Eurodeputetja që kërkon ndalimin e prostitucionit

anazapta

Në Francë ka pak ditë që është prezantuar masa ligjore për burrat që e blejnë seksin. Për  Mary Honeyball tregtia e seksit është një dhunim kundër grave, të cilin të gjitha shtetet anëtare të BE-së duhet ta sanksionojnë penalisht

Gjatë muajve të fundit Evropa i është kthyer debateve me tone të ndezura mbi prostitucionin. Qeveria socialiste në Francë ka prezantuar një sistem të ri që ndëshkon klientët e profesionisteve të seksit, nëpërmjet gjobave të kripura, sidomos ndaj atyre që janë përsëritës. Një normativë analoge me ligjin suedez që tashmë vepron prej dhjetë vitesh në shtetin verior. Në Gjermani, vend në të cilin prostitucioni është liberalizuar, feministet e drejtuara nga Alice Schwarzer, kërkojnë një rishikim të plotë të ligjit duke u bazuar në shfrytëzimet që hasen në bordellot gjermane.

Ndërsa një europarlamentare e PE-së kërkon që të ndëshkohen penalisht në të gjithë Bashkimin Evropian, klientët që degradojnë dinjitetin njerëzor duke shkuar me punonjëset e seksit. Mary Honeyball, e cila është edhe deputete e Partisë Laburiste britanike ka propozuar ndalimin me ligj të tregtisë së seksit në të gjithë Bashkimin Evropian. Politikania 61-vjeçare është pjesë e asamblesë legjislative të unionit evropian që prej vitit 2000 dhe është koordinuese e grupit të socialistëve evropianë në komisionin e Kulturës dhe Edukimit.

E përditshmja zviceriane “Tages Anzeiger” i dedikon një portret Honeyball-it, duke nënvizuar se asnjë politikan evropian nuk ka një qëndrim kaq të ashpër mbi këtë temë si eurodeputetja e Partisë Laburiste. Sipas Mary Honeyball sanksionet penale nuk duhet të godasin vetëm prostitutat dhe shfrytëzuesit që i menaxhojnë, por edhe të gjithë klientët. Honeyball është bërë e njohur në Mbretërinë e Bashkuar falë betejave të saj kundër prostitucionit të publikuara në blogun e “The Guardian”, duke e quajtur atë dhunë seksuale të ushtruar  ndaj femrës.

Honeyball përfaqëson një tezë që karakterizon shumë feministe, sipas së cilës pjesa më e madhe e prostitutave nuk e shesin me dëshirën e tyre trupin, por sepse janë të detyruara. Por, qëndrimet e saj bien në kundërshtim me atë të vetë profesionisteve të seksit dhe shoqatave që i mbrojnë, të cilat në Francë dolën në sheshe për të protestuar kundër ligjit të ri që redukton klientelën.

Me peticione dhe interpelanca, Honeyball vazhdon luftën në mënyrë që Parlamenti Evropian të mbajë një qëndrim të ashpër ndaj fenomenit. Beteja e saj përqafohet edhe nga disa kolege të partisë ku aderon, si dhe nga organizatat që përfaqësojnë të mbijetuarat e skllavërisë seksuale.

Disa muaj më parë,  ajo u përball me kompaninë ajrore “Ryanair”, duke sulmuar kalendarin e stjuardesave të kësaj linje, sipas saj veçanërisht degradues për dinjitetin femëror. Kalendari, ku asistentet e fluturimit shfaqeshin në veshje intime dhe në poza me një sfond të qartë seksual, për feministen Honeyball, ishte një shenjë e tregtimit të trupit që duhej stigmatizuar. Por e përditshmja zviceriane nënvizon se duke kërkuar nxjerrjen jashtë ligjit të tregtisë së seksit, feministet marrin përsipër një pozicion të paqartë, me kërkesa ndalimesh të ngjashme me lëvizjet kundër abortit./D.Gjuzi

Share This Article
1 Comment
  • Ne nje menyre ose tjeter prostitucioni i femrave dhe meshkujve ka per te egzistuar pasi eshte nje proces natyror dhe i kerkuar

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *