Evazioni i frikshëm i Lojërave të Fatit

anazapta

Disa herë shtypi ka folur për abuzimet që bëhen te lojërat e fatit si dhe për punonjës në Drejtorinë e Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit, të cilët kanë denoncuar shkeljet e ndryshme.

Madje edhe vetë kryetari aktual i Bashkisë së Tiranës ka deklaruar për mbi 300 salla lojërash, të cilat nuk janë të licencuara në kryeqytet. Dhe, megjithëse janë bërë gjithë këto deklarime nga drejtues e zyrtarë të lartë ka vetëm heshtje. Kudo, në Kryeministri, Prokurori e kudo që kjo çështje është bërë me dije. Vërtet që na habit fakti se si të gjitha institucionet e shtetit heshtin për një problem që i kushton arkës së shtetit miliarda lekë në vit. Lekë të cilat nuk arkëtohen kurrë dhe shkojnë në xhepat e ndonjë personi “VIP” në vend që të shkojnë në ndihmë të qytetarit.

Redaksia e gazetës DITA ndoqi në terren këtë çështje të përhapjes së kazinove e lojërave të ndryshme të fatit dhe duket qartë se në çdo cep të Tiranës ka lojëra fati. Në çdo pëllëmbë tokë gjen mjedise të tilla, aq sa janë bërë edhe pjesë e humorit. Hymë në 4 salla lojërash të rastësishme në kryeqytet, në zona të ndryshme, të cilat kanë letra të rregullta (kontrolluam niptin të varur në një kornizë në mur). Dhe për këtë arsye vendosëm që këtë çështje ta bëjmë një objekt analize e diskutimi  me ju z.Kryeministër në largim por edhe me të tjerë: Me ju z.Ministër i Financave; Me ju z.Prokuror i Përgjithshëm; Me ju z.kryetar i Kontrollit të Lartë të Shtetit; Me ju z.kryetar I Bashkisë së Tiranës; Me ju z.kryetar i Drejtorisë së Tatimeve.

 

Salla e parë

Në rrugën “Sami Frashëri” ndodhet salla “Vegas”, e cila ka brenda në sallë 25 automate, 4 tavolina pokeri dhe një ruletë.

Taksa që kjo kazino paguan në shtet është vetëm për dhjetë makina automate. Pra, në këtë sallë nuk paguhet në shtet për 15 makina, taksa e secilës në shtet është 1 milionë lekë (pra 15 milionë). Nuk paguhet në shtet taksa 1.5 milionë lekë në muaj për 4 tavolina pokeri (pra 6 milionë) si dhe taksa e një rulete, që kushton 34 milionë lekë në muaj. Pra, në total, dëmi i shtetit nga kjo kazino është 55 milionë lekë në muaj.

 

Salla e dytë

Salla në rrugën “4 Dëshmorët” ka brenda në sallë 30 makina Apeks dhe paguan në shtet, ashtu si salla e parë, taksën vetëm për 10 makina. Pra, në këtë sallë nuk paguhet taksa në shtet 1 milionë lekë për 20 makina dhe në total shifra që i bëhen dëm buxhetit të shtetit është 20 milionë lekë në muaj.

 

Salla e tretë

Salla te rruga “Bardhyl”, te ish-markata e vjetër, janë 75 makina dhe një rulet. Në këtë sallë janë 65 makina që punojnë në të zezë dhe për secilën taksa është 1 milionë lekë (65 milionë). Ndërsa për ruletin taksa që kjo sallë duhet t’i paguajë shtetit është 10 milionë lekë në muaj si dhe 3 milionë për çdo karrige ruleti (8 ka kjo lojë). Pra, në total kjo sallë lojërash nuk i paguan shtetit 99 milionë lekë në muaj.

 

Salla e katërt

Salla te rruga “Nikolla Tupe” ka brenda në sallë 45 makina të tipit Mërkur, por vetëm për 10 makina paguhet taksa në shtet, ndërsa për 35 makinat e tjera jo, ndërkohë që secila ka taksën 1 milionë lekë. Pra, në total kjo sallë nuk i paguan shtetit 35 milionë lekë. Pra, për një muaj, në katër sallat që pamë dëmi që i bëhet buxhetit të shtetit është: 55mln+20mln+99mln+35mln=209mln (milionë) lekë! Po në 300 salla që janë në gjithë Tiranën? Po në 12 muaj të vitit? Atëherë shifra që del është marramendëse dhe askush nuk kujtohet të ndërhyjë për të evituar këtë vjedhje masive që i bëhet shtetit

 

Qytetari që luan…

Qytetarit që luan në një makinë të pacertifikuar është një lojtar që vetëm humbet. Pse? Sepse këto makina elektronike që punojnë në të zezë, janë jashtë kontrollit dhe fiksohen pa mbikqyrje. Probabiliteti për manipulime të tyre është shumë i lartë. Lojtari është i predispozuar që të humbasë. Qeveria, duke  mos i kontrolluar e certifikuar këto makineri elektronike nuk del në krah të lojtarit, siç duhet të ndodhë realisht, por në krah të biznesit, që fiton shuma marramendëse në disa mënyra. Së pari, duke mos e certifikuar makinën elektronike dhe së dyti duke e manipuluar atë në kurriz të lojtarit dhe në favor të xhepit të tij. Mos-certifikimi i makinerisë së lojës elektronike i sjell një humbje prej 1 milionë lekësh për çdo pajisje shtetit shqiptar, ndërkohë që në një sallë janë disa të tilla që punojnë në të zezë.

Analizoni humbjet që ka shteti vetëm me këto 4 salla që ne vëzhguam si gazetarë dhe do të kuptoni dëmin që i bëhet shtetit shqiptar dhe qytetarëve. Ndërsa humbja është shumë herë më e madhe po të mendosh se në gjithë kryeqytetin janë 8 mijë makina elektronike të ndryshme që janë në të zezë dhe që nuk paguajnë asnjë qindarkë. Shifra përfundimtare është e frikshme, një humbje kolosale për buxhetin e varfër të Shqipërisë, që zhytet përditë në borxhe.

Të gjithë ju që përfaqësoni një institucion në këtë ankesë që kemi bërë jeni përgjegjës dhe për këtë ndoshta një ditë do të jepni llogari. Shkresat e ankesat për këto probleme me lojërat e fatit nuk mungojnë prej vitesh në zyrat tuaja. Mjafton të lexoni shkrimin e ish-drejtorit të certifikimit në artikullin e gazetës DITA të disa ditëve më parë dhe do të kuptoni neglizhencën tuaj të qëllimshme, pasi ju i bëni një dëm kolosal shtetit shqiptar. Të vendosur në atë zyrë ju keni për detyrë të paktën të hetoni dhe të bënë detyrën tuaj, që është minimalja, secili për pjesën që i takon: Kryeprokurori të hetojë; tatimet të vjelin taksat e tatimit që duhet të paguhen në shtet; Kontrolli i Lartë i Shtetit të kontrollojë abuzimet e kryera e kështu me radhë. Merreni në shqyrtim këtë ankesë të një redaksie, e cila në pak ditë bëri  një punë dhe verifikoi një shkelje për të cilën ju keni informacion prej kohësh, por vazhdoni të heshtni.

 

Share This Article
6 Comments
  • E pershendes gazeten Dita per artikujt e shkruar sot ,si ne rastin e miliaderit Mane dhe per vezhgimin e bere ndaj lojrave te fatit. Ky eshte realiteti i sotem dhe une vazhdimishte ne komentet e mia kam theksuar se ne bote e veçanrishte ne vendet e lindjes ka lulzuar kapitalizmi “kazhino”. Sheti vete eshte ortak me firmat dhe ka kohe qe ka harruar detyrat,duke lene qytetarin dhe shoqerine ne meshire te fatit. Ne kete kaos shume njerez jane zhgenjyer nga demokracia,duke bere fajtor pa u thelluar kapitalizmin. Jo pa qellim ironikisht dikush shkroi keto dite per Ramen,duke e quajtur supermeni. Dhe vertet a do te mundet te fitoi ky supermen ndaj kapitalizmit kazhino apo ky i fundi do te mbijetoi? A do te mund Rilindja e Rames te bej trasparencen,apo kjo do te mbetet nje mjet propogande? Mbetet per tu pare.

  • Nqs do te beje nje pune te vertete sa me pare ti kepuse rrenjet ketyre metastazave te frikshme te realitetit tone te zymte…do te kete bekimin e te gjitheve…

  • E nderuar redaksi e gazetes Dita. Ne shkrimin tuaj ka nje pasaktesi te vogel. Ato automate qe jane teper paguajne ….. por diku tjeter. Ne rast se ju hetoni disi me shume do te gjeni edhe lidhjet e Zenit me kete biznes. Qe ne fillimet e veta Saliu synoi te kapte kete biznes per te birin duke rritur taksat dhe mbyllur nje sy per numrin e automateve. Shkonin njerzit e Zenit mbas qe merrnin pagesen per makinat e pa deklaruara. Ka nje sistem te thjeshte. Te gjithe automatet jane te rregjistruar ne dogane . Pse nuk pyesin se ku zhduken pasi hyjne ne Shqiperi. Ne rast se rregjistrohen jane te evidentuar. Ne rast se prishen duhet te thirren organet tatimore qe ti asgjesojne.
    Kjo eshte nje nga vjedhjet me te medha te bera ndaj shtetit dhe qytetareve ne keto 8 vjet.
    Shikoni sa te ardhura kane sjelle lojrat e fatit para 2005 dhe sa sjellin sot me taksa te rritura. As gjysmen e para vitit 2005. Ligjet ishin vetem nje menyre per tu pasuruar familja Berisha qe nepermjet te birit ka bere namin.

  • Per qeverine me kryeminister armikun e shqipetareve Sali Bisha, po e krahasoj me nje shprehje Popullore qe i rri per shtat: Po te vesh B.then guzhinjere ajo vetem m.t di te gatuaje,

  • Nuk e kuptoj sesa lehte mashtrohemi ne shqiptaret per cdo gje. Kjo eshte aq e vertete duke menduar qe ne na drejtoi per kaq vite nji i semure psikopat me emrin Sali Berisha. Fatkeqesi e madhe.

  • Të gjithë e dimë se lojrat e fatit janë në dëm të qytetarit i cili me gjykimin e vogël shkatëron ekonominë dhe bashkë me të edhe harmoninë në familje. Edhe sikur gjithëçka të jetë e rregullt shteti është i interesuar që të ketë lojra fati sepse vetë vjel fitime marramendëse Akoma më keq kur individë me influencë mashtrojnë, nuk tregojnë aktivitetin e plotë dhe përmë tepër shteti nuk kontrollon në se ka abuzim në progamimin e makinave. Duhen ndihmuar qytetarët trutharë që të ndërgjegjësohen që të mos shkojnë nëpër lojrat e fatit. Lerjani lojrat e fatit milionerëve .

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *