U mbahet gati gjysma e parave Osmanit e Hysës, pezullohen tre muaj dhe do të stërviten me të rinjtë. Gjobiten edhe të gjithë lojtarët e tjerë
Vllaznia ka zbuluar “fajtorët” për sezonin skandaloz të zhvilluar deri tani dhe ka marrë masa ndëshkimore të rënda për katër lojtarë, dy prej të cilëve edhe me pezullim përveç gjobave. Tefik Osmani dhe Vilfor Hysa do të pezullohen për tre muaj nga skuadra e parë dhe gjatë kësaj kohe do të stërviten me skuadrën U-19 të klubit. Veç kësaj, secilit do t’i mbahet 45 për qind e shumës së parashikuar në kontratën me klubin. Ilir Nallbani dhe Halim Begaj janë gjobitur me 35 për qind të shumës së kontratës, ndërsa gjithë futbollistët e tjerë janë gjobitur me një pagë e gjysmë mujore. Vendimi është marrë nga administratori i klubit kuqeblu, Fatos Gjyrezi, dhe është publikuar në faqen zyrtare të Vllaznisë në internet. Në vendim thuhet edhe se për stafin teknik do të ketë një vendim të mëvonshëm.
Është e qartë se, pas daljes nga objektivat, për titullin kampion apo Kupën e Shqipërisë, Vllaznia kërkon të ulë sadopak shpenzimet e mëdha që bëri në prag të sezonit, me qëllim fitimin e trofeve. Në këtë mënyrë, Gjyrezi u ka rënë me “sëpatë” të ardhurve gjatë merkatos së fundit, duke u mbajtur paratë. Në dukje gjithçka është bërë në bazë të ligjeve, sepse Gjyrezi shprehet se masat kanë ardhur sipas asaj çka është parashikuar në kontratat që çdo lojtar ka me klubin. Por, teksa ka bërë të ditur këtë gjë dhe pasi ka sqaruar se e ka kompetencën për të marrë masa ndëshkimore si administrator i klubit, Gjyrezi nuk e ka parë të arsyeshme të bëjë të ditur motivacionin e ndëshkimit për çdo lojtar me radhë. Shkak i dënimeve është “performanca e dobët” në fushë gjatë ndeshjeve, por ky është një term shumë i përgjithshëm e që mbi të gjitha lë vend për një diapazon të gjerë interpretimi. Për më tepër, është anashkaluar institucioni i trajnerit, i cili është kompetenti për të bërë analizën dhe vënë notën e çdo lojtari për atë çka ka dhënë në fushë. Gjobat dhe përjashtimet për “paraqitje të dobët” në fushë, madje edhe pak ditë apo javë pas fillimit të sezonit, janë një praktikë që zbatohet gjerësisht në Shqipëri, ku presidentët bëjnë kompetentin vetëm e vetëm që të mos paguajnë detyrimet financiare kundrejt lojtarëve, gjë që tani po e bën edhe Vllaznia, pasi ka dështuar të tregojë zotësi në fushë.