Në vijim të publikimit të materialeve të dosjes gjyqësore të asaj që ka hyrë në historinë e gjyqeve komuniste si
“gjyqi i grupit të sabotimit në fushën e Ekonomisë”, DITA boton sot seancën e marrjes ën pyetje të njërit prej katër
të arrestuarve, Koço Theodhosit. Në këtë numër dhe në vijim mund të lexoni faksimilet origjinale dhe tekstin e
plotë të pyetjeve-përgjigjeve të hetuesit Elham Gjika me të pandehurin Theodhosi.
PROCES – VERBAL
Në Tiranë më 6.9.1975
Unë, Elham Gjika, hetues në Ministrinë e Punëve të Brendshme, me pjesmarrjen e Prokurorit të Përgjithshëm shokut Dhori Panariti, mora në pyetje të arrestuarin Koço Theodhosi, për të njoftuar vendimin e marrjes të pandehurit për krimet që ka kryer.
Pyetje: Vendimi që lexuat është ai i marrjes si të pandehur, në bazë të të cilit akuzohesh se si pjesëtar i një organizate kriminale, ke sabotuar rëndë ekonominë popullore, duke synuar në minimin e industrisë, ekonomisë bujqësore, transportit, tregtisë, etj. Si dhe veprimtarisë shtetërore për përmbysjen e pushtetit popullor. Gjithashtu akuzohesh se ke kryer edhe krimin e agjitacionit e propagandës armiqësore kundër pushtetit popullor. Këto vepra kriminale që ke kryer parashikohen nga nenet 72 e 73/II në kombinim me nenin 76 të Kodit Penal.
Na jepni shpjegime nëse i kuptuat akuzat që u njoftuam dhe ç’kini për të thënë rreth tyre.
Përgjigje: Vendimin e lexova dhe e kuptova. Akuzat që më komunikohen, unë nuk i pranoj, sepse unë nuk kam bërë veprimtari armiqësore sabotuese. Unë e ndjej veten fajtor për gabime të ndryshme që kam bërë në punë si për çështjen se nuk kam zbatuar siç thoshte Partia luftën kundër burokratizmit, nuk kam zbatuar simbas direktivave të Partisë çështjen e vijës së masave, kam drejtuar në mënyrë teknokratike sektorët e punës që kasha nën vartësi duke mos i kontrolluar sa duhet, kjo sidomos në sektorin e naftës dhe të gjitha këto veprimtari të mija, kanë bërë që të dëmtohet puna e Partisë në drejtimet që përmenda më lartë.
Tjetër gjë nuk kam për të thënë.
Proces – Verbalin e lexova, thënijet e mija janë shkruar drejt dhe e firmos.
I PANDEHURI PROKURORI I PËRGJITHSHËM HETUESI
/KOÇO THEODHOSI/ /DHORI PANARITI/ /ELHAM GJIKA/
PROCES – VERBAL
Në Tiranë më 10.9.1975
Unë, Elham Gjika, hetues në Ministrinë e Punëve të Brendshme, marr në pyetje të pandehurin Koço Theodhosi.
Pyetje: Ti i pandehur ke kryer veprimtari armiqësore sabotuese në fushën e ekonomisë dhe të organizmit shtetëror, për të cilën ke pranuar në mbledhjet e Plenumit të KQ e të tjera. Na jepni shpjegime të hollësishme.
Përgjigje: Unë nuk kam kryer veprimtari armiqësore sabotuese në fushën e ekonomisë dhe as në organizimin shtetëror. Unë nuk kam pranuar në asnjë mbledhje që të kem kryer veprimtari sabotuese në fushën e ekonomisë apo në organizimin shtetëror. Unë si ish Ministër i Industrisë dhe Minierave kam bërë gabime të rënda sepse nuk kam zbatuar si duhet direktivat e Partisë për vijën e masave, për luftën kundër burokratizmit e teknokratizmit, duke u mbështetur më shumë se sa duhet tek specialistët, në ndonjë rast nuk kam zhvilluar luftën e klasave simbas direktivave të Partisë dhe të gjitha këto kanë dëmtuar punën e Partisë sidomos në Drejtorin e Naftës dhe kanë lënë shteg që Lipe Nashi, Beqir Alija dhe Piro Gushua të kryenin sabotime të rënda në zhvillimin e kërkimeve të naftës për zbulimin e vend burimeve të ndryshme simbas planit.
Pyetje: Sipas teje ku ka konsistuar kjo veprimtari armiqësore dhe që kur e keni filluar?
Përgjigje: Veprimtari armiqësore unë nuk njof. Unë njoh gabimet e rënda që kam bërë dhe që përmenda më lart. Gabimet e mija më të theksuara kanë qenë gjatë viteve 1973-1974.
Pyetje: Në kuadrin e kësaj veprimtarie armiqësore sabotuese, ti i pandehur, në bashkëpunim me armiq të tjerë ke kryer sabotime të rënda në sektorin e naftës. Na jepni shpjegime për këtë çështje?
Përgjigje: Unë nuk kam kryer sabotime në sektorin e naftës, as vetëm, as në bashkëpunim me persona të tjerë.
Pyetje: Veprimtaria e thellë armiqësore që ti i pandehur ke kryer kundër Partisë dhe Pushtetit popullor është shtrirë edhe në fushën e mbrojtjes së vendit. Ç’ke për të thënë lidhur me këtë?
Përgjigje: Unë nuk kam bërë veprimtari armiqësore që të jetë shtrirë edhe në fushën e mbrojtjes së vendit.
Proces – Verbalin e lexova. Thënijet e mija janë shkruar drejt dhe e firmos.
I PANDEHURI HETUESI
/KOÇO THEODHOSI/ /ELHAM GJIKA/
PROCES – VERBAL
Në Tiranë më 24.9.1974
Unë, Elham Gjika hetues në Ministrinë e Punëve të Brendshme, marr në pyetje të pandehurin Koço Theodhosi.
Pyetje: Na tregoni i pandehur nëse keni patur rezerva ndaj vijës politike të Partisë dhe nëqoftëse po, në cilat drejtime më konkretisht?
Përgjigje: Unë dua të them se kam bërë faje të rënda kundër Partisë, të cilat kanë dëmtuar ekonominë e vendit dhe organizimin shtetëror. Këto faje të mija janë rezultat i disa rezervave që unë kam patur kundër vijës së Partisë dhe konkretisht: Unë nuk kam vlerësuar rolin udhëheqës të Partisë për problemet që kishte Ministria e Industrisë dhe Minierave. Organizatën bazë të Partisë, nuk e kam konsideruar të aftë që të udhëhiqte dhe të kontrollonte zbatimin e detyrave të rëndësishme që kishte Ministria, sidomos në sektorin e naftës. Kam patur pikpamjen se për këto probleme duhej marrë për bazë mendimi i specialistëve dhe jo i organizatës së Partisë. Për problemet e sektorit të naftës si rezultat i pikpamjeve të mija teknokratike, unë ato nuk ia shtrova për diskutim e zgjidhje organizatës bazë të Partisë, bile as kolegjiumit të Ministrisë së Industrisë e Minierave.
Rezervë tjetër e imja ndaj vijës së Partisë ka qenë edhe në drejtimin e zbatimit të vijës së masave. Kjo ka ardhur si rezultat i pikpamjes sime se masa nuk ishte në gjendje të jepte mendime e të zgjidhte probleme për të cilat duheshin njohuri tekniko-shkencore dhe se këto probleme i zgjidhnin vetëm specialistët prandaj duhet mbështetur në mendimin e tyre për zgjidhjen e këtyre problemeve.
Rezervë tjetër e imja ndaj vijës së Partisë ka qenë edhe ajo për çështjen e luftës së klasave. Unë mendoja se lufta e klasave në vendet ku është ndërtuar baza ekonomike e Socializmit vjen duke u zbutur dhe jo duke u ashpërsuar siç thotë Partia. Duke u nisur nga kjo rezervë që kisha ndaj këtij parimi të Partisë, kam bërë që tek njerëzit shikoja anën profesionale të tyre, shkallën e pregatitjes si specialist dhe pa e parë anën e besimit politik, e vendosja ose e kam lënë në poste të rëndësishme në Ministrinë e Industrisë e Minierave dhe në sektorin e naftës. Unë në raste të ndryshme, për persona të caktuar para se të vendoseshin në një funksion, kam parë edhe besimin politik të tyre duke u përpjekur kështu të zbatoj luftën e klasave.
Kam patur tendencën e fryrjes së aparateve të sektorëve që kasha nën vartësi. Drejtimin e punës në ministri e sidomos jasht ministrisë e kam bërë me aparate burokratike të fryra, duke u besuar teknokratëve. Nuk kam luftuar si duhet luftën kundër burokracisë duke shkelur edhe parimin e centralizimit burokratik, në dy tre-degë, gjë që të çon në vetadministrimin revisionist.
Projekt planin e naftës për vitin 1975, prej 2 milion e 250 mijë ton, të hartuar nga baza, nuk e kam marrë parasysh. Duke e shikuar këtë plan me specialistët e Drejtorisë së Përgjithshme të Naftës dhe Drejtorin e Naftës në Ministri, e ngritëm planin në 2 milion e 500 mijë ton. Kjo ka ndodhur nga fundi i vitit 1970. Nga 6 mujori i dytë i vitit 1971; më kujtohet se jam takuar në një rast me Abdyl Këllezin. Duhet të ketë qenë dy-tre ditë përpara Pleniumit të KQ të Partisë, për të parë gjithë projekt planin e pesëvjeçarit që do t’i kalonte për aprovim Kongresit.
Në këtë bisedë Abdyli më tha se ne të komisionit të Planit e shtuam projekt planin e naftës si 5 vjeçar edhe 500 mijë ton, nga e cila për vitin 1975 e shtuam 200 mijë ton. Unë i thashë po e keni menduar mirë këtë rritje? Ai më tha se e kemi menduar e kështu duhet bërë. Unë u konformova me Abdylin, megjithëse nuk isha i bindur që do të realizoheshin këto shifra të panifikuara. Veç kësaj, siç thashë, këto shifra ishin rritur në fillim nga unë me specialistët e Ministrisë së Industrisë e Minierave dhe pastaj nga Komisioni i Planit të Shtetit dhe nuk e pyetëm fare bazën, në të dyja këto raste, që t’i merrnim mendimin nëse ajo ishte ose jo dakort me këtë rritje shifrash. Megjithëse unë i dija këto gjëra, nuk i thashë Pleniumit të KQ që nuk isha dakort me rritjen e planit që kish bërë Abdyl Kellezi dhe se ne për këtë gjë nuk kishim marrë mendimin e bazës.
Këtë nuk e bëra sepse u konformova me Abdyl Këllezin. Planet vjetore për nxjerrjen e naftës nga vendburimet ekzistuese, filluan të mos realizoheshin kryesisht gjatë viteve 1974 dhe 1975. Kjo kryesisht erdhi sepse edhe vendburimi i ri që parashikuam të diltë në Finiq të Sarandës nuk dha rezultat. Në këto rrethana Abdyl Këllezi më ka thënë se ne për të realizuar planet vjetore për nxjerrjen e naftës duhet të shfrytëzojmë vendburimet ekzistuese me mbingarkesë. Bile më kujtohet që mbingarkesa e shfrytëzimit për këto vendburime të ishte shumë e madhe e cila kishte rrezik që këto puse të inodoheshin shpejt sepse është jashtë rregullave teknike të shfrytëzimit. Unë i thashë Abdylit që po t’u vëmë këtë mbi ngarkesë kaq të madhe do na inodohen shpejt puset, prandaj për të realizuar planin vjetor të nxjerrjes së naftës t’u vëmë një mbingarkesë më të vogël. Abdyli më tha që mirë bëje, por unë dua që të më realizosh eksportin në fund të vitit. Unë i thashë Abdylit që eksportin edhe po nuk e realizova me naftë do ta realizoj me energjinë elektrike dhe me lëndët djegëse që do të kursej sidomos me bitumin. Kështu ramë dakort me Abdyl Këllezin. Këtë bisedë më kujtohet që e kemi bërë nga muaji Prill i vitit 1974 në Drejtorinë e Përgjithshme të Naftës. Këto mbi ngarkesa që u vumë unë dhe Abdyl Këllezi, shfrytëzimit të këtyre vendburimeve ekzistuese i dëmtuan rëndë ato dhe i suallën pasoja të këqija të mëdha ekonomisë për të ardhmen e afërt. Këtë e them sepse disa nga këto vendbanime ekzistuese e sidomos Visaku ishduan dhe nga kjo mënyrë shfrytëzimi, prodhimi i naftës për vitet pasardhëse do të ulet.
