Në kuadrin e botimeve nga fusha e studimeve letrare, këto ditë doli nga shtypi punimi monografik, “Faik Ballanca – Paradigmat e një krijimtarie”, i studiuesit të letërsisë pranë Institutit të Gjuhës dhe Letërsisë pranë Qendrës së Studimeve Albanologjike, prof.as.dr. Spiro Gjoni.
Në këtë studim prej gati 200 faqesh kemi ndoshta përpjekjen e parë të vështrimit, analizës dhe vlerësimit të veprës letrare të Faik Ballancës, këtij krijuesi të talentuar, që fati i keq ia ndërpreu jo vetëm jetën, por edhe krijimtarinë në periudhën më të mirë.
Autori ka bërë një vështrim të kujdesshëm dhe të detajuar, si të jetë ashtu edhe të veprës së shkrimtarit, duke i konsideruar ato të lidhura pazgjidhmërisht, edhe pse ekziston një disproporcion përmbajtësor i tyre, në raport me njëra-tjetrën. Për të qenë më të saktë dhe më të qartë, do të vinim në dukje se për autorin dhe vetë realitetin, ku Faiku jetoi pak, por brenda kësaj kohe të shkurtër (vetëm 32-vjeçare), ai krijoi shumë. Ktë fakt tepër domethënës autori i studimit e shpreh më së miri teksa shkruan: “…brenda një periudhe 15-vjeçare, duke e llogaritur që nga viti i botimit të tregimit të tij të parë (1963), nxori në dritë 10 vëllime në prozë, mes të cilëve edhe një roman”.
Një pohim i tillë nuk do të kishte ndonjë vlerë të madhe apo të veçantë nëse do të mbetej thjeshtë një konstatim në planin sasior të krijimtarisë së Ballancës. Por vëmendjen e studiuesit, dhe në këtë kontekst, synimi i tij, shkojnë përtej këtij pohimi, duke depërtuar nëpër faqet e krijimeve të Ballancës, nëpër subjektet e tyre, duke analizuar problematikën dhe elementët artistikë, si në tregimet ashtu edhe në novelat dhe romanin e tij.
Studiuesi gjithçka në këtë punim e ka përcjellë nëpërmjet një trajtimi të thjeshtë, por jo të mangët në pretendimet e tij profesionale, gjë që manifestohet jo vetëm në strukturimin tejet funksional të materialit që merr në studim, por edhe në analizën dhe paraqitjen sa më shkencore të tij. Kjo vihet re, krahas saktësisë në pasqyrimin e fakteve jetësore edhe në përdorimin e një terminologjie shkencore në përshtatje me karakterin e studimit dhe problematikës që trajtohet. Një veçori e tillë spikat që me titullin me të cilin studiuesi na e prezanton librin e tij.
Vërtet krijimtaria e Ballancës është një tërësi paradigmash, madje përtej perceptimit të ngushtë si modele strukturash kompozicionale apo zgjidhjesh stilistike, sepse, krahas tyre, në krijimtarinë e tij gjejmë edhe një larmi paradigmash të llojeve letrare (tregim, reportazh, novelë dhe roman).
Duke lexuar me kujdes punimin e studiuesit S. Djoni bindemi për qëllimin që ai i ka vënë vetes” risjelljen në vëmendjen e lexuesve të një autori të talentuar dhe vlerësimin në elementët më sinjifikativë të veprës së tij të madhe, por edhe të vogël njëkohësisht, siç e cilëson studiuesi, i cili e krahason atë me floririn, që, siç thotë populli, është i vogël, por e ka vlerën të madhe.
Libri sjell fakte interesante nga jeta e Ballancës, e cila, edhe pse e shkurtër, ishte tepër e gjallë dhe aktive, e mbushur plot ngjarje mbresëlënëse, të cilat, pasioni, talenti dhe puna e palodhur e shkrimtarit i kthen në vlera artistike. Ajo që e shquan veprën e këtij autori dhe të cilën studiuesi e ka veçuar si një element të veçantë të krijimtarisë së tij, është “rendja” jo pas ngjarjeve të rralla dhe të jashtëzakonshme apo personazheve idealë, por të thjeshtës, të rëndomtës, të padukshmes, ku ai gjithmonë gjente të bukurën, të moralshmen, madhështoren, pse jo edhe të shëmtuarën dhe negativen, me pak fjalë, njerëzoren në forma të ndryshme të shfaqjes së saj.
Studiuesi i zbulon këto cilësi të krijimtarisë së Ballancës si në tregimet ashtu edhe në novelat e tij dhe, në mënyrë më të plotë e më mjeshtërore në romanin e vetëm të tij me atë titull sa romantik aq edhe interesant, “Nomeja e largët”.
Me një synim të qartë, në një nga kapitujt e librit nën titullin “Në vend të përfundimeve” studiuesi evidenton qartë ato veti dhe cilësi për të cilat Faik Balanca është lexuar dhe do të lexohet me interes sot dhe në të ardhmen.
