Moti i keq po paralizon Francën, Belgjikën, Gjermaninë dhe jugun e Britanisë së Madhe. Të paktën dy persona kanë vdekur në Bretanjë dhe Normandi të Francës, ndërsa një avion i kompanisë “Tuinsair” ka dalë jashtë piste gjatë uljes në aeroportin e Parisit, por pa shënuar viktima në 140 pasagjerët që ishin në bord
Më shumë se 68 mijë shtëpi në Bretanjë dhe Normandi të Francës kanë mbetur pa elektricitet për shkak të stuhive të dëborës që kanë goditur lindjen e vendit këto ditë. Si pasojë e dëborës së dendur, mijëra njerëz mbetën të bllokuar brenda makinave të tyre mëngjesin e së martës. Vetëm në zonën e La Manshit 600 persona qëndruan brenda makinave të tyre përgjatë natës, derisa mëngjesin e së martës 415 prej tyre u shoqëruan në salla të improvizuara në streha të emergjencës. Të gjithë trenat kanë pezulluar qarkullimin dhe shumë shkolla janë mbyllur për të shmangur daljen e fëmijëve nga shtëpitë. Një avion i linjës “Tunisair” doli jashtë piste mëngjesin e së martës, ndërkohë që po ulej në aeroportin e Orlit, në Paris, ku gjatë natës reshjet e dëborës veshën kryeqytetin. Nuk ka të plagosur nga 140 personat që ndodheshin në bordin e avionit, i cili vinte nga Djerba, duke ndaluar përbri pistës, raporton një zëdhënës i aeroportit të Parisit.
Probleme ka pasur edhe në Gjermani, ku janë anuluar 161 fluturime nga aeroporti i Frankfurtit. Edhe qarkullimi rrugor i ka pësuar kushtet e këqija të motit: kaos ka patur në autostradat rreth qytetit të Asias. Pas shenjave të para të pranverës në ditët e para të marsit, gjatë javës temperaturat janë ulur në mënyrë të ndjeshme, duke shkuar nën zero.
Edhe në Mbretërinë e Bashkuar rrugët kryesore të qyteteve jugore janë bllokuar si pasojë e rreshjeve të dendura të dëborës. Në autostradat e Suseksit dhe të Kentit, shoferët janë detyruar ta kalojnë natën brenda makinave të tyre. Gazetat britanike i kanë cilësuar si jonormale ngricat që kanë goditur Britaninë e Madhe, duke shkaktuar dhjetëra aksidente automobilistike. Raportohet se qindra shkolla në Angli dhe në Ishujt e Kanalit janë mbyllur, ashtu si edhe aeroportet e Xhersit dhe Guernseit, të cilat do të hapen të mërkurën.
Mediat belge raportojnë se reshjet e dendura të dëborës kanë përfshirë edhe Belgjikën ku 1 600 kilometra rrugë kryesore të ngrira, janë bërë burim i aksidenteve të vogla pa pasur viktima. Trenat ‘Thalys’, që lidhin Parisin me Brukselin kanë pësuar vonesa në nisjet e tyre. “Ndër zonat më të prekura figurojnë jugu dhe lindja e rajonit Uallonia, ku dëbora pritet të vazhdojë gjatë ditës”, shtuan burimet zyrtare belge.
Përgatiti: Dorina Gjuzi