FA ndërtojnë urën për 5 mijë banorë në Ungrej të Lezhës

Elton Tafaruci

Forcat e Armatosura të Shqipërisë kanë përfunduar ndërtimin e një ure “bailey” në fshatin Ungrej të Bashkisë së Lezhës.

Në inaugurimin e kësaj ure ishte e pranishme edhe ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli, e cila shoqërohej nga deputetët e Komisionit Parlamentar të Sigurisë dhe prefekti i Lezhës.

Pasi përmendi kontributin e Forcave të Armatosura në rastet e emergjencave civile, ministrja Kodheli foli për rëndësinë që ka ndërtimi i kësaj ure për banorët e kësaj zone.

“FA kanë qenë në krye te punëve duke filluar që nga zjarret e pamundura për t’u shuar me mjetet e tjera civile, duke vazhduar me ndërtimin e urave. Kjo urë lidh as më shumë e as më pak, por plot 9 fshatra”, tha ajo duke falenderuar punën e xhenierëve të FA-së dhe duke garantuar gjithashtu mbështetjen e saj për Bashkinë e Lezhës, por edhe për bashkitë e tjera të vendit.

“Një falenderim i veçantë shkon padyshim gjithë repartit Xhenio, i cili dhe në kushte kaq të vështira dhe në lartësi kaq të madhe, ka mundësuar në një kohë rekord bërjen e kësaj ure. E di që nuk është e thjeshtë të vihet deri këtu. Duhen disa orë. Dhe shpresoj që të jemi këtu pranë, për të përballuar çdo nevojë që ju keni, qofshin këto në kushte të vështira. Kushte të emergjencës, qofshin këto edhe në kushte jo emergjente, por të domosdoshme dhe të nevojshme”, tha Kodheli.

Në cilësinë e përfaqësuesit të Komisionit Parlamentar të Sigurisë, deputeti Pirro Lutaj tha se bashkë me dy kolegët e tij z. Xhemal Qefalia dhe Arben Çuko, kanë ardhur “për të parë atë që debatohet në komision dhe për të parë me sytë tanë se vlerat monetare që Parlamenti, që qeveria i akordon Ministrisë së Mbrojtjes shkojnë për rritjen e elementëve të sigurisë në vend”, tha ai duke vlerësuar punën e FA-së, jo vetëm në Qarkun e Lezhës, por në të gjithë vendin.

Ura “bailey” e ndërtuar nga FA në fshatin Ungrej të Lezhës është e gjatë 27 m dhe ka një peshëmbajtje prej 10 ton. Ajo u shërben fshatrave Kalivaç, Gjokëbardhaj, Zimaj, Kashnjet, Rracaj, Sukaxhi të Lezhës, fshatit Gomsiqe të Pukës dhe lidhet me Njësinë Administrative Vig-Mnelë të Vaut të Dejës.

Share This Article
1 Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *