Lewis Hamilton do të niset i pari në çmimin e Madh të Britanisë së Madhe. Në garën e dhjetë të Botërorit të Formula 1, britaniku ka arritur kohën më të shpejtë në provat zyrtare me një rekord prej 1 min e 29 sek.
Pranë tij në radhë të parë do të jetë shoku i skuadrës, Nico Rosberg, ndërsa në vijën e dytë pilotët e Red Bull, Max Verstapen dhe Daniel Ricciardo.
Një fundjavë jo e mirë kjo për makinën Ferrari, me Kimi Raikonen që ka arritur kohën e pestë më të mirë, duke u vendosur në radhën e tretë, i ndjekur nga piloti tjetër i “kokëkuqes” Sebastian Vettel, me kohën e gjashtë më të mirë.
Por gjermani, për shkak të ndëshkimit me pesë pozicione për modifikimin e marsheve në provat e fundit të lira, do të niset nga vendi i 11-të.
Do të jetë përsëri Mercedesi makina në krye të garës dhe të gjitha makinat e tjera do kërkojnë të parakalojnë dy pilotët e saj.
Hamilton është në avantazh pasi ndodhet në pistën e Silverston, në shtëpinë e tij, dhe rivali më i fortë i tij vazhdon të mbetet shoku i skuadrës Rosberg.
