Eurogrupi, 7 miliardë euro Greqisë

Ornela

Eurogrupi arriti një marrëveshje në parim për disbursimin urgjent të 7 miliardë eurove për Greqinë në mënyrë që kjo të përballojë detyrimet e saj financiare. Disbursimi do të bëhet nga Mekanizmi Europian për Stabilizim Financiar (ESM). Ministrat e Ekonomisë dhe Financave të zonës së euros, të mbledhur në një telekonferencë, dhanë “mbështetjen e tyre politike” për të filluar negociatat e shpëtimit të tretë të Greqisë, edhe pse vendimi nuk është marrë ende për shkak se pritet miratimi i Guvernatorëve të Fondit të Shpëtimit të Eurozonës dhe disa parlamenteve.

Ministrat shprehën gjithashtu se kanë konstatuar se qeveria greke ka përmbushur angazhimin e saj për të miratuar në parlament masat e kërkuara. Eurogrupi ka rënë dakord të paguajë rreth 7 miliardë euro të marra nga ESM, një fond që ushqehet nga buxheti i komunitetit dhe që është përdorur në shpëtimin e Portugalisë dhe Greqisë, në mënyrë që Greqia t’i bëjë ballë pagesave si për shembull 3,5 miliardë eurove që duhet t’i kthejë BQE-së më 20 korrik.

Për të menaxhuar kundërshtinë e Britanisë së Madhe, Suedisë dhe Danimarkës, që nuk pranojnë përdorimin e fondeve nga buxheti i BE-së për Greqinë, eurozona ka vendosur që të përdorë të ardhurat nga operacionet me bonot greke në duart e BQE-së që arrijnë vlerën e 3,3 miliardë eurove, si garanci e pagesës. Kështu në rast se Athina nuk kthen paratë e marrë hua, humbjet do t’i shtohen vetëm zonës së euros.

Vendimi tani duhet të marrë miratimin urgjent të BE-së, në mënyrë që edhe parlamentet kombëtare të kenë mundësinë të konsultohen dhe të bëjnë rregullimet e nevojshme, para ditës së shtunë. Për më tepër, Eurogrupi ka konstatuar se masat e miratuara nga Parlamenti grek dhe angazhimi për të miratuar një sërë veprimesh të reja javën e shkuar, tregojnë se duhen filluar negociatat për shpëtimin e tretë në vend.

Prandaj, ata kanë dhënë “mbështetje politike” e tyre për fillimin e bisedimeve, një vendim që duhet gjithashtu të konsultohen me parlamentet kombëtare. Përveç kësaj, sot gjatë një tjetër konference të Këshillit të Guvernatorëve të ESM-së pritet që të vendoset fillimi i negociatave. Pritet që në mes të gushtit të paraqitet dizajni i programit të shpëtimit të tretë me sasitë dhe kushtet e lidhura, i cili duhet të miratohet zyrtarisht që të hyjë në fuqi.

Nga ana tjetër BQE-ja ka aprovuar rritjen e furnizimin të bankave greke me rreth 900 milionë euro për një javë dhe vendimi që bankat greke do të hapen ditën e hënë është pritur me një ndjenjë lehtësimi nga miliona grekë. Sipas burimeve, nga Banka e Greqisë çdo person do të mund të tërheqë nga llogaria e tij bankare nëpërmjet bankomateve ose nga arkat brenda institucioneve financiare deri në 180 euro çdo tre ditë.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *