Artistët e 25 shteteve performuan mbrëmë në natën finale të Eurovision 2022, në Torino të Italisë.
Një performancë emocionuese, pa dyshim, ishte ajo e Ukrainës, një shtet i cili aktualisht gjendet në një situatë të rëndë.
Për njohësit e kompeticionit, Ukraina ishte pa diskutim favoritja e këtij edicioni të Eurovision. Kompanitë e basteve vlerësuan se ajo kishte së paku 60% shans për të fituar festivalin.
Dhe ashtu ndodhi.
Ukraina këndoi e dymbëdhjeta në radhë dhe grupi ‘Kalush Orchestra’ nuk dështoi që të përçonte emocion te publiku me performancën e jashtëzakonshme të këngës ‘Stefania’.
Të pranishmit u ngritën në këmbë për të duartrokitur, ndërsa njëri nga pjesëtarët e grupit të Ukrainës iu drejtua të gjithëve me fjalët: “Ju lutem ndihmojeni Ukrainën, ju lutem ndihmojeni Mariupolin dhe Azovstalin.”
Ukraina e fitoi Eurovisionin edhe në vitin 2016 me këngën ‘1944’ nga Jamala, këngë e cila, për ironi, kishte të bënte me krimet e tmerrshme të ushtrisë sovjetike ndaj tatarëve të Ukrainës gjatë Luftës së Dytë.
i.b. / dita