Evidentohet një numër incidentesh gjatë procesit të votimit në Kosovë

Edona Llukacaj

Sipas autoriteteve në Kosovë, procesi i votimit është duke u zhvilluar përgjithësisht i qetë, ndonëse incidentet nuk kanë munguar plotësisht.

Të dhënat e bëra publike nga këto autoritete  shfaqin se deri tani janë evidentuar 16 raste me 20 persona për parregullsitë të cilët lidhen me procesin zgjedhor.

Në rajonin e Prizrenit janë pesë raste me pesë persona, ku të gjithë janë të ndaluar për veprën penale “cenim i fshehtësisë së votimit”.

Në rajonin e Pejës, ka ndodhur një rast me dy persona të ndaluar për veprën penale “keqpërdorim i të drejtës së votimit”.

Në rajonin e Gjakovës, janë vërtetuar gjashtë raste kundër gjashtë personave. Pesë persona janë të ndaluar dhe një person në kërkim, për veprat penale “pengimi i procesit të votimit”, “cenim i fshehtësisë së votimit” dhe për veprën “asgjësimi i dokumenteve të votimit”.

Në rajonin e Gjilanit është vërtuar një rast me një person të ndaluar për veprën penale “parandalim i ushtrimit të së drejtës për të votuar”.

Në rajonin e Mitrovicës ka dy raste me pesë persona të ndaluar, prej të cilëve dy për veprën penale “keqpërdorim i detyrës zyrtare gjatë zgjedhjeve” si dhe tre për veprën penale “pengimi i procesit të votimit”.

Në rajonin e Ferizajt, ndërkaq, është një rast me një person të ndaluar për veprën penale “pengimi i procesit të votimit”.

Nga ana tjetër, policia e Kosovës ka konfirmuar se deri në orën 17:30, janë shoqëruar në polici shtatë persona të cilët kanë fotografuar votën gjatë procesit të votimit, ndërsa për pesë nga këto shtatë persona është caktuar masa e ndalimit prej 48-orësh.

e.ll./dita

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *