Vajzë! Më në fund vajzë. Një nga fitueset e konkursit në fushën e teknologjisë të zhvilluar nga “Albanian ICT Awards II” ishte Evis Hoxha. Nuk ndodh shpesh që një vajzë të shkëlqej në shkencat kompjuterike. Të premten, natën e ndarjes së çmimeve të klasifikuara në 5 kategori, kryeministri, i pranishëm në këtë aktivitet, e quajti: “Mbrëmja e yjeve të botës së re”. Një moment, që sipas tij, hapësira shqiptare bëhet një e vetme përmes teknologjisë së re dhe talenteve të spikatur të botës së re dixhitale, të cilët vlerësohen për shpikjet e tyre nga një juri e specializuar, sipas formatit të njohur në Europë e në Shtetet e Bashkuara.
Të parës që iu thirr emri si fituese në kategorinë “Ylli në ngritje i vitit ”, ishte ai i Evis Hoxhës. Maturantja nga Durrësi triumfoi mes kandidatëve të tjerë me projektin “Learn with me flashcards”. Evisi na shpjegoi se ky aplikacion e bën me të thjeshtë për përdoruesin krijimin dhe modifikimin e kartave. Përdoruesi ka mundësinë t’i marrë kartat dixhitale me vete kudo nëpërmjet smartphone-it të tij. Nuk është e nevojshme të mbajë një tufë me karta letre të cilat mund të jenë të bezdisshme dhe mund të humbin ose të dëmtohen. Për më tepër, aplikacioni ndihmon në menaxhimin e kohës, pasi kartat elektronike mund të shfletohen në çdo moment të ditës (në autobus, gjatë pushimeve etj).
Kushtrim Shala, njëri ndër themeluesit e “Albanian ICT Awards II” na pohoi se Hoxha është një talent absolut, e cila në të ardhmen do të shkëlqejë jo vetëm në Shqipëri, por padiskutim edhe jashtë saj. Ne e ftuam Evisin, këtë shkencëtare të ardhshme të Shqipërisë, në një bisedë me Ditën për të na treguar më shumë për pasionin e saj mbi teknologjinë, jetën përditshme dhe ambiciet që ka për të ardhmen.
Angazhimi i saj në olimpiada ka filluar që në klasë të katërt, dhe gjithmonë ka qenë fituese e medaljeve. Në gjithë këto vite ajo numëron 17 konkurse të fituara në Fizikë dhe Matematikë. Në fillim të bisedës 18-vjeçarja duke qeshur na thotë se, më të thjeshtë e ka të bëj një aplikacion android sesa të jap një intervistë. Ju njohim më shkencëtaren e re nga qyteti i Durrësit…
Evis ku jetoni dhe studioni?
Kam lindur dhe jetoj në qytetin e Durrësit. Studioj në kolegjin “Turgut Özal” në Durrës. Këtë vit jam maturante.
Si ndiheni për këtë çmim dhe çdo të thotë për ju?
Çmimi “ICT Rising Star of The Year” ( Ylli në ngritje i vitit) më bën të ndihem shumë krenare. Vlerësimi për punën e bërë është një nga gjërat që më gëzon shumë e që më bën të vazhdoj përpara. Gjej rastin të falënderoj stafin organizues të “Albanian ICT Awards” që më dha mundësinë të paraqes projektin tim dhe të njihem me personalitete të shquara të fushës së IT. Këtë eksperiencë e shoh si një hap më pranë ëndrrës sime.
Cili ishte projekti më të cilin konkurruat?
Në këtë konkurs aplikova me tre projekte: “My school assistant”, “Sunflower”, dhe “Learn with me flashcards”. Juria i vlerësoi të tre projektet dhe vendosi që të konkurroja me aplikacionin “Learn with me flashcards”.
Çfarë është ky aplikacion për të gjithë ata që nuk kanë shumë informacion mbi teknologjinë?
“Learn with me Flashcards” është një aplikacion Android i bazuar në metodën e studimit me “flashcards”. Sipas studimeve, mësimi me karta një nga teknikat më të mira që rrit mjaft efektshmërinë e të nxënit. Mënyra më e zakonshme për të krijuar flashcards është të përdorësh karta letre. Nxënësit mund të shkruajnë fjalën nga njëra anë dhe përkufizimin, shpjegimin apo shembujt nga ana tjetër. “Learn with me flashcards” krijon karta dixhitale, por ofron shumë më tepër sesa metoda tradicionale. Aplikacioni e bën me të thjeshtë për përdoruesin krijimin dhe modifikimin e kartave.
Përdoruesi ka mundësinë t’i marrë kartat dixhitale me vete kudo nëpërmjet smartphone-it të tij. Nuk është e nevojshme të mbajë një tufë me karta letre të cilat mund të jenë të bezdisshme dhe mund të humbin ose të dëmtohen. Për më tepër, aplikacioni ndihmon në menaxhimin e kohës, pasi kartat elektronike mund të shfletohen në çdo moment të ditës (në autobus, gjatë pushimeve, etj). Gjithashtu, përdoruesi mund të testojë njohuritë e tij nëpërmjet pyetësorëve.
Sa kohë u është dashur për të përgatitur këtë projekt?
Përfundimi i një projekti kërkon shumë kohë. Për përgatitjen e këtij projekti sakrifikova një muaj të pushimeve verore duke i kushtuar orë të konsiderueshme në ditë.
Aplikacione të tjera?
“My school assistant” është një aplikacion Android i përshtatshëm për smartphone dhe tablet. Disa prej funksionaliteteve të “My school assistant” janë: Orari mësimor javor, i cili tregon mësimet e çdo dite të javës, bashkë me orën e fillimit dhe të mbarimit të çdo ore. Orari mësimor ditor, i cili tregon mësimet e ditës, bashkë me orën e fillimit dhe të mbarimit të çdo ore. Mundësia e memorizimit të detyrave dhe provimeve për çdo lëndë. Ruajtja e notave të provimeve si dhe llogaritja e mesatares.
Një liste “ToDo” për detyra të veçanta. “Sunflower” është një website dedikuar të apasionuarve të shkencave. “Sunflower” është vendi ku çdo i interesuar për matematikën, fizikën, kiminë, biologjinë dhe programimin mund të gjejë veten me artikujt, kuriozitetet dhe konkurset e zhvilluara. Ky website është efektiv jo vetëm për studentët, por mund të shërbejë dhe për mësuesit të cilët përpiqen të motivojnë nxënësit e tyre.
Programi fitues, mendoni se është i aplikueshëm lehtë dhe si?
“Learn with me flashcards” është një aplikacion i kompletuar dhe ofron funksionalitete të ndryshme. Personalisht më ka ndihmuar për mësimin e fjalëve të reja gjatë përgatitjes për provimin SAT. Gjithashtu dhe shumë nga miqtë e mi e kanë përdorur për të njëjtën arsye. Ky aplikacion mund t’u vijë në ndihmë dhe personave që jetojnë në një vend të huaj. Ata mund ta përdorin aplikacionin për të shkruar fjalët e reja që mësojnë gjatë ditës. Në fund do të kishin një koleksion të fjalëve të cilat do të mund t’i shfletojnë më vonë për ti memorizuar. Në “Play Store” kam marrë shumë komente pozitive mbi lehtësinë e përdorimit dhe efektshmërinë.
Evis kjo është kupa juaj e parë? Keni marr pjesë në konkurse të tjera apo olimpiada…si keni dalë?
Po, kjo është kupa ime e parë pas shumë medaljeve dhe certifikatave. Përgjatë viteve kam marrë pjesë në olimpiada dhe konkurse ku jam vlerësuar me çmime. Angazhimi im nëpër olimpiada ka filluar që në klasë të katërt.
Cila është qasja juaj me teknologjinë dhe sa e pasionuar jeni pas saj?
Jam marrë me programim me fillimin e studimeve në kolegj, por kur kthej kokën pas arrij të kuptoj që kam qenë gjithmonë e tërhequr pas informatikës. Duket e çuditshme, por kur isha e vogël aktiviteti im i preferuar në kompjuter ishte të krijoja ‘lojëra’ me PowerPoint dhe të sajoja ‘website’ në OneNote. Që nga klasa e katërt jam marrë me matematikën, por në shkollën e mesme m’u rrit interesimi për informatikën. Një nga arsyet që programimi më tërhoqi më shumë është mbizotërimi i logjikës në çdo problemë që zgjidhja. Për më tepër, programimi më jep mundësi pafund të krijoj diçka nga vetja.
Ke menduar për studimet ku do të përqendrohen ato?
Kuptohet që dëshira ime është të studioj inxhinieri kompjuterike duke u fokusuar në software dhe web development.
Ndiheni ndryshe nga vajzat e tjera?
Po ndihem shumë ndryshe nga vajzat e tjera për sa i përket mënyrës si organizoj stilin tim, ditën time, pra jetën në përgjithësi.
Apo si ju shohin dhe vlerësojnë të tjerët?
Suksesi më ka ndjekur gjatë gjithë jetës sime. Kuptohet, bashkë me të dhe vlerësimi. Ndihem shumë mirë kur vlerësimi vjen si nga bashkëmoshatarët e mi, aq më tepër nga mësuesit e të njohurit.
Cili është projekti i radhës që jeni duke punuar?
Përgatitja për provimet e maturës e ka kufizuar kohën time. Aktualisht kam një ide në mendje, të cilën kam në plan ta projektoj dhe ta zhvilloj këtë verë.
Qëndroni shumë kohë përpara kompjuterit?
Se besoj më shumë se bashkëmoshatarët e mi që përdorin rrjete sociale.
Janë të pakta vajzat që spikasin në këtë fushë si ju bën të ndiheni ky fakt?
Unë merrem me asistimin e studentëve të shkollës sime të mesme në përgatitjen për konkurset e informatikës dhe nuk më pëlqen fakti që numri i vajzave është i vogël. Shpresoj që shembulli im të shërbejë si nxitje për vajzat që aspirojnë në fushën e bukur të informatikës. Në fjalën e tij, kryeministri propozoi të shtohej një çmim për gruan inovatore të vitit. Besoj se ishte mjaft domethënës fakti që menjëherë pas fjalës së tij në ekran u shfaq emri im.
Olimpiadat dhe konkurset ndër vite ku Evisi ka marrë pjesë
2006-2011
Fituese e olimpiadave të matematikës për qarkun Durrës.
2011-2012
Olimpiada Kombëtare e Informatikës për Qarkun e Durrësit (organizuar për klasën XII): U vlerësova me çmimin e parë.
Olimpiada Kombëtare e Matematikës për Qarkun e Durrësit: U vlerësova me çmimin e dytë.
“Informatics Stars Programming Competition” e organizuar nga Fakulteti i Inxhinierisë Kompjuterike të Universitetit Epoka: U vlerësova me çmimin e dytë.
2012-2013
Olimpiada Kombëtare e Informatikës për Qarkun e Durrësit (organizuar për klasën XII): U vlerësova me çmimin e parë.
Olimpiada Kombëtare e Matematikës për Qarkun e Durrësit: U vlerësova me çmimin e parë.
Olimpiada Kombëtare e Informatikës (organizuar për klasën XII): U vlerësova me çmimin e parë.
“Informatics Stars Programming Competition” e organizuar nga Fakulteti i Inxhinierisë Kompjuterike të Universitetit Epoka: U vlerësova me çmimin e tretë.
“Intelligent Minds Project Competition“ e organizuar nga Fakulteti i Inxhinierisë Kompjuterike të Universitetit Epoka: U vlerësova me çmimin e dytë.
ASEF 2013 (Albanian Science and Engineering Fair) – Programming category: Projekti “My school assistant” u vlerësua me medalje ari.
2013-2014
Olimpiada Kombëtare e Fizikës për Qarkun e Durrësit: U vlerësova me çmimin e parë.
Olimpiada Kombëtare e Matematikës për Qarkun e Durrësit: U vlerësova me çmimin e tretë.
Olimpiada Kombëtare e Informatikës për Qarkun e Durrësit: U vlerësova me çmimin e parë.
Olimpiada Kombëtare e Fizikës: U vlerësova me çmimin e parë.
Olimpiada Kombëtare e Informatikës: U vlerësova me çmimin e parë.
ASEF 2014 (Albanian Science and Engineering Fair) – Programming category: Projekti “Learn with me flashcards” u vlerësua me medalje ari.
ASEF 2014 (Albanian Science and Engineering Fair) – Web design category: Projekti “sunflower.co.nf” u vlerësua me medalje ari.
Çmimet
Konkursi mbarëkombëtar “Albanian ICT Awards II” tashmë është kthyer në një institucion të vlerësimit të gjithë atyre talenteve shqiptarë në sektorin e ICT-së, në promovimin dhe mbështetjen e tyre për të ecur në rrugën e bukur të inovacionit dhe kreativitetit. Pas një udhëtimi të gjatë nëpër qytetet e Shqipërisë dhe Kosovës, por edhe në institucionet akademike dhe shtetërore “Albanian ICT Awards II”, arriti të tërheqë kureshtjen dhe interesin e qindrave të rinjve, por jo vetëm, të cilët patën në dispozicion rreth dy muaj kohë për të dorëzuar aplikimet e tyre për pesë kategoritë e çmimeve.
Çmimi “Ylli në ngritje i vitit” u fitua nga Evis Hoxha. Kelvin Çobanaj, u rendit në vendin e dytë për këtë kategori, ndërsa në vendin e tretë e fitoi Frenci Rakipi.
Çmimi i Diplomës së vitit, u fitua nga Lum Zhaveli, ndërsa Klaudio Dervishaj mori çmimin e dytë dhe Erjon Paçarizi çmimin e tretë.
Çmimi “TIK”, Akademiku i vitit shkoi për profesoreshën e nderuar Kozeta Sevrani.
Çmimi “TIK”, Inovacioni i vitit shkoi për Todi Thanasin.
“TIK” Mobliteti i vitit u fitua nga Mentor Paçarada, vendi i dytë u fitua nga Besnik Rama, ndërsa në vendin e tretë për këtë çmim u shpall fitues Erion Çuni.

Evis !!!!!!!!
Te uroj te vazhdosh keshtu edhe ne te ardhmen.!
Mesiguri qe ka qene nje rruge e veshtire per ty , te vish deri ketu….!
Eshte rast i rralle , te keshe mundesine per te fituar pa hile ne Shqiperi , kete e dime te gjithe.
Shfrytezoje kete rast per te fituar edhe konkurse edhe me te rendesishme , jo vetem brenda vendit por edhe jashte tij…
Te uroj suksese te metejshme…..
Me rrespekt..!!!
Evis shpik ndonje aplikim per jete-gjatesine e baterise se celulareve –Qe me nje karikim te mbaje dy dite a me shume
…Duke shfrytezuar kombinimin e bateris se zakonshme te celularit me baterite diellore qe kane makinat llogaritese ….Dmth kur te mbaron bateria e celularit dhe nuk ke ku ta karikosh se je ne ruge .. ta karikosh me bateri diellore ,( foto celule)…
Kenaqsi te degjosh arritje te tilla.Premtuese per vehten dhe vendin,pse jo.Uroj te dije te menaxhoje drejt kapacitetin e te kthehet ne vlere e vertete.
Evis te uroj suksese gjithnje e me te medha. Ndihem shume krenare per ty.
Jam shume e gezuar qe kreativiteti dhe puna jote e palodhur u vleresuan me nje cmim kaq te rendesishem.Te uroj cdo gje te bukur ne jete. 🙂
I uroj vajzes suksese ne projektet e saj te ardhshme. 1000 here me e mire se ato laraskat e pubeve te tiranes qe flejne neper motelet e dajtit.
Ky aplikacion eshte i kopjuar, ne SHBA ka vite qe eshte vene ne perdorim…..
@Tirona
Pa tjetër që është i kopjuar, sepse si ai ka pasur në Google Store me qindra.
Ka programe që të mundësojnë të nxjerrësh “Source Code” (në shqip “Kodi burimor”, që është bërthama e një aplikacioni apk për android) nga çdo apk dhe t’i kopjosh e më pas t’i manipulosh lehtë ato. Ç’është më dëshpëruesja, është kopjuar mot-a-mot, pa u përkthyer as në shqip (ndoshta kjo ka ndodhur nga që vajza është e re dhe nuk është thelluar në studimin e gjuhës shqipe, pasi ia ka marrë kohën “shpikja” e aplikacioneve…), a thua se të rinjtë shqiptarë që do e përdorin flasin vetëm anglisht.
Ka plotë njerëz të zotë nga raca shqiptare, të cilët kanë ofruar qindra aplikacione tejet të vlefshme, por që të gjitha janë shqip, gjë që tregon se me to është bërë punë e thelluar.
Si duket kësaj vajze, – që uroj me gjithë shpirt të jetë e talentuar dhe të na nderojë, – ia kanë dhënë çmimin për kontributin në të mirë të të rinjve anglishtfolës të botës…