Lewis Hamilton ka shkëlqyer sot në pistën e Monza, duke fituar garën e Çmimit të Madh të Italisë në Formula 1, suksesi i 6-të sezonal për pilotin e Mercedes (59 në karrierë), që zhvilloi një garë solidare, i pashqetësuar nga rivalët. Një triumf i lehtë dhe i merituar i pilotit britanik, që përfiton edhe nga fakti që Sebastian Vettel u rendit i treti, për të marrë kreun e renditjes së Botërorit.
Një fundjavë fantastike për Hamilton, që 24 orë pasi vendosi rekordin e “pole position” në Formula 1 (69), arrin të realizojë edhe përmbysjen e renditjes, të cilën e synonte para kësaj gare. Në vendin e dytë u rendit Valtteri Bottas me Mercedes dhe në të tretin Sebastian Vettel me Ferrari, që u ngjitën në podium.
Asnjë surprizë në startin e garës, me Hamilton që ruan kreun, Ocon parakalon Stroll në kthesën e parë, ndërsa Bottas e Raikkonen nisin një sfidë të fortë mes tyre në xhiron e parë. Është piloti i Mercedes ai që bëhet protagonist në pjesën e parë të garës, që parakalon në pak xhiro Raikkonen, Stroll dhe Ocon, duke u ngjitur në vendin e dytë.
“Zgjohet” edhe Vettel, që ashtu si Bottas parakalon këtë treshe pilotësh që kishte para tij dhe ngjitet në vendin e tretë. Por ky është maksimumi, pasi Ferrari i tij e ka të pamundur të rivalizojë dhe të ndjekë ritmin e Mercedes, shkëputur 20 sekonda, me Hamilton që garon i qetë në krye të renditjes. Madje as Bottas nuk është në gjendje të kapë shokun e skuadrës.
Në zonën e pikëve, nga vendi i gjashtë në të dhjetin, sot u klasifikuan Ocon (Force India), Stroll e Massa me Williams, Perez (Force India) e Verstappen (Red Bull). Kështu, Lewis Hamilton arrin një fitore të merituar në pistën më të shpejtë të Botërorit, në një klasike siç është ajo e Monza, por që mbeti një garë që nuk dhuroi shumë emocione.
Por më e rëndësishmja për britanikun është ngjitja në krye të renditjes, në kuotën e 238 pikëve, 3 më shumë se Vettel, duke arritu të realizojë “parakalimin” më të rëndësishëm të këtij sezoni. Garat në Europë përfunduan sot dhe Botërori i Formula 1 tani spostohet në Singapor, pas dy javësh (17 shtator).