Përpara vitit 1974, sidomos gjatë viteve 1972-1973 Ramiz Xhabia mbronte pikpamjen se vendburimi i Gorrisht-Koculit është një vendburim i madh i cili simbas tij kishte shumë më tepër rezerva nga ato që llogariste ndërmaria e këtij vendburimi dhe prej tij mund të merret naftë më shumë nga ajo që marrim. Abdyl Këllezi ishte me përkrahje të plotë të këtyre mendimeve të Ramiz Xhabisë për këtë vendburim. Drejtoria e këtij vendburimi dhe seksioni Instituti i studimit të rezervave të vendburimit me Petraq Xhaçken në krye, bile dhe pedagogët e Universitetit Shtetëror të Tiranës, ishin kundër këtyre mendimeve të Abdyl Këllezit e Ramiz Xhabisë. Abdyl Këllezi në atë kohë më kishte thënë mua disa herë që të dëgjoja një herë shtruar Ramiz Xhabinë për ato mendimet që ka për vendburimin e Gorrisht-Koculit, sepse ai ka të drejtë. Unë mbaj mend që i kam thënë Abdylit që këto gjëra do të shikohen por në fakt nuk e thirra asnjëherë e ta dëgjoja Ramizin. Këtë nuk e bëra sepse në të vërtetë unë nuk kisha besim tek mendimet e Ramizit.
Duke patur këto pikpamje, Abdyl Këllezi, aty nga mesi i vitit 1972, në një projekt vendim për rritjen e valutës së lire, kërkonte të shtoheshin edhe 500 mijë ton naftë të tjera si nxjerrie. Unë këtë shtesë e kam refuzuar, bile kam bërë një shënim mbas këtij projekt vendimi ku mesa më kujtohet shkruaj: “Kjo shtesë është e parakohshme dhe mund të shikohet me një kohë të dytë mbasi të merrën rezultatet e vendburimeve të rinj.” Mbas kësaj, unë kam ikur me pushime dhe Abdyl Këllezi ka thirrur Lipe Nashin për këtë çështje i cili e sprovoi këtë shtesë. Kështu që për këtë shtesë doli edhe vendimi përkatës. Mbasi dola nga pushimet dhe mora vesh nxjerrjen e këtij vendimi për të cilin unë siç thash nuk isha dakort, sepse në fakt ne nuk kishim rezerva nafte që t’i plotësonim kërkesat e këtij vendimi, kam thirrur Lipe Nashin dhe i kërkova shpjegime se si kishte dalë vendimi. Ai më tregoi se si e kishte thirrur Abdyl Këllezi dhe i kishte kërkuar që të ishte dakort me këtë projekt vendim dhe Lipia e kishte pranuar mendimin e Abdylit. Unë i thashë Lipes: “Po ne me rezervat që kemi me naftë nuk do të jemi në gjëndje të plotësojmë detyrën e vendimit.” Lipja më tha se do bëjmë si do bëjmë dhe më gjatë nuk më kujtohet të kemi biseduar. Me sa mbaj mend këtë bisedë me Lipe Nashin e kam bërë nga muaj Shtator-Tetor të vitit 1972 në Ministrinë e Industrisë e Minierave dhe nuk mbaj mend mirë nëse kanë qenë ose jo persona të tjerë të pranishëm.
