Mes debatit të vazhdueshëm mbi efektet që mediat sociale kanë tek adoleshentët dhe fëmijët, një nënë nga Connecticut, SHBA, ngriti një padi muajin e kaluar kundër Metës dhe SnapChat, platforma të cilat i akuzon se shkaktuan vdekjen tragjike të vajzës së saj 11-vjeçare.
Në padi, mamaja Tammy Rodriguez pretendon se “dizajni me defekt, neglizhenca dhe tiparet e rrezikshme, të paarsyeshme” të produkteve të Meta dhe Snap bënë që vajza e saj, Selena Rodriguez, të vetëvritej korrikun e kaluar.
Padia për vdekje e paraqitur më 20 janar në Gjykatën e San Franciskos pretendon se Selena pësoi “dëmtim të rëndë mendor, që çoi në lëndim fizik”, nga përdorimi i platformave të mediave sociale.
“Ne po padisim Meta Platforms Inc. dhe Snap Inc. për dizajnimin e një algoritmi që krijon varësi për fëmijët,” tha avokati i çështjes.
Sipas dokumenteve të gjykatës, para vetëvrasjes së saj, Selena kishte luftuar për më shumë se dy vjet me varësi nga Instagram dhe Snapchat dhe ishte shtruar në spital për kujdes urgjent psikiatrik për shkak të vetëvlerësimit të dobët dhe depresionit.
Tammy është shprehur se vajza e saj bëhej e dhunshme kur përpiqej t’i merrte telefonin. Në një rast, varësia e Selenës çoi në një grindje me motrën e saj më të madhe, Destiny, zënkë që u mbyll me hundën e thyer të Destiny.
“Padyshim që vumë re se ajo ndaloi së bashkëvepruari me ne, ajo ishte shumë e vetmuar dhe donte vetëm të rrinte në telefon”, tha Destiny. “Unë mendoj se ajo u bë e varur nga ajo.”
Selena sipas ankesës ligjore kishte kërkuar mbrojtje për përmbajtje seksuale shfrytëzuese dhe akte jo të përshtatshme në shumë raste nga përdorues të rritur meshkuj.
Një zëdhënës i Metës tha gjithashtu: “Mendimet tona janë me familjet e prekura nga këto çështje të vështira. Duke qenë se kjo është një çështje ligjore në vazhdim, ne nuk mund të komentojmë më tej në këtë moment.”
a.m/dita