Prof. Fatos Tarifa
Zgjodha të vij sot para lexuesit, jo me një ese pro forma, por me një bisedë të imagjinuar mes një grupi intelektualësh, secili me një profesion të ndryshëm nga të tjerët. Njëri prej tyre është profesor i gjeografisë, të tjerët janë një historian, një sociolog, një jurist dhe një mjek. Tema e bisedës së tyre është pikërisht Europa—Europa si gjeografi, por edhe historia, politika, kultura dhe universitetet e saj. Çdonjëri nga ju, lexues të nderuar, mund ta përfytyrojë veten të pranishëm në këtë bisedë, duke reaguar dhe artikuluar mendimin e vet.
Gjeografia dhe historia
“Unë e di që ju do më kundërshtoni”, e nisi bisedën profesori i gjeografisë, “por unë mendoj se Europa nuk është një kontinent më vete, por një gadishull i kontinentit aziatik. Objektivisht, ajo do të duhej të quhej ‘Azia Perëndimore’, njëlloj siç flasim për ‘Azinë Lindore’ kur duam t’u referohemi Kinës, Japonisë, Koresë dhe vendeve të tjerë të atij rajoni. Kufijtë mes Azisë dhe gadishullit të saj perëndimor, që ne e quajmë Europë, janë krejt arbitrarë. Malet Urale nuk mund të quhen një kufi natyror, që ta ndante këtë gadishull nga pjesa tjetër e kontinentit aziatik. Nëse dikush merr trenin, të themi, nga Brukseli për në Pekin, në atë udhëtim, që përshkon një distancë prej 8,000 km, ai nuk do të ndeshë rrugës asnjë vështirësi ose pengesë natyrore deri, ndoshta, pranë kufirit mongol”.
“Deri diku ke të drejtë”, e ndërpreu shoku i tij historian. “Kjo edhe shpjegon, ndër të tjera, përse, në të kaluarën, ushtri të shumta në Azinë Qendrore e kanë pasur relativisht të lehtë të pushtonin territore shumë të gjera në lindje dhe në perëndim të Azisë (persët, mongolët, arabët, osmanët) dhe, po kështu, gjeografia nuk u bë pengesë për Aleksandrin e Madh që të pushtonte thuajse të gjithë Azinë Qendrore, deri në Indi, edhe pse ai nuk krijoi një perandori të re, por thjesht pushtoi një perandori ekzistuese, atë të Persëve. Sidoqoftë, dallimi mes Europës, Azisë dhe Afrikës ka ekzistuar qysh në kohën e Herodotit, që do të thotë qysh në shekullin e 5-të para erës së re”.
“A ka ndonjë kuptim të caktual fjala ‘Europë’”? pyeti mjeku.
“Ky emër”, nisi të shpjegojë historiani, “mendohet se vjen nga fjala fenikase ‘ereb’, që do të thotë ‘errësirë’, ose ‘perëndim i diellit’. Fjala ‘ereb’, në gjuhën e fenikasve, kishte të njëjtën rrënjë si fjala arabe ‘Maghreb’, që, gjithashtu, do të thotë ‘Perëndim’. Ngjashmëria me fjalën ‘Europë’, princeshën e bukur që u rrëmbye nga Zeusi (i maskuar si një dem), është një rastësi, me përjashtim, ndoshta, të faktit që, sipas legjendës, Europa ishte një princeshë fenikase. Në kohën e tij, Herodoti thoshte se askush nuk e di nëse Europa rrethohet nga dete dhe nga e mori ajo këtë emër, kush e quajti kështu, veçse nëse besojmë se ky emër vjen nga Europa, princesha fenikase, dhe se, përpara saj, kjo masë toke nuk kishte një emër, ashtu si dhe pjesët e tjeta të tokës. Sidoqoftë, mendonte Herodoti, ka pak të ngjarë të ketë ndodhur kështu, ngaqë Europa ishte një grua aziatike dhe nuk shkeli kurrë në atë vend që sot e quajmë Europë; ajo vetëm udhëtoi me anije nga Fenika në Kretë dhe nga Kreta në Lysia. Ju e dini”, vazhdoi më tej historiani, “që fenikasit kanë qenë lundërtarë të shquar për afro një milenium para Krishtit dhe ata erdhën nga Libani i sotëm, kështu që, për ta, Europa ishte në Perëndim, ku dielli shuhet. Vetë Herodotit i dukej e habitshme që, në atë kohë, për të përshkruar një masë toke që, sipas tij, përbënte një kontinent të vetëm, përdoreshin tre emra të ndryshëm grash—Azia, Afrika dhe Europa”.
“Është me interes të vemë në dukje”, u rikthye në bisedë profesori i gjeografisë, “se dy shtetet më të mëdhenj që ndajnë Europën nga Azia―Rusia dhe Turqia―shtrihen gjeografikisht në të dy këta kontinente, ndërsa disa prej popujve më të vjetër—hebrenjtë, armenët dhe gjeorgjianët—edhe pse këta dy të fundit janë popuj kaukazianë, pretendojnë se janë pasardhës të popujve të lashtë të Lindjes së Mesme.
Në këtë pikë ndërhyri sociologu. “Unë mendoj”, tha ai’ “se arsyeja pse të lashtët e shihnin Azinë perëndimore si një kontinent më vete dhe e quajtën atë ‘Europë’ ka qenë sepse kjo i lejoi ata që ta ‘zhvendosnin’ qendrën e botës, duke lartësuar imazhin e tyre. Kinezët kanë bërë të njëjtën gjë. Ata nuk e kanë konsideruar vendin e tyre si Lindje të diçkaje; ata e kanë quajtur Kinën ‘perandorinë e qendrës’ (Middle Kingdom), madje qendrën e botës. Ishin europianët ata që e bënë Europën qendër të botës. Kur u zbulua Amerika, ky kontinent u quajt “Bota e Re”, ndërsa europianët vazhduan ta quanin kontinentin e tyre “bota e vjetër”.
“‘Bota e Vjetër’ e vërtetë përfshinte së pari Afrikën dhe, më pas, Azinë”, e mori përsëri fjalën historiani. “Shkencëtarët e sotëm bien dakord se migrimi i parë i Sapiensëve nga Afrika Lindore në Lindjen e Mesme ndodhi rreth 70,000 vite më parë dhe, prej andej, ata shumë shpejt populluan të gjithë atë masë të gjerë toke që formon Eurazinë. Sidoqoftë, kur Homo sapiens mbrritën nga Afrika në Lindjen e Mesme, pjesa më e madhe e Eurazisë popullohej ndërkohë, prej qindra mijëra vitesh, nga specie të tjera humane—kryesisht nga Homo neanderthalensis (territoret që sot quhen Europë) dhe Homo erectus (Azia). Se ç’ndodhi me këto specie më vonë dhe cilët qenë shkaqet që ato u zhdukën, ndërsa Sapiensët mbetën e vetmja qenie humane mbi tokë, nuk është plotësisht e qartë. Dy janë teoritë kryesore që përpiqen të hedhin dritë mbi këtë proces. Njëra e shpjegon zhdukjen e neandertalëve dhe të erectusve me përzierjen e tyre me sapiensët, për shkak të tërheqjes fizike dhe përshtatshmërisë, për të krijuar sapiensët e sotëm europianë (caucasians), në perëndim të Eurazisë, dhe ata kinezë e koreanë në lindje të saj. Teoria tjetër e shpjegon zhdukjen e neandertalëve dhe të erectusve me zëvendësimin e tyre nga sapiensët, për shkak të papërshtatshmërisë anatomike dhe të zakoneve të tyre, deri edhe përmes genocidit. Sipas kësaj teorie, sapiensët i zëvendësuan të gjitha popullsitë e mëparshme humane pa u përzier me to; rrjedhimisht, ne jemi të gjithë “pure sapiens”, një specie gjenetikisht e pastërt.
“Por ç’lidhje ka kjo me atë çfarë po bisedojmë, pra me Europën dhe europianët?”, e ndërpreu shokun e tij mjeku.
“Unë kam një përgjigje, për pyetjen tënde”, tha sociologu. “Debati mbi këtë çështje është bërë shpesh herë burim konfrontimesh ideologjike e politike. Teoria e shfarrosjes së popullsive të tjera humane nga Homo sapiensët është konsideruar si e vetmja teori “politikisht korrekte”; e kundërta, pra një teori që do të pranonte përzierjen e popullsive humane më të hershme me sapiensët, pra diversitetin gjenetik të specieve humane), do të shërbente për të justifikuar e legjitimuar racizmin, pretendimin mbi ekzistencën e një specieje gjenetikisht superiore (europianët) dhe të specieve të tjera gjenetikisht inferiore.
“Pajtohem me këtë arsyetim”, tha juristi. “Kjo do të hapte “kutinë e Pandorës” së racizmit. Në fakt, jo shumë shumë kohë më parë, në vitin 2010, përmes ekzaminimit të fosiljeve, gjenetistët zbuluan se 1-4% e ADN-së unike të Homo sapiensëve të sotëm që popullojnë Lindjen e Mesme dhe Europën është ADN e trashëguar nga Homo neanderthalensis dhe, po kështu, 3-5% e ADN-së së popullsisë së sotme aborigene të Australisë dhe 6% e ADN-së së popullsisë së sotme të Papuas, është trashëguar nga Homo denisova (Denisova huminins), një specie humane arkaike, gjithashtu e zhdukur, që ka populluar Lindjen e Mesme, Siberinë, Azinë Juglindore dhe ishujt e Polinezisë dhe Melanezisë në Paqësor mbi 700,00 vite më parë.
“Pra”, e mori sërish fjalën sociologu, “realiteti biologjik nuk është krejt bardhë e zi dhe kjo, në ditët tona, duke parë valën në rritje të populizmit, të racizmit, të antisemitizmit e të ksenofobisë në Europë, nuk ka se si të mos na preokupojë. Siç vë në dukje historiani i njohur hebre, Yuval Noah Harari, në bestsellerin e tij Sapiens: A brief History of Humankind, “Toleranca nuk është një tipar i sapiensëve. Në kohët moderne, dallimet në ngjyrën e lëkurës, në dialekte ose në besimet fetare kanë mjaftuar që një grup sapiensësh të shfarosë një grup tjetër”.
“Ke të drejtë”, ndërhyri historiani, “por mua më intereson historia e zhvillimit të qytetërimeve dhe kjo histori ka ndjekur fillimisht lindjen dhe zhvillimin e bujqësisë. Zhvillimi i bujqësisë nga një kontinent në tjetrin është vonuar me mijëvjeçarë. Në Europë, fjala vjen, bujqësia u zhvillua shumë më vonë se në Lindjen e Mesme, si pasojë e migrimi gradual të racës njerëzore, siç vumë në dukje, nga Afrika Lindore në Lindjen e Mesme dhe, prej këtej, në Europë dhe Azinë Qendrore dhe atë Lindore. Në Europën Perëndimore, zhvillimi i bujqësisë dhe elementët më të hershëm të qytetërimit të lashtë erdhën nga lindja, kryesisht nga Anatolia dhe nga rajoni perëndimor i Iranit të sotëm. Në këtë rajon të Eurazisë mund të thuhet se nisi për herë të parë revolucioni agrar, i pari revolucion i madh në historinë e njerëzimit.
“Unë nuk mendoj se bujqësia lindi në një rajon të izoluar të globit dhe, prej andej, u përhap në të katër anët e tij”, e ndërpreu profesori i gjeografisë. Ekzistojnë të dhëna të sigurta se bujqësia është zhvilluar paralelisht në rajone të ndryshëm të botës së lashtë. Popullsitë e këtyre rajoneve gjeografikish të largët, pa asnjë kontakt me njëra-tjetrën, përdornin bimë të ndyshme si bazën e tyre ushqimore: popujt e Lindjes së Mesme grurin; banorët e Amerikës Veriore e Qendrore misrin dhe pataten, pa e njohur ekzistencën e grurit; popullsitë e Azisë Lindore e Juglindore orizin, pa pasur as idenë më të vogël për ekzistencën e grurit, të misrit e të patates.
“Por, pastaj ishin europianët ata që morën detet dhe oqenet për të zbuluar botën”, e ndërpreu historiani.
“Qytetërimet janë zhvilluar si rezultat i udhëtimeve, i zbulimeve gjeografike dhe i kontakteve mes kulturave të ndryshme”, e mori fjalën sociologu. “Qytetërimet janë sinkronikë, si enët komunikuese; ata japin e marrin mes njëri-tjetrit, shkëmbejnë, bashkëjetojnë, adaptohen, transformohen nën ndikimin e qytetërimeve të tjerë. Zbulimet e mëdha gjeografike në shekujt e 15-të dhe 16-të, periudhë kjo e njohur si “the Age of Discovery”, or “the Age of Explorations”, çuan shumë shpejt në një garë mes shteteve europianë se kush të zbulonte e të pushtonte më shumë territore në të katër anët e globit. Në fillim ishin portugezët dhe spanjollët, pastaj hollandezët, anglezët dhe francezët. Pasi u ulën këmbëkryq në Afrikë, në Azi, në Oqeani dhe në të dy Amerikat, të cilat i kolonizuan, europianët filluan të besojnë e të përhapin idenë se Europa ka qenë dhe mbetet qendra e qytetërimit dhe e progresit në shkallë globale.
Politika
“Ndërkohë vetë europianët kanë qenë për shekuj me radhë fyt më fyt me njëri-tjetrin”, e ndërpreu mjeku, “në luftë të vazhdueshme mes tyre—Spanja me Hollandën, kjo e fundit me Anglinë, Anglia me Francën, Franca me Prusinë, Gjermania dhe Italia me tërë Europën dhe me tërë botën e kështu me radhë. Deri në mesin e shekullit të 20-të, Europa ka qenë vazhdimisht një arenë luftrash dhe vendi i maskarave e i krimeve më të mëdha, çka e bën jo të besueshëm pretendimin e europianëve se ata kanë qenë dhe janë qendra e qytetërimit. A nuk u bë Europa djepi ku lindën të gjithë regjimet totalitaristë të shekullit të 20-të—Fashizmi, Nazizmi dhe Komunizmi? A nuk janë antisemitizmi dhe Holokausti pjellë e ‘qytetërimit europian’”?
“Ke të drejtë”, e mbështeti juristi. “Europa ka qenë gjithmonë më e dhënë pas komunitarizmit se sa pas të drejtave të individit, krahasuar me Amerikën—dhe është pikërisht ky vulnerabilitet tragjik i saj që ka lehtësuar lindjen dhe ardhjen në fuqi të Fashizmit, të Nazizmit dhe të Komunizmit, duke bërë që Europa të shndërrohej në një teatër të masakrave më të tmerrshme në histori. Ka qenë, po kështu, ky vulnerabilitet i Europës që i detyroi Shtetet e Bashkuara të ndërhynin ushtarakisht për ta shpëtuar kontinentin tonë nga vetja e vet në dy luftra botërore. Pastaj, mos harroni se, ka afro një shekull, në mos më shumë, që Europa i ka humbur pozitën dhe rolin e saj primar në çështjet globale, duke mbetur pas Amerikës, madje, duke qenë “de facto një protektorat ushtarak i Shteteve të Bashkuara”, siç shprehej Brzezinski, dhe, ndoshta, s’do të kalojë shumë kohë që ajo të mbetet edhe pas Azisë Lindore. Kjo do të thotë se qytetërimi europian jo vetëm që nuk është ‘superior’ ndaj qytetërimeve të tjerë, por nuk e frymëzon më zhvillimin e rajoneve të tjerë të globit. Këtë rol, që nga mbarimi i Luftës së Parë Botërore, por sidomos nga gjysma e dytë e shekullit të 20-të e këtej, e luan qytetërimi amerikan.
“Çfarëdo që të thoni ju”, e mori sërish fjalën sociologu, “Europa ka arritur diçka që s’e ka njohur asnjë shoqëri tjetër në botë deri më sot. E kam fjalën për Bashkimin Europian, si një projekt i inxhinierisë sociale dhe si një përpjekje për të arritur një integrim të plotë ekonomik e politik të të gjithë shteteve europianë, pa lejuar asnjë prej tyre të dominojë mbi të tjerët. A nuk është ky një lloj qytetërimi i ri? Të paktën a nuk i ka bërë ai të paimagjinueshme luftrat në Europë sot?”
“Në cilën Europë?”, e ndërpreu profesori i gjeografisë. “Në Europën perëndimore, apo në këtë Europën tonë juglindore? Harrove se ç’ndodhi në Ballkan në vitet 1990? Kroacia! Bosnja! Kosova! Dhe, në këta dhjetë vitet e fundit, në Gjeorgji apo në Ukrainë!”.
“Natyrisht”, vazhdoi sociologu, “Europa ende nuk ka bërë të mundur në gadishullin juglindor të saj, në Ballkan, sigurinë, paqen dhe prosperitetin që gëzon ajo vetë. Por, harruat se kombet e Bashkimit Europian, që sot ulen së bashku në Bruksel, si anëtarë të një familjeje të madhe, deri jo shumë kohë më parë kanë vrarë dhe djegur njëri-tjetrin në luftra shkatërrimtare? A nuk janë sot gjysma e vendeve të Ballkanit pjesë e Bashkimit Europian? A nuk duhet që europianët, më në fund—dhe, ndoshta, edhe ne shqiptarët bashkë me ta, nëse një ditë do të bëhemi anëtarë të BE-së—të jenë krenarë për këtë çka është arritur, kur popujt e Europës tashmë mund të jetojnë në paqe dhe harmoni me njëri-tjetrin, kur mund të bëjnë tregti lirisht në vend që të luftojnë, kur mund të shkëmbehen rrugës ndërsa kalojnë lirisht (madje pa i venë re) kufijtë e njëri-tjetrit në vend që t’i mbrojnë ata me tanke dhe bajoneta?”
“Për cilët kufij të Europës e keni fjalën”, e ndërpreu mjeku, “për ata që u janë mbyllur 80 milionë turqve, miliona të tjerëve nga Kosova, Bosnja, Moldavia, Ukraina, Gjeorgjia, Armenia dhe nga anë të tjera të botës, që duan të udhëtojnë në Europë si vizitorë, apo atyre qindra mijëra fëmijëve, grave e burrave që janë viktima të luftës e të terrorit në vendet e tyre—Siria, fjala vjen?
Në këtë pikë ndërhyri juristi, duke iu drejtuar shokut të tij sociolog: “Nuk di nëse ka ndonjë gjë për të cilën europianët duhet të jenë vërtet kaq krenarë sa thua ti. Integrimi ekonomik dhe tregu i përbashkët europian, po—ata vërtet janë një gjë e madhe. Por integrimi politik është shumë larg një integrimi të plotë e funksional. Integrimi europian, ky projekt ‘madhështor’, i cili ka më shumë se 60 vite që po vihet në jetë, nuk ka bërë përpara aq sa shpresohej e pritej, sidomos pas Mastrihtit. E pamë se ç’ndodhi në vitin 2005 me Kushtetutën Europiane! Dhe a mund të ketë integrim europian të mëtejshëm pa një kushtetutë të përbashkët për të gjithë vendet e BE-së, pa një politikë të përbashkët të jashtme e të sigurisë? Përfytyroni, për një çast, sikur të 50 shtetet e Shteteve të Bashkuara dhe territoret e saj të mos kishin të njëjtën kushtetutë, ose të mos ndiqnin të njëjtën politikë të jashtme. A mund të ishin ato Shtetet e Bashkuara, pra kjo republikë federale që Amerika është sot? Pastaj, mos harroni se Bashkimi Europian, edhe pse gjatë 15 viteve të fundit është zgjeruar me 11 shtete të rinj, vazhdon të mbetet një bashkim vetëm i një pjese të Europës, që një miku ynë, në një nga librat e tij, e quajn “Europa e pabashkuar”. Gjysma e Ballkanit është ende jashtë BE-së, po kështu Ukraina, Gjeorgjia, Moldavia, Armenia, Bjellorusia. Po Norvegjia, se për pak më doli nga mendja? Dhe tani Britania e Madhe! Po Turqia?”.
“Më fal”, e ndërpreu sociologu. “Të rrimë shtrembër e të flasim drejt. Turqia nuk është gjeografikisht pjesë e Europës dhe nuk mund të jetë anëtare e Bashkimit Europian”.
“Arsyeton gabim”, e kundërshtoi në këtë pikë profesori i gjeografisë. “Edhe pse vendndodhja gjeografike mbi planet është një realitet objektiv i dhënë për çdo vend të veçantë, nëse Turqia, apo—për hir të argumentit, Ukraina apo Gjeorgjia—janë vende “europianë” (dhe, nëse po, sa shumë europianë janë ata), kjo është një çështje që ka të bëjë jo thjesht me gjeografinë. Nëse dikush ngre pretendimin se Turqia nuk mund të konsiderohet gjeografikisht pjesë e Europës pasi vetëm 5% e territorit të saj ndodhet në këtë kontinent dhe, për këtë arsye, ajo nuk “meriton” të bëjë pjesë në Bashkimin Europian, natyrshëm mund të shtrohet pyetja: A është Qipro (një vend anëtar i BE-së), më shumë europiane sesa Turqia, kur ajo ndodhet gjeografikisht më afër Sirisë, Libanit dhe Izraelit, pra më afër rajonit të Lindjes së Mesme se sa Greqisë, skajit më jugorlindor të Europës? Dhe ç’mund të thuhet pastaj nëse krahasojmë proksimitetin gjeografik të Turqisë me Europën dhe atë të départements d’outre-mer të Francës—si Guajana në bregun verior të Amerikës së Jugut, Martinika dhe Guadalupa në Detin e Karaibeve, ose Reunioni në Oqeanin Indian, të cilët janë pjesë e Bashkimit Europian dhe përdorin euron si monedhën të tyre? Apo, mos vallë, banorët e Antileve Hollandeze në Detin e Karaibeve, që janë “European citizens”, janë më shumë europianë sesa turqit? Përveç kësaj, në lindje të pjesës së saj aziatike, Turqia kufizohet nga vende të krishterë, siç janë Armenia dhe Gjeorgjia, përkatësinë europiane të të cilëve vështirë se mund të vësh në dyshim, për më tepër kur kjo e fundit, Gjeorgjia, i ka dhënë Europës një nga lidhjet e saj më të forta: kulturën e verës”.
“Unë mendoj”, iu drejtua shokut të tij sociolog juristi, “se argumenti ‘gjeografik’, që e pengonte anëtarësimin e Turqisë në BE, ka rënë qysh më 1997, kur Këshilli i Europës, në samitin e Luksemburgut, konfirmoi se Turqia i plotëson kriteret (pra edhe atë gjeografik), për t’u pranuar në Bashkimin Europian dhe kur, dy vite më vonë, më 1999, në samitin e Helsinkit, Turqisë i u njoh statusi i vendit kandidat për anëtarësim në BE. Por”, vijoi ai, “nëse ti, kur flet për Turqinë si një vend joeuropian, nisesh nga argumenti fetar—Turqia, një vend mysliman, nuk ka vend në ‘Europën e krishterë’—më duhet të të them se ideja e një ‘Europe të krishterë’ i përket periudhës së Mesjetës. Ajo përfaqëson një mentalitet të vjetër qysh nga koha e kryqëzatave të krishtera, mentalitet i cili, në gjuhën moderne nënkupton një Club Chrétien, apo një Christian Club. Edhe vetë Vatikani, i cili ka qenë vazhdimisht një kundërshtar i vendosur ndaj anëtarësimit të Turqisë në Bashkimin Europian, nisur nga argumente kulturorë, ka pranuar, në vitin 2003, se “Islami i përket traditës dhe historisë europiane. Mua më kujtohet, madje”, vijoi ai, “se Joshka Fischer, kur ishte ministër i jashtëm i Gjermanisë, në vitin 2003, edhe pse më parë kishte shprehur skepticizëm ndaj anëtarësimin e Turqisë në Bashkimin Europian, ka deklaruar se modernizimi i një vendi islamik si Turqia, ‘mbështetur në vlerat e përbashkëta të Europës do të ishte si një D Day për Europën…[sepse] do të provonte se Islami dhe moderniteti, Islami dhe shteti ligjor [dhe] kjo traditë e shkëlqyer kulturore dhe të drejtat e njeriut janë, në fundit të fundit, në hamoni me njëra-tjetrën”.
Vijon nesër…