Në atë kohë, për këtë çështje kam biseduar edhe me Abdyl Këllezin dhe më kujtohet që ai nxjerrien e këtij vendimi e quante sukses të tijë, bile mbaj mend që më tha që ti Koço po të mos kishe patur kësaj radhe Lipe Nashin që ishte dakort me mendimin tim, ti do të ishe djegur e turpëruar kësaj radhe. Unë përsëri i thashë se qëndroj në shënimin që kam vënë në projektin e këtij vendimi sepse në nuk kemi rezerva nafte në fakt që të plotësojmë edhe këtë detyrë jasht planit. Abdyli më tha që mirë mirë, këtë do ta realizojmë se e aprovoi vetë Lipja. Unë edhe në këtë rast, megjithëse e pashë që ky mbi plan që qe për naftën nuk ishte reaisht i bazuar dhe nuk kasha shpresë që do të realizohej, nuk informova fare as KQ të Partisë dhe as dhe as udhëheqien e Qeverisë se për sektorin e naftës nga Abdyl Këllezi dhe Lipe Nashi nxirreshin vendime të parealizueshme për naftën dhe në këtë mënyrë gënjehëj KQ i Partisë dhe Qeveria për gjoja gjendjen në sektorin e naftës.
Pyetje: Përse ti i padehur nuk informove udhëheqien e Partisë e të Shtetit për këto detyra të parealizueshme që i viheshin sektorit të naftës nga Abdyl Këllezi e Lipe Nashi?
Përgjigje: Ky është një faj tjetër i rëndë që unë kam bërë kundër Partisë e Shtetit. Ky mos informim i imi në udhëheqien e Partisë e të Shtetit për planet dhe detyrat e fryra e jo reale që bënte Abdyl Këllezi, ka ndodhur sepse tek unë ka munguar besimi ndaj udhëheqies së Partisë e të Shtetit që ajo do t’i zgjidhte drejt problemet që mund të ngrija unë. Duke patur këtë pikpamje anti parti, unë edhe për rastin konkret jam konformuar me Abdyl Këllezin dhe mendoja se edhe po të mos realizohej kjo detyrë, në fund të fundit do përgjoigjej në radhë të parë Abdyl Këllezi me Lipe Nashin që e kishin vënë.
Dua të sqaroj se edhe kjo detyrë e këtij vendimi të nxjerrë përfundimisht nuk u realizua ndonjëherë nga sektori i naftës.
Pyetje: Vazhdoni i pandehur të jepni shpjegime për veprimtarinë armiqësore që kini zhvilluar kundër Partisë dhe Pushtetit popullor.
Përgjigje: Rreth muajit Shtator të vitit 1974 mbaj mend që në një rast Abdyl Këllezi më ka ardhur në zyrën time. Këtu duke qenë vetëm ne të dy, ai më tha se vendburimet e Gorisht-Koculit duhet t’i shfrytëzojmë me mbingarkesë sepse sipas një studimi që ka bërë Ramiz Xhabia në vend, rezulton se këto vendburime, kanë shumë më tepër përmbajtje nafte, nga ajo që e paraqit ndërmaria. Abdyli nxorri edhe një listë me rrëth 40 puse shfrytëzimi të këtij vendburimi dhe mbi këtë listë më bënte mua argumentimin e përmbajtjes së madhe të naftës që simbas tij dhe Ramiz Xhabisë kishte të ky vendburim. Prandaj, thosh Abdyli, këtu duhet të marrim më shumë naftë nga se pretendon ndërmarria. Unë i thashë Abdyl Këllezit se do ta marr këtë listë dhe do ta verifikoj me njerëzit e ndermarrjes në Drejtorinë e Përgjithshme të naftës në Fier. Abdyli më tha që mirë, mere listën e shikoje, por ki parasysh që jemi në një situatë të rëndë për naftën dhe duhet të bëjmë çmos për realizimin e planit të eksportit se jemi keq. Më gjatë nuk më kujtohet që të kemi biseduar.
Proces – Verbalin e lexova, thënijet e mia janë shkruar drejt dhe e firmos.
I PANDEHURI HETUESI
/KOÇO THEODHOSI/ /ELHAM GJIKA/
PROCES-VERBAL
Në Tiranë, më 27.09.1975
Unë, Elham Gjika, hetues në Ministrinë e Punëve të Brendshme mora në pyetje të pandehurin Koço Theodhosi:
Pyetje: Vazhdoni i pandehur të jepni shpjegime për veprimtarinë armiqësore sabotuese që keni kryer.
Përgjigje: Përpara se sa mua të më vinte Abdyl Këllezi në zyrën time dhe të bënim bisedën për mbingarkesë të mëtejshme të vendburimeve të Gorrisht-Koculit, për të cilën më pruri edhe listën e disa puseve të këtij vendburimi, Sektorit të naftës, nga qeveria për vitin 1975, i ishte caktuar si plan nxjerrje nafte sasia prej 2 milion e 200 mijë tonë; ndërsa kjo nga komisioni i planit të shtetit ishte më e madhe rreth 2 milion e 400 mijë tonë. Unë e shikoja që realizimi i këtyre shifrave ishte shumë i vështirë për të mos thënë i parealizueshëm mbasi jo vetëm që nuk po zbulonim vendburime të rinj, por edhe vendburimet ekzistuese, kishim për rreth 2 vjet që po i shfrytëzonim me mbingarkesë dhe po t’u shtohej akoma më shumë kjo ngarkesë, pasojat e dëmit do të ishin më të mëdha mbasi përveç të tjerave shtohej rreziku i inondimit të tyre. Mua më kujtohet mirë që po nga muajt Shtator-Tetor të vitit 1974, unë, Abdyl Këllezi dhe Zv. Kryetari i Këshillit të Ministrave Adil Çarçani vendosëm të dërgonim një komision të përbërë prej tre vetash që qenë Ramiz Xhabia, si përfaqësues i komisionit të Planit, Rexhep Shehun nga aparati i kryeministrisë dhe Teki Biçoku, si përfaqësues i ministrisë së Industrisë e Minierave, të cilët duhej të verifikonin në vend nëse kishte ose jo mundësi të mbingarkohej më shumë shfrytëzimi i vendburimit të Visokës. Këtë gjë e bëmë sepse Abdyl Këllezi me Ramiz Xhabinë insistonin shumë se nga vendburimi i Visokës mund të merrnim më shumë nga sa merrnim deri në atë kohë.
Pas verifikimit në vend, Rexhep Shehu dhe Teki Biçoku kishin mendimin që nga ky vendburim nuk mund të merrej më shumë, ndërsa Ramiz Xhabia pretendonte se mund të merrej. Ata përpiluan edhe një akt për këtë problem dhe Ramizi në fund të këtij akti kishte shënuar mendimin e tij se nuk ishte dakord me mendimin e dy të parëve.
Po në atë kohë, unë mora me vete ish-ndihmësin tim për problemet e naftës Hasan Hamzën dhe shkova në Drejtorinë e Përgjithshme të Naftës në Fier për të diskutuar me përfaqësuesit e ndërmarrjeve të naftës dhe Drejtorinë e Përgjithshme të naftës, projekt planin e naftës për vitin 1975. Unë kisha marrë me vete edhe listën që më kishte dhënë Abdyl Këllezi për vendburimin e Gorisht-Këculit. Këtë listë unë e diskutova pikë për pikë me personat e pranishëm dhe rezultoi që të dhënat e kësaj liste ishin të gabuara, gjë e cila u vërtetua nga vetë të dhënat e që paraqiti ndërmarrja e këtij vendburimi. Në këto rrethana, shokët e ndërmarrjeve, sipas studimeve që kishin bërë, shprehën mendimin se plani për vitin 1975 duhej të ishte jo më shumë se 2 milion e 100 mijë tonë naftë. Ramiz Xhabia, edhe ky ishte i pranishëm në këtë mbledhje, qe kundër këtyre mendimeve dhe pretendonte se shifra e realizimit të planit për nxjerrjen e naftës për vitin 1975 duhej të ishte rreth 2 milion e 400 mijë, kuotë të cilën e kishte paraqitur komisioni i planit. Sqaroj se gjithë kjo sasi e planifikuar për nxjerrjen e naftës do të ishte si nga shfrytëzimi i vendburimeve gëlqerore ashtu dhe nga vendburimet ranore, bile në vendburimet e Kallm-Vërries dhe në qytetin Stalin u planifikuan të shpoheshin dhe disa puse të rinj. Kështu unë pashë në këtë mbledhje se me gjithë mbingarkesat që po u bënim vendburimeve ekzistuese, për vitin 1975 ne nuk mund të merrnim më shumë se 2 milion e 100 mijë tonë naftë.
