Eurojust konfirmon: Në Europë janë infiltruar anëtarë të ISIS

redaktor

Eurojust, agjencia për bashkëpunimin gjyqësor në Bashkimin Evropian, ka konfirmuar se anëtarët e Shtetit Islamik po udhëtojnë për në Evropë duke infiltruar në rrjedhat e emigracionit ilegal. “Është një situatë alarmante, sepse shohim qartë se ndonjëherë këta trafikantë financojnë terrorizmin, këta trafikantë po përdoren për infiltrimin e anëtarëve të Shtetit Islamik.

Kjo çështje duhet të trajtohet në mënyrë serioze dhe të shpejtë”, paralajmëroi në një konferencë për shtyp presidentja e Eurojust dhe kreu i ekipit të agjencisë kundër terrorizmit, Michele Coninsx. Presidentja e agjencisë së bashkëpunimit gjyqësor ka paralajmëruar se nuk disponojnë shifra të numrit të “ujqve të vetmuar” të identifikuar në Europë, por ka bërë të qartë se problemi është serioz dhe i përbashkët në të gjithë BE-në.

Edhe pse nuk ka shifra të qarta të numrit të luftëtarëve të huaj të cilët janë zhvendosur nga Evropa në zonat e konfliktit, Coninsx shpjegoi se numri ka kaluar nga “disa qindra”, në vitin 2012, kur u zbulua problemi i luftëtarëve të huaj për herë të parë deri në “disa mijëra” në vitin 2014.

“Kërkohet një qasje multidisiplinare”, shtoi ajo, duke bërë të qartë se burgosja e terroristëve ose konfiskimi i pasurisë, nuk është zgjidhja e vetme dhe duhet të punojnë për fazën shumë më të hershme, në parandalimin dhe radikalizimin.

“Kjo fillon në shkolla, në familje, në xhami”, shpjegoi ajo. Megjithatë, ajo e ka bërë të qartë se dënimet me burg për njerëzit me “qëllime terroriste sipas saj kanë absolutisht një efekt parandalues” në mesin e të rinjve, të cilët kanë frikë nga burgu, edhe pse pranoi se duhet të merren masa që të parandalohet shpërthimi i radikalizimit të mëtejshëm në burgje.

Ajo gjithashtu theksoi rëndësinë e ndjekjes së financimit të terrorizmit përmes trafikut të qenieve njerëzore, trafikimit të emigracionit të paligjshëm dhe krimit të organizuar.

“Duhet të ndjekim gjurmët e parave”, tha duke pranuar se është “absolutisht jetike” të ketë instrumente të konfiskimit dhe sekuestrimit, gjë që kërkon bashkëpunim me vendet e treta. Presidentja e “Eurojust” ka pranuar se njohim vetëm “majën e ajsbergut” në lidhje me planet e mundshme për sulme terroriste në BE.

“Nuk jemi të vetëdijshëm për të gjitha sulmet e ndërprera terroriste”, siguroi ajo.

Share This Article
1 Comment
  • nese ku ndaloni perfaqesimin e drejte te islamit ne marrjen e pergjegjesive permes inkuadrimit atehere prit tkurrje dhe shtertim kenete deri sa te thahen peshqit. ketu ka nje te keqe se ju do kunderviheni duke festabilizuar dh na futur ne lufte siq beni ne vendet arabe.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *