Prof. Fatos Tarifa
“Për Turqinë dhe Europën mund të diskutojmë pa fund e të mos merremi vesh”, tha sociologu. “Përsa i përket integrimit dhe zgjerimit të mëtejshëm të BE-së, duhet të kuptojmë se ky është një proces shumë i vështirë. Progresi është gjithmonë si një pilgrimazh: dy hapa para, një hap prapa. Kur bëjnë një hap prapa, njerëzit harrojnë dy hapat që kanë bërë përpara. Unë insistoj se është pothuajse e paimagjinueshme që vendet e Europës të luftojnë sot mes tyre. Pra, e sotmja është ajo kohë paqeje për të cilët fliste Kanti. A s’duhet ta shohim Bashkimin Europian si një eksperiment madhështor, ose si një laborator për të ardhmen e mbarë njerëzimit? A nuk i ka shpëtuar Europa ‘botës hobesiane’ të anarkisë dhe a nuk jeton ajo sot në një ‘botë kantiane’ paqeje, në një botë ‘post-historike’, në të cilën, e përsëris, luftrat mes vendeve anëtarë të saj janë bërë të paimagjinueshme? Nëse mbajmë parasysh problemet e mëdha me të cilat përballet bota e sotme—shterrimi i resurseve dhe ndotja natyrore, përhapja e armëve bërthamore dhe rreziku që vjen prej tyre, zhvillimi i inxhinierisë gjenetike dhe i inteligjencës artificiale, populizmi, fanatizmi dhe ekstremizmi fetar e nacionalist, rreziku i terrorizmit, sëmundjet e pashërueshme etj.—është e qartë se nuk ka mënyrë tjetër për të mbijetuar në këtë botë të përbashkët veç bashkëpunimit ndërkombëtar. Edhe vetëm kjo arsye do të mjaftonte për të justifikuar krenarinë e europianëve të sotëm”.
“Kjo që thua ti është më shumë një ‘wishful thought’ sesa një realitet, e ndërpreu historiani. “Duke filluar nga vitet 1990, ka njerëz që, fatkeqësisht, besojnë se BE ofron një ‘model për mënyrën se si do të duhej të organizohej bota në shekullin e 21-të’. Ka njerëz, madje, që me naivitet besojnë se Europa po e udhëheq botën në një ‘epokë postmoderne, në të cilën interesat kombëtare partikulariste të shteteve dhe politika e forcës do ua lënë vendin së drejtës ndërkombëtare, institucioneve supranacionale dhe ‘sovranitetit në ortakësi’. Sipas tyre, bota po ndjek të njëjtën rrugë që ka ndjekur Bashkimi Europian.
Në këtë pikë, juristi ndërhyri përsëri: “Unë gjithnjë kam menduar se Bashkim Europian do të thotë që Europa të adoptojë një sistem të vetëm ligjor. Europa ka dështuar në përpjekjet shumëvjeçare për të pasur kushtetutën e saj dhe mendoj se ajo asnjëherë nuk do arrijë të ketë një kushtetutë për të gjithë vendet anëtarë të saj. Pa një kushtetutë të përbashkët nuk mund të ketë integrim të mëtejshëm të Bashkimit Europian. Askush nuk e vë në dyshim”, vijoi ai, “se unifikimi europian ka bërë progres shumë të madh qysh nga fillimet e pasigurta të periudhës pas Luftës së Dytë Botërore. Megjithatë, mendoj se, në vend që të ushqejnë iluzione mbi Europën si një projekt post-modern dhe si liderja e ardhshme e globit, ‘europianët duhet të pranojnë realitetin e një Europe të përbërë nga shtete të pavarur kombëtarë, ku BE vazhon të luajë një rol, por ama një rol dytësor në përcaktimin e fatit politik të kontinentit’. Shihni institucionet qendrore të Bashkimit Europian. Ato kritikohen gjerësisht për mungesë efektiviteti dhe, akoma më shumë, për deficitin e legjitimitetit të tyre demokratik, për shkak të mungesës si të lidhjeve me qytetarët europianë, ashtu edhe të procedurave llogaridhënëse ndaj tyre”.
“Në një libër shumë interesant, titulluar Një botë përtej politikës?, ndërhyri historiani, Pierre Manent, një filozof i njohur francez, thotë se ‘europianët janë përfshirë në një aventurë të pasigurt për të ndërtuar një demokraci pa një popull’. Sipas tij, ndërsa amerikanët duket se gjithnjë e më shumë e identifikojnë çdo gjë që ata bëjnë—dhe çdo gjë që ata janë—me demokracinë, ‘europianët përpiqen t’i ndajnë virtytet e tyre demokratike nga të gjitha karakteristikat e tjera të tyre dhe, në këtë mënyrë, të shkëputen nga mëkatet e tyre të së kaluarës’”.
“Unë ndaj të njëjtin mendim me ty”, i tha juristi shokut të tij historian, “Europës i mungon aftësia vitale të projektojë fuqinë e saj politike, diplomatike dhe ushtarake në arenën ndërkombëtare. Me sa duket, vetëm Shtetet e Bashkuara e kanë aftësinë të luajnë—dhe do të vazhdojnë të luajnë—rolin e lidershipit botëror. Europa, pavarësisht se sa thellë do të shkojë integrimi i saj, nuk mund ta luajë dot këtë rol. Në një bisedë me filozofin mediatik francez Bernard-Henri Lévy, Francis Fukuyama vinte në dukje se ‘nëse lidershipi botëror do t’u lihej në dorë europianëve, këta ose do pajtoheshin me gjithçka që ekziston, ose do të bënin marrëveshje cinike për të ruajtuar interesat e tyre të ngushta, ndërsa flasin për të drejta dhe drejtësi universale’”.
Kultura dhe identiteti
“Ju nuk keni thënë asgjë deri tani për kulturat dhe identitetet e ndryshëm të popujve europianë”, ndërhyri në këtë pikë profesori i gjeografisë. “Grekët dhe suedezët. Ç’kanë të përbashkët kulturat dhe konstituimi psikik e shpirtëror i këtyre dy popujve? Ose, danezët dhe bullgarët, anglezët dhe rumunët, gjermanët dhe portugezët. A mund të flitet, pra, për një identitet kulturor europian, apo çdo komb i kontinentit ka një identitet kulturor të vetin, të ndryshëm nga ai i kombeve të tjerë? Unë mendoj se kulturat e popujve të Europës janë shumë të ndryshme prej njëra-tjetrës dhe, po kështu, mentalitetet e tyre. Çdonjëri nga ne ka pasur rast të udhëtojë në Europë, por, a nuk keni venë re se sa ndryshe arsyetojnë francezët nga anglezët, sa e ndryshme është mënyra e jetesës së një spanjolli nga ajo e një finlandezi ose hollandezi, sa i ndryshëm është një social-demokrat danez nga një social-demokrat grek?
“Ti mund të kesh të drejtë”, e ndërpreu sociologu, “por, reflekto për një çast se, pavarësisht nga të gjitha këto, si grekët, ashtu dhe spanjollët, belgët, sllovenët apo gjermanët, janë europianë; ata janë qytetarë të vendeve të tyre, por edhe qytetarë të Europës—European citizens. A nuk është ky një hap i madh drejt lirisë”?
“Mundet”, ndërhyri mjeku, “por, as më thua, çfarë ndihet më shumë një “qytetar europian” nga Greqia, europian apo grek? Po një bullgar, europian apo bullgar?
Në këtë pikë ndërhyri përsëri juristi: “Pavarësisht ngjashmërive që kanë popujt dhe kulturat e vendeve europianë me njëra-tjetrën”, tha ai, “mendoj se dallimet në identitetet e tyre kulturorë janë më të theksuara sesa tiparet e përbashkëta. Këto dallime vihen re qartë kur udhëton nga perëndimi i Europës në lindje të saj, ose nga vendet nordike në Europën mesdhetare. Ngjashmëritë në dukje midis vendeve të ndryshëm të Bashkimit Europian fshehin në të vërtetë diferenca kulturore të theksuara dhe identitete nacionalë mjaft të dallueshëm. Anglezët, për shembull (mos më thoni se ata nuk janë europianë), janë kulturalisht, në shumë drejtime, më afër amerikanëve dhe kanadezëve (po të përjashtojmë Kebekun), madje edhe më afër australianëve se sa ‘bashkëqytetarëve’ të tyre europianë (deri dje, para Brexit)—fjala vjen, italianëve, francezëve, portugezëve, grekëve, polakëve apo sllovenëve. Pasaporta europiane që mbajnë shtetasit e vendeve të Bashkimit Europian dhe liria e lëvizjes apo e punësimit brenda kontinentit të përbashkët europian është një gjë; ajo që i dallon popujt e ndryshëm të Europës kulturalisht, ekonomikisht, nga pikëpamja e traditave, e historisë dhe e konstituimit shpirtëror është një gjë krejt tjetër”.
“Dhe mos harroni gjuhët e shumta që fliten në Europën e bashkuar”, ndërhyri profesori i gjeografisë. Në atë burokraci të llahtarshme të Brukselit, që i ngjan një perandorie të madhe shumëkombëshe, me paratë e taksapaguesve europianë paguhen mijëra përkthyes profesionistë, të cilëve u duhet të përkthejnë çdo ditë, çdo raport, çdo memo dhe çdo dokument tjetër në 24 gjuhë të ndryshme (përfshirë edhe gjuhën malteze, letoneze, kroate apo sllovene), që janë gjuhët kombëtare të vendeve anëtare të Bashkimit Europian dhe që konsiderohen “gjuhë zyrtare dhe gjuhë pune” në të gjitha institucionet të BE-së”.
“Të kthehemi përsëri te çështja e qytetërimit”, tha mjeku. “Askush nuk mund t’i mohojë arritjet e qytetërimit europian, që nga koha e Greqisë dhe e Romës së Lashtë—Rilindja dhe Iluminizmi europian, letërsia, arti, shkenca, etj. Megjithatë, nuk është qytetërimi europian ai që dominon dhe frymëzon botën e sotme. Këtë rol sot e luan qytetërimi amerikan. A nuk e shihni se sa i pranishëm është bërë sot ky qytetërim në çdo aspekt të jetës sonë, që nga muzika që dëgjojmë, filmat që shohim, veshja që përdorim, një pjesë e ushqimit që hamë, programet që përdorim në kompjuterat tanë, gjuha që përdorim në Internet, ose që flasim në çdo vend të botës ku udhëtojmë, lentet që përdorim për të vëzhguar ç’ndodh në botën e sotme, vëmendja që na tërheqin ngjarjet politike në Amerikë etj.? Shumë shpikje të amerikanëve dhe kultura pop e tyre janë bërë pjesë e kulturës dhe e qytetërimit të sotëm pothuajse në çdo rajon dhe në çdo vend të botës. Një pjesë e madhe e klasës së mesme në Europë dhe thuajse kudo e pëlqejnë si një lloj sporti të mblidhen për kafe në Starbucks, veshur me “blue jeans” dhe “T-shirts”, edhe këto shpikje të kulturës pop të amerikanëve. Përfytyroni për një çast një hollandez, që kafenë e mëngjesit e pi në një ‘Starbuks’ në mes të Amsterdamit; ose vajzën e tij studente, që drekën e ha në një MacDonald’s, ose në një KFC (Kentucky Fried Chicken). Përfytyroni, po kështu, një francez, që në një bisedë me shokun e tij përdor fjalë anglisht, si ‘OK’, ‘PC’ (për ‘personal comuter’), ‘laptop’, ‘hamburger’, ‘bye-bye’ etj, fjalë këto (dhe shumë të tjera si këto), të cilat janë bërë, dashur pa dashur, pjesë e vokabularit të tij të përditshëm. Sot me francezët po ndodh diçka e ngjashme me anglomaninë e klasës tregtare në Francën e shekullin e 19-të”.
“Nuk besoj se analogjia qendron”, e ndërpreu sociologu.
“Sigurisht, si çdo analogji, edhe kjo mund të çalojë”, vazhdoi mjeku, “por nuk mund ta mohojmë dot atë rol që kanë në jetët tona të përditshme Amerika dhe kultura e saj. Ignacio Ramonet, i cili, për një kohë të gjatë ka qenë kryeredaktori i gazetës Le Mode diplomatique, edhe pse nuk është njohur si një admirues i Amerikës, ka thënë një të vërtetë kur pohonte se Amerika formaton ‘stilin dhe ritmin e imazheve moderne’. Ai shkruante se ‘amerikanizimi i mendjeve tona ka avancuar sot kaq shumë, saqë duket se po bëhet përherë e më e vështirë ta mohosh, ta denoncosh ose ta kundërshtosh këtë. Nëse dikush do ta refuzonte këtë amerikanizim plotësisht, atij do i duhej të përgatitej ta privonte veten pothuajse nga të gjitha praktikat kulturore (veshjet, sportet, lojrat, argëtimet, gjuha, ushqimi), të cilave u jemi përkushtuar qysh nga fëmijëria dhe të cilat jetojnë brenda nesh në mënyrë permanente’”.
“Edhe pse mund të mos na pëlqejë, ky është një realitet dhe ti ke të drejtë”, i tha juristi. “Kushdo nga ju, që ka qenë në Amerikë, i kupton fare mirë jo thjesht përmasat gjigande të atij vendi, por sidomos aftësinë e tij, veçanërisht të kulturës së tij, për t’iu imponuar gjithçkaje, madje edhe kulturës ‘së lartë’ franceze. Edhe intelektualët më të sofistikuar europianë, kur shkojnë në New York, ose në Los Angeles, qytet ky, i cili është një botë sui generis, e ndiejnë veten mjaft të vegjël e të shpërfillur, të humbur nën trysninë e ritmit marramendës të kulturës amerikane, që i rrethon nga të katër anët. Lexoja këto ditë një artikull mbi ‘Paradokset e anti-Amerikanizmit’, nga Pascal Bruckner, një ndër intelektualët publikë më të njohur në Francë, i cili pohon se, në vendin e tij, ashtu si pothuajse kudo në Europë, ‘Amerika mbetet një pasion i vjetër’. ‘Atraksioni që krijojnë hapësira e pafund e atij vendi’, shkruan ai, ‘pushtimi i perëndimit, epika indiane, librat komikë, filmat ‘noir’, xhazi, muzika bluz, funk, rap, vazhdojnë t’i bëjnë francezët dhe europianët e sotëm ta kenë ëndërr Amerikën’. ‘Franca’, shprehet ai, ‘mund të thuhet, madje, se ka qenë dhe është një nga sekretet e suksesit të madh të Hollivudit, për shkak se francezët i adhurojnë filmat amerikanë dhe ngjeshen pas kolltukut për të parë në mbrëmje mini-seritë nga ‘Bota e Re’, ose i kalojnë pushimet e tyre në New York, në Miami, ose në California’. Edhe këngëtari pop më i famshëm i Francës, Johnny Hallyday, që vdiq jo shumë kohë më parë, thotë ky autor, nuk ishte veçse ‘një sozi e legjendarit Elvis Presley, një imitim i tij, i pushtuar i tëri nga mitologjia muzikore e Amerikës’”.
“Më duket një ekzagjerim shumë i mdh”, e ndërpreu sociologu, “sepse Europa është jo vetëm djepi, por edhe një burim i pashterur vlerash kulturore dhe humane në kohën tonë”.
“Ndoshta, por shihni universitetet e saj! Nuk kemi folur për to”, tha historiani. Ndërsa ideja e Universitetit dhe vetë universiteti, si institucion, lindi në Europë, në periudhën e vonë të Mesjetës, dhe ndërsa në shekullin e 19-të dhe deri në vitet 1920 universitetet gjermanë kryesonin listën e universiteteve më të mirë të botës, sot, universitetet europianë, me pak përjashtime, kanë mbetur shumë pas universiteteve amerikanë dhe atyre anglezë. Edhe pse krijimi i një hapësire europiane të arsimit të lartë (dhe Procesi i Bolonjës) trumbetohet gati-gati si një arritje “epokale” e Europës së bashkuar, ajo nuk është më shumë sesa një përpjekje për të reformuar strukturalisht sistemeve universitarë të kontinentit, mbi bazën e disa vlerave të përbashkëta (si liria e shprehjes, autonomia institucionale, unionet e pavarura studentore, liria akademike, mobiliteti i studentëve dhe stafeve), si dhe një mundësi për bashkëpunime në fushën akademike mes universiteteve të kontinentit, me paratë lumë të Bashkimit Europian (vetëm programi Horizon 2020 ka një buxhet prej 82 miliard USD), sesa është një blue-print për një sistem universitar më të mirë. Përveç kësaj, uniformiteti që kërkojnë të krijojnë europianët në fushën e arsimit të lartë nuk e stimulon arsimin e lartë dhe, unë mendoj se vjen në në kundërshtim me vetë moton e Bashkimit Europian për të qenë “united in diversity”.
“Unë ndaj të njëjtin mendim me ty”, tha profesori i gjeografisë. “Thjesht shihni se si renditen universitetet europianë, edhe ata më të mirët, në raport me universitetet amerikanë dhe ata britanikë, madje edhe me shumë universitete të klasit të parë në vendet e Azisë Lindore dhe në Australi. Sot, 8 ndër 10 universitetet më të mirë në botë janë në Amerikë dhe 2 në Britaninë e Madhe. Ndër 30 universitetet më të mirë, 23 janë në Amerikë, 4 në Britani dhe vetëm 1 në Europë. Ndër 50 universitetet më të mirë, 36 janë në Amerikë dhe në Britani dhe vetëm 7 janë në Europë. Ndër 100 universitetet më të mirë, 48 janë në Amerikë dhe vetëm 24, pra dy herë më pak, janë në Europë, pothuajse aq sa janë në 4 vende anglishtfolëse, si Anglia, Kanadaja, Australia dhe Singapori, të marrë së bashku, të cilët kanë 21 ndër universitetet më të mirë të globit. Dy universitetet më të mirë të Italisë, renditen diku mes vendeve 190 dhe 240 në klasifikimin e universiteteteve më të mirë. Përfytyroni për një çast: rreth 400 mijë shkencëtarë dhe profesorë universitetetsh nga vendet e Bashkimit Europian punojnë dhe japin mësim sot në Shtetet e Bashkuara pikërisht sepse nuk gjejnë në vendet e tyre kushtet dhe shpërblimin që meritojnë për talentet e tyre dhe për punën që bëjnë.
“Ke të drejtë kur flet për dallimet e mëdha që ekzistojnë mes universiteteve në botën anglo-saksone dhe atyre në Europë”, ndërhyri mjeku. “Por unë kuptoj fare mirë një gjë: Europa as ka qenë, as është dhe as do të jetë ndonjëherë një shtet i vetëm, apo një union që të funksionojë si një shtet i vetëm, siç e kanë konceptuar atë ideatorët e Europës së bashkuar, Robert Schuman dhe Jean Monét”.
“Pikërisht”, tha juristi. “Edhe pas më shumë se 60 vitesh qysh nga nënshkrimi i Traktatit të Romës, që shënoi fillimin e realizimit të “Projektit Europian”, vetë europianët vazhdojnë të jenë të pasigurtë se cila është Europa që ata po krijojnë, ose që duan të krijojnë: A është kjo Europa që projektoi Jean Monnet, apo Europa që donte të krijonte Charles de Gaulle? Europa për të cilën punoi Helmut Kohl, apo ajo për të cilën fliste Margaret Thatcher? Europa që përfytyronte Giulio Andreotti, apo ajo që donte Silvio Berlusconi dje apo Giuseppe Conte sot? Europa që imagjinonte Vaclav Havel, apo ajo që donte të konservonte Jacques Chirac? Europa që kërkonte Gerhard Schröder, apo ajo që përpiqen të krijojnë Angela Merkel dhe Emmanuel Macron? Europa që donte Wim Kok, apo kjo për të cilën flet Viktor Orbán?
“Në fund të fundit”, e mori përsëri fjalën mjeku, “gjithashka që kemi thënë deri këtë çast mund të kuptohet nga përgjigjja e një pyetjeje të vetme: A është sot Europa një ëndërr?. Unë do thoja edhe po, edhe jo. Për ne shqiptarët, sigurisht Europa është një ëndërr, prandaj edhe, në fillimet e tranzicionit tonë të vështirë, kërkonim që ta bënim Shqipërinë ‘si e gjithë Europa’. Por realitetet e sotme në Europë kanë ndryshojnë dhe, siç ka deklaruar në vitin 2005 Jean Claude Juncker, në atë kohë kryeministër i Luksengurgut dhe sot President i Komisionit Europian, “Europe no longer makes people dream”. Deri më sot, unë kam parë e dëgjuar se ka vetëm një ëndërr—the American Dream. Amerika ka një aftësi joshëse universale pikërisht sepse ajo përfaqëson një ëndërr. Dhe kjo nuk është thjesht një formulë retorike për politikanët amerikanë, as një iluzion njerëzor i një parajse tokësore, por, siç shkruan Patrick Laude, është gjithashtu edhe ‘një princip i një projeksioni të pafundshëm me të gjitha vlerat dhe ambicjet e saj të fuqishme’. Pasi Amerika, për vetë natyrën e saj, është një farë ripërsëritjeje dhe konkludimi i të gjitha mundësive njerëzore. Kjo nuk mund të thuhet për Europën, as për Azinë. ‘Amerika është, në të vërtetë, një vend demiurg’, thotë Laude. Ajo është gjithçka për çdo njeri, në një mënyrë të tillë që, dikush edhe mund ta refuzojë atë, edhe të thotë çdo gjë për të”.
“Kjo që sapo the” e ndërpreu juristi, “më kujton thënien e famshme të Margret Thatcher-itm se ‘Europa kurrë nuk do të jetë si Amerika, sepse Europa është produkt i historisë, ndërsa Amerika është produkt i filozofisë’”.
E ndërpres me këto fjalë të kryeministres Thatcher esenë time duke ju ftuar, lexues të nderuar, ta imagjinoni vazhdimin e mëtejshëm të kësaj bisede, sikur të ishit edhe ju vetë pjesë e saj J