Pas kësaj mbledhje në Fier, unë u ktheva në Tiranë dhe duke qenë i pranishëm dhe Abdyl Këllezi, i kam raportuar Zv. Kryetarit të Këshillit të Ministrave përkatës, rezultatet e konsultës së bërë në Fier duke dhënë mendimin që për vitin 1975 nuk mund të merren më shumë se 2 milion e 100 mijë tonë naftë. Abdyl Këllezi më kundërvihet mua dhe insistonte pa asnjë bazë që të rritej ky plan sepse nuk realizohej bilanci i valutës për projekt-planin e vitit 1975. Pra, ky bilanc nuk mbyllej. Pas shumë diskutimesh, këtu u vendos që plani të bëhej 2 milion e 200 mijë tonë naftë, pra u shtua 100 mijë tonë naftë, i cili mund të merrej nga ndonjë vendburim i ri që parashikohej të zbulohej gjatë vitit. Kështu ju paraqit ky projekt plan qeverisë për aprovim nga Komisioni i planit të Shtetit.
Komisioni i Rezervave të Shtetit për naftën ku kryetar isha unë, ishte i interesuar që të përcaktonte përfundimisht rezervat që kishte vendburimi i Gorrisht-Koculit, qysh nga fillimi i vitit 1974, kishin marrë detyrë që të përfundonin studimin dhe të paraqitnin një raport për këtë çështje. Nga muajt Nëntor-Dhjetor të vitit 1974, ata e përgatitën raportin dhe ua shpërndamë anëtarëve të këtij komisioni ku përveç të tjerave, anëtar ishte dhe Ramiz Xhabia. Në ato kohë, pas shpërndarjes së raportit, në një rast më ka thirrur në zyrën e tij Abdyl Këllezi dhe duke qenë vetëm të dy ai më tha: “Unë e mora raportin që kemi paraqitur për rezervat e Gorrisht-Koculit, por unë nuk jam dakord me këto rezerva që paraqet raporti, ai vendburim sipas meje dhe Ramiz Xhabisë ka shumë më tepër nga ç‘thuhen në raport.” Ja, më tha Abdyli: “Unë kam të dhëna të tilla që tregojnë për rezerva shumë të mëdha të këtij vendburimi” dhe nxorri disa gjysma letrash në të cilat sipas tyre paraqiteshin të shkruara disa teza që argumentonin pretendimet e tyre për këtë vendburim, bile filloi të m’i shpjegonte edhe mua. Unë i thashë që shokët e komisionit të dhënat që përmban raporti i kanë nxjerrë nga studimi në vend, bashkë me shokët e ndërmarrjes së këtij vendburimi. Abdyl Këllezi në vijim më tha: “Ata i kanë llogaritur gabim rezervat e këtij vendburimi, prandaj ti Koço, që je dhe kryetar i komisionit të rezervave, në mbledhjen që do bëni, ngreji këto teza që kemi ne të Komisionit të Planit të Shtetit në formë pyetjesh, sepse fjala jote zë peshë që paraqet rëndësi për anëtarët e tjerë të komisionit sepse je dhe kryetar i këtij komisioni.” Unë i thashë se vetë nuk jam dakord me mendimet që keni ju për rezervat e këtij vendburimi, pastaj ju keni Ramiz Xhabinë anëtar të këtij komisioni, le t’i paraqesë ai këto teza dhe atje të diskutohen. Abdyl Këllezi më tha, rezervat e këtij vendburimi janë si i paraqisim ne, prandaj shtroji ti këto teza në komision se fjala jote ka autoritet, ndërsa Ramiz Xhabinë nuk e dëgjon njeri atje dhe do t’i kundërvihen të gjithë. Unë edhe në këtë rast u theva përpara Abdyl Këllezit dhe në kundërshtim me bindjen time për rezervat e këtij vendburimi i thashë që mirë, unë po pranoj t’i shtroj këto teza në komision, por në qoftë se shumica e anëtarëve të komisionit do të dalin kundër tyre, atëherë unë nuk do t’i mbroj ato, por do të bashkohem me shumicën. Mirë, më tha Abdyli, por ki parasysh se këto janë gjëra të rëndësishme e duhen mbrojtur. Më gjatë me Abdyl Këllezin, nuk më kujtohet të kem biseduar, por para se të ndaheshim, unë mora me vete edhe ato fletët ku propozoheshin tezat e Abdyl Këllezit e të Ramiz Xhabisë për këtë vendburim.
Rreth 3 ose 4 ditë pas kësaj bisede që kam bërë me Abdyl Këllezin, në Institutin e Kërkimeve të Naftës në Fier, u bë mbledhja e komisionit shtetëror të rezervave për naftën. Abdyl Këllezi nuk mori pjesë në këtë mbledhje, në të nga Komisioni i Planit të Shtetit mori pjesë Ramiz Xhabia që ishte dhe anëtar i këtij komisioni. Në këtë mbledhje, unë sipas porosisë së Abdyl Këllezit, i shtrova këto teza që më dha ai për përmbajtjen e naftës të vendburimeve Gorrisht-Kocul. Të pranishmit, të gjithë u shprehën kundër këtyre mendimeve të Abdyl Këllezit e Ramiz Xhabisë, megjithëse siç thashë ua paraqita unë si kryetar i komisionit, me përjashtim të Ramiz Xhabisë që u mundua shumë t’i mbronte ato teza. Unë duke parë se të gjithë anëtarët e komisionit iu kundërvunë këtyre tezave, në fund diskutova, u bashkova me anëtarët e tjerë të komisionit dhe thashë që unë pranoj konkluzionet që përmban raporti i paraqitur. Në fund të mbledhjes për rezervat vendosëm dhe aprovuam ato që përmbante raporti.
Në ato ditë, unë u ktheva nga Fieri dhe më ka thirrur Abdyl Këllezi për këtë çështje duke më thënë se si i vendosët rezervat në komision. Unë i thashë që i vendosëm siç i parashikonte raporti, pasi anëtarët e tjerë të komisionit ishin kundër atyre tezave që më dhatë mua. Unë këto teza i shtrova vetë por megjithatë ata na u kundërvunë. Abdyli më tha që komisioni ka aprovuar pak rezerva nafte e gazi, unë nuk jam dakord me këtë dhe mund ta ngre këtë problem edhe në kryesinë e Këshillit të Ministrave, veproni si ta quani me vend.
Më gjatë nuk kam biseduar me Abdyl Këllezin për këtë çështje.
Procesverbalin e lexova, thëniet e mia janë shkruar drejt dhe e firmos.
I PANDEHURI HETUESI
KOÇO THEODHOSI ELHAM GJIKA
Koco Theodhosi nuk duhej te kishte pranuar asnje gabim te rende e asnje gabim te lehte, sepse ka qene nje drejtues shume i afte, patriot dhe njeri i mire. E genjeu mendja se Enveri do ta falte, po deshtimet ne ekonomi per shkak te bunkerizimit te saj nga injoranti mendjemadh e arrogant Marksist -leninist idiot e paranojak Enver Hoxha, kush do t’i mbante?
rrenaaaaaaaaaaaaaaaaaaaaaaaaaaaaaaaaaaaaaa………………………………
keto jane te verteta, planet e naftes ishin te fryra dhe jo reale
Po tani kompania Kanadeze punon vetem ne zonen Gorisht-Kocul,sepse atje akoma ka nafte,me gjith ate planet kane qene te fryra sepse ashtu e donte udheheqja.