Ekskluzive / Gjyqi kundër Koçi Xoxes e 4 bashkëpunëtorëve. Dëshmia e Fadil Paçramit lidhur me reagimin e diplomatëve jugosllavë pas vetëvrasjes së Nako Spiros, lidhjet e të pandehurit Nuri Huta me Mirko Çukoviqin dhe skenari i jugosllavëve për eliminimin e Mehmet Shehut nga drejtimi i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë.
Dëshmitari Paçrami: Shkak, një artikull i Mehmet Shehut ku në të nuk përmendej fare aleanca dhe miqësia Shqipëri-Jugosllavi. Zbuluesi jugosllav Mirko Çukoviqi i dha të pandehurit Nuri Huta skenarin e eliminimit të Mehmetit nga Shtatmadhoria e ushtrisë!
(Vijon nga numri i kaluar)
Në seancën e 9 të gjyqit kundër Koçi Xoxes e bashkëpunëtorëve të tij të akuzuar si pjesëtarë të grupit armiqësor-trockist, dëshmon funksionari i lartë Fadil Paçrami. Koçi Xoxe mori urdhër nga jugosllavët për të eliminuar nga udhëheqja Mehmet Shehun. Shkak ishte një artikull i Mehmet Shehut ku në ‘të nuk përmendej fare aleanca dhe miqësia Shqipëri-Jugosllavi. Zbuluesi jugosllav Mirko Çukoviqi i dha skenarin e eliminimit të Mehmetit nga Shtatmadhoria e ushtrisë, të pandehurit Nuri Huta!” – dëshmon Paçrami mes të tjerave në këtë seancë…
Prokurori(Bedri Spahiu): -Vazhdojmë seancën e 9-të me pyetjen e të pandehurit Nuri Huta. Kishe ti i pandehur autorizim që të bisedoje me gjithë këto probleme me jugosllavët?
Nuri Huta:- Kisha autorizim nga gjithë shokët që për çështje të shoqërisë (Lidhjes Kulturore Shqipëri-Jugosllavi) të bisedoja me jugosllavët.
Prokurori:- Çfarë të kanë folur jugosllavët për udhëheqësit?
Nuri Huta:- Mirko Çukoviqi më ka thënë një herë, si me të qeshur, se fjalimit që kishte mbajtur Nako Spiro, i mungonte një “nuk” përpara.
Prokurori:- Ja the ti këtë gjë Nakos?
Nuri Huta:- Jo, nuk ja thashë.
Prokurori:- Pas vrasjes së Nako Spiros, çfarë të kanë thënë?
Nuri Huta:- Pas vrasjes së Nako Spiros, Çukoviqi më tha se historia është më e fortë se njerëzit dhe se Nako Spiro nuk qe i zoti të bënte një autokritikë.
Prokurori:- Po për ndonjë udhëheqës tjetër, ç’të kanë thënë?
Nuri Huta:- Më ka thënë Mirko edhe për fjalimin e shokut Mehmet Shehu se si nuk përmendej fare aleanca me Jugosllavinë.
Prokurori:- Ti ishe dakord me të gjitha ato që thoshin jugosllavët? Ke vajtur në dreka dhe në darka tek ata?
Nuri Huta:- Kur më kanë ftuar për dreka dhe për darka, kam vajtur… Nja 2-3 herë kam vajtur tek Çukoviqi… Disa herë kam qenë me Misto Treskën dhe një herë me Niko Oparin.
Prokurori:- A ke vajtur tek Gjergja i ftuar dhe çfarë ke biseduar?
Nuri Huta:- Kam qenë… Dhe një herë kam qenë i ftuar, me gruan. Në këtë kohë Gjergja ishte kthyer nga Amerika e biseduam për çështje sporti e gjera të ndryshme pa rëndësi…
Prokurori:- Po për çështjen e disa bursave nuk biseduat gjë dhe a nuk ka qenë edhe Niko Opari aty?
Nuri Huta:- Për çështjen e bursave nuk kam biseduar ndonjë herë me Gjergjën dhe Niko Opari nuk ka qenë me mua përveç rastit që përmenda kur ishim të ftuar.
Prokurori:- Po për punën tënde në Agjit-Prop dhe për reformën arsimore a ke biseduar me Gjergjën?
Nuri Huta:- Për reformën arsimore nuk më ka thënë gjë Gjergja. As për punën e Agjit-Propit nuk kam biseduar me ‘të.
Prokurori:- Në Komisionin e Agjit-Prop-it çfarë diskutimesh bënit ju dhe çfarë keni shtruar atje?
Nuri Huta:- Në Komision kemi biseduar për çështjen e teksteve. Pikëpamja ime ishte që të shqyrtoheshin mirë këto tekste se kishin gabime. Kishte aty gjëra të shtrembra si për shembull se Bashkimi Sovjetik ka posedimente, në Antologji për shembull kishte pjesë të shumta të Fishtës. Dhe unë isha i mendimit që të hiqeshin këto pjesë të Fishtës dhe për këtë besoj kisha të drejtë se edhe shoku Komandant (Enver Hoxha) e kishte demaskuar Fishtën si shkrimtar shovinist.
Prokurori:- Nga ishte marrë reforma arsimore e bërë prej nesh dhe pse kapeshe ti vetëm me çështjen e teksteve?
Nuri Huta:- Reforma arsimore ishte marrë nga Bashkimi Sovjetik, e ne u kapëm për tekstet e jo për vetë reformën. Këto çështje i shtroi Fadil Paçrami, pasi ai ishte dhe Zëvendësministër i Arsimit dhe shtronte planin e punës. Bile, për punën e teksteve, vetë shoqja Liri Belishova kishte sjellë një tekst të shkollës fillore të cilin edhe vetë nxënësit e refuzonin.
Prokurori:- Di ti për ndonjë grindje ndërmjet Çukoviqit dhe Fadil Paçramit ose ndërmjet këtij dhe Gjergjës?
Nuri Huta:- Nuk di gjë për grindje ndërmjet Fadilit dhe Çukoviqit ose me Gjergjën.
Prokurori:- Ke qenë ti tek Gjergja me Niko Oparin?
Nuri Huta:- Me Nikon nuk kam qenë tek Gjergja. Unë s’jam agjent.
Prokurori:- Pse akuzohesh si i tillë?
Nuri Huta:- Në fillim, kur jam arrestuar, nuk më është bërë ndonjë akuzë. Pastaj më thanë se isha pjesëtar në grupin trockist. Agjent as kam qenë dhe as jam.
Prokurori:- Prokuroria ka fakte se ti ke biseduar gjëra të jashtëzakonshme me jugosllavët. Ti ke ditur gjëra që as anëtarët e Komitetit Central nuk i dinin dhe vetëm një agjent si ti mund t’i merrte nga jugosllavët dhe t’i përhapte.
Nuri Huta:- Nuk kam biseduar gjëra të jashtëzakonshme me jugosllavët dhe as kam marrë e as kam përhapur gjëra që të kenë thënë ata.
Prokurori:- Kërkojmë që të thirren si dëshmitarë këta: Fadil Paçrami, Vandush Vinçani dhe Sotir Papuli të cilët do të deponojnë rreth aktivitetit të të pandehurit në bashkëpunim me jugosllavët.
(Ndërhynë Kryetari i Gjykatës Frederik Nosi, e komunikon vendimin për thirrjen e dëshmitarëve. I pari është dëshmitari Fadil Paçrami)
Fadil Paçrami (Dëshmitar. Vjeç 25, nga Shkodra, banues në Tiranë, me profesion gazetar):- Aktiviteti i të pandehurit Nuri Huta fillon nga viti 1946. E kam njohur në Komisionin e Agjit-Prop-it dhe që në ditën e parë kam pasur grindje e mosmarrëveshje me këtë. Ky mund të thotë se ato ishin grindje të vogla midis nesh, por unë dua të theksoj se këto mosmarrëveshje ishin në teren politik dhe këtij nuk i pëlqeu fare ardhja ime në Komisionin e Agjit-Prop-it. Puna është se jugosllavët këtë e kishin agjent dhe se ata nuk më donin mua atje në Komision. Në shtator të vitit 1946 bëhet inaugurimi i shtëpisë së Lidhjes Kulturore me Jugosllavinë. Nuri Huta merr fjalën atje dhe ngre çështje të arsimit dhe të kulturës. Pas dy ditësh botohet një artikull në gazetën ‘Bashkimi’ i shkruar nga Nuri Huta por pa nënshkrim. Dhe në këtë artikull goditej Ministria e Arsimit në lidhje me çështjen e disa bursave dhe thoshte në këtë artikull se akordimi i bursave duhet të bëhet me kriterin e besnikërisë se atyre që përfitojnë kundrejt Jugosllavisë. Po në këtë artikull goditej edhe Dega e Kuadrit pranë Komitetit Central, domethënë sektori i Koçi Xoxes. Sigurisht, kjo i shkau pa dashje. Por sigurisht, unë nga kjo nxjerrë konkluzionin se po ta bënte dikush tjetër këtë kritikë, kush e di se çfarë do të pësonte. Por e bëri i pandehuri që kishte përkrahje dhe prandaj nuk pësoi asgjë.
Në komisionin e Agjit-Prop-it, i pandehuri Nuri Huta godiste reformën tonë arsimore. Ky mori pretekst se në disa tekste(Abetare) të shkollave fillore kishte klishe në formë si letra bixhozi. Por e vërteta është se në këtë rast goditej vetë reforma arsimore që ishte marrë nga sovjetikët. Dhe kjo gjë nuk u pëlqente jugosllavëve. Kjo bëhet mandej një gjë e madhe dhe e lidhin me optimizmin dhe vete puna gjer në Byro. Dhe Koçi më thërret mua e më thotë se kjo gjë duhet mbyllur.
Pastaj ky, i pandehuri Nuri Huta, fillon një seri goditjesh të tjera. Sulmon shokun Tuk Jakova sepse në Plenumin e Sindikatës nuk kishte thënë gjë për jugosllavët dhe se kishte disa gjëra të shtrembëruara. Unë i thash të pandehurit, të paktën të mos përdorte emra, por ky e vuri emrin e shokut Tuk Jakova në atë artikull.
Pastaj erdhi një delegacion nga Jugosllavia për të nënshkruar një marrëveshje kulturore me vendin tonë. Marrëveshjen e arritur, në bazë të udhëzimeve të Ministrisë së Punëve të Jashtme, ne kishim vendosur që të mos e botojmë. Por i pandehuri Nuri Huta insistonte se duhej botuar teksti i kësaj marrëveshje sepse vjen nga lart.
Pastaj ky, i pandehuri, ngre në Komisionin e Agjit-Prop-it çështjen në lidhje me një artikull të Mehmet Shehut mbi ushtrinë. Ky artikull nuk u kishte pëlqyer jugosllavëve sepse nuk bënte fjalë për aleancën me Jugosllavinë. Dhe i pandehuri Nuri Huta kritikonte këtë artikull të shokut Mehmet Shehu duke thënë se është shabllon. Insistonte që Komisioni i Agjit-Prop-it të pranonte se ishte gabim.
Kur u kthye delegacioni shqiptar nga Moska, i pandehuri Nuri Huta thoshte se nuk tregohen gjëra të reja. Pastaj pyeste pse të thuhet Enver-Stalin dhe jo siç thuhej më parë Enver-Tito-Stalin. Dhe pastaj thoshte pse nuk ecet në bazë të rezolucionit të Plenumit Special, pse nuk del ky Plenum në dritë, etj… Puna ishte se ku i dinte i pandehuri këto, nga ç’ burim i merrte. Unë kam konstatuar se në Komision ky sillte pikëpamjet e Legatës Jugosllave. Kur thoshte kështu i pandehuri, ka qenë prezent edhe Koçi Xoxe dhe përmende se kjo ishte pikëpamje e Nakos.
Kryetari(Frederik Nosi):– Ç’keni për të thënë për këto, i pandehuri Koçi Xoxe?
Koçi Xoxe:- Nuk mbaj mend.
Fadil Paçrami: Edhe çështjen e planit autarkik e ka thënë i pandehuri Nuri Huta. Unë atëherë merrja pjesë në Byro dhe nuk dija gjë për planin autarkik. Dhe ky bisedonte për këto çështje, ç’ka do të thoshte se i dinte para meje. Prandaj, i pandehuri shprehte disa parulla si për shembull “Rruga për në Moskë kalon nga Beogradi”, etj… Dhe kur unë i thashë që këto gjëra të mos botohen, ky m’u përgjigj: Ka njerëz që nuk i pëlqejnë këto gjëra, por populli i do, e ata që nuk i pëlqejnë këta gjëra, janë njerëz të Nako Spiros e Mehmet Shehut. Zllatiçi prej më se një muaj mungonte nga Tirana dhe unë, me gjithë se isha në Byro këtë gjë nuk e dija, kurse i pandehuri këtë gjë e dinte… Dhe e dinte edhe përse ka ikur. Dhe më pyeste mua përse Nako Spiro ka thënë mua se mund të dalim me një plan edhe pa ndihmën e Jugosllavisë. Qëndrimi i tij ka qenë gjithnjë provokator. Ky shpesh herë thoshte se kuadrot duhet të njihen për besnikërinë e tyre ndaj Jugosllavisë dhe në këtë rast përmendte edhe Behar Shtyllën, të cilin e quante anti-jugosllav.
(Vijon nesër)
Përgatiti: Kujtim Boriçi
NESËR DO TË LEXONI:
-Dëshminë e Fadil Paçramit: Debati im me të pandehurin Nuri Huta në Ministrinë e Arsimit në prezencë të jugosllavit Mirko Çukoviq lidhur me kundërshtinë e preferencave mes Jugosllavisë e Rusisë.
-Dëshminë e Vandush Vinçanit: Kënaqësia që ndjen i pandehuri Xoçi Xoxe e bashkëpunëtorët pas vetëvrasjes së Nako Spiros dhe mesazhi i jugosllavëve për kundërshtarët e tjerë të vijës së tyre në Shqipëri.
-Dëshmia e gazetarit Sotir Papuli: Si e kthyen të pandehurit Agjit-Prop-in në një institucion që diktonte politikën skllavëruese të Titos për Shqipërinë e shqiptarët.
Lexova me kujdes kete artikull, po me perjashtim te titullit, asgje tjeter nuk provonte se kerkohej eliminimi i M. Shehut.