursit të këmbimit. Në përgjithësi monedha vendase nuk ka arritur të fitojë pikë ndjeshëm ndaj euros përgjatë muajit korrik, duke u këmbyer me 140.26 lekë para nisjes së fundjavës, ndërkohë që në të njëjtën ditë të një viti më parë monedha vendase kishte zbritur në 137.3 lekë, nga 138 lekë që ishte në fillim të muajit 2012. Gjithsesi, pritet që efektet sezonale të jenë pak më të forta në gusht, duke shpresuar në zbritjen e euros poshtë 140-s.
