Faktorët që ndikojnë në kancerin e gjirit

J L

Pranvera Kola

Nëse diagnostikohet që në stadet më të hershme, kanceri i gjirit mund të trajtohet me sukses. Të dhënat e raportuara nga strukturat e shëndetit publik tregojnë se nga kanceri i gjirit rrezikon 1 në 8 gra. Kjo patologji prek të gjitha grupmoshat, por rreziku shtohet edhe më shumë tek moshat mbi 50 vjeç.

Kanceri i gjirit është një sëmundje ku qelizat e gjirit rriten jashtë kontrollit. Sëmundja mund të fillojë në pjesë të ndryshme të gjirit dhe mund të përhapet jashtë tij nëpërmjet enëve të gjakut dhe enëve limfatike, pra duke dhënë metastaza, të cilat mund të çojnë deri në pasoja fatale për jetën.

Të dy sekset, si gratë, ashtu edhe burrat mund të preken nga kanceri i gjirit, edhe pse ky kancer është shumë herë më i zakonshëm te gratë. Disa gra janë në rrezik më të lartë për të zhvilluar kancerin e gjirit sesa disa të tjera, kjo për shkak të historisë së tyre mjekësore, personale, familjare, ose për shkak të ndryshimeve të caktuara gjenetike.

Studimet e shumta të kryera në këtë drejtim kanë treguar se risku për zhvillimin e kancerit të gjirit vjen si rezultat i kombinimit të një sërë faktorëve që kanë të bëjnë jo vetëm me trashëgiminë, por edhe me kujdesin që tregojmë në ndjekjen e stilit të jetesës, një pjesë të të cilave ne edhe mund t’i kontrollojmë. Konkretisht, në listën e faktorëve që shtojnë riskun për zhvillimin e kancerit të gjirit përfshihen: mbipesha dhe obeziteti, jeta sedentare si shkak i mungesës së aktivitetit fizik, ekspozimi ndaj rrezatimeve të dëmshme, konsumi i duhanit dhe alkoolit, rritja e moshës, përdorimi i terapisë hormonale zëvendësuese pas menopauzës, lindjet në moshë të madhe, apo edhe mutacionet gjenetike të trashëguara BRCA1, etj.

Nëse një grua ka faktorë rreziku për kancer gjiri, ajo duhet të flasë sa më herët me mjekun e saj, lidhur me mënyrat që mund të ulin rrezikun, si dhe kontrollet që duhen bërë. Sipas të dhënave të raportuara nga Instituti i Shëndetit Publik, risku për të humbur jetën nga kanceri i gjirit është në ulje nga dy faktorë: rritja e ndërgjegjësimit tek gratë dhe vajzat dhe trajtimi më i mirë.

Rastet kur duhet të kërkoni ndihmë!

Bluzat e bardha vënë në dukje se njerëz të ndryshëm kanë shenja të ndryshme të kancerit të gjirit. Por, disa të tjerë nuk kanë shenja fare dhe mund ta konstatojnë kancerin e gjirit vetëm pas një mamografie rutinë. Si shkak i mungesës së shenjave të dukshme klinike shumë paciente e zbulojnë sëmundjen në stade tepër të renduara, kur edhe trajtimet nuk japin efektet e plota trajtuese. Megjithatë, disa shenja që mund të jenë tregues të kancerit të gjirit janë: Një gjëndër apo një kokërr në gji ose nën sqetull. Duhet të dimë se shumë faktorë mund të shkaktojnë gjëndra në gjoks duke përfshirë edhe kancerin, por jo çdo gjëndër në gji është kancer. Shenja të tjera që duhet t’ju tërheqin vëmendjen janë edhe: Trashje ose ënjtje e një pjese të gjirit, ndryshime të lëkurës së gjirit-skuqje, plagë apo dëmtime të tjera të lëkurës së gjirit, skuqje, çarje apo trashje e lëkurës përreth thithit të gjirit, gropëzim i thithit të gjirit, rrjedhje nga gjiri përveç qumështit të gjirit, duke përfshirë edhe gjakun, si dhe çdo ndryshim në madhësinë apo formën e gjirit, dhimbje në gji, fryrje apo ënjtje e krahut nga njëra anë-disa herë kanceri i gjirit mund të përhapet edhe në gjëndrat limfatike nën krah dhe të shkaktojë fryrje apo ënjtje të tij. Prandaj, gjëndrat limfatike të ënjtura duhen konsideruar një shenjë e mundshme e kancerit të gjirit.

Po ashtu duhet të tregoni kujdes edhe ndaj çdo ndryshimi tjetër të pazakontë që shfaqet në gji. Ndryshimet në gji jo detyrimisht do të thonë se një femër ka kancer gjiri. Megjithatë, nëse një femër ka simptomat e mësipërme duhet të shkojë menjëherë te mjeku të kontrollohet.

Diagnostikimi i hershëm

Mënyrat për të kontrolluar gjirin përfshijnë: Vetëkontrolli mujor i gjirit, ekzaminimi klinik i gjirit nga një personel shëndetësor, mamografia, eko e gjirit. Një nga mënyrat më të thjeshta kontrollit të kancerit të gjirit është vetëkontrolli mujor i tij. Vetëkontrolli mujor i gjirit është një veprim shumë i thjeshtë që çdo femër mund ta bëjë pa shumë mundim; me lëvizje rrotulluese me dorë kontrollohen me radhë gjinjtë, deri në pjesën e sipërme të kraharorit dhe sqetullat. Vetëkontrolli i gjirit rekomandohet të bëhet 1 herë në muaj që nga mosha 20 vjeç. Periudha më e përshtatshme është disa ditë mbas menstruacioneve. Mjaft raste të kancerit të gjirit janë zbuluar nga vetë gratë. Një femër duhet ta kthejë në zakon kontrollin mujor të gjirit.

Ndërsa ekzaminimi klinik i gjinjve rekomandohet të bëhet 1 herë në vit ose së paku çdo 2 vjet. Specialistët e shëndetit thonë se mamografia kap kancerin e gjirit në faza shumë të hershme. Mamografia mund të kryhet në çdo kohë, por do të ishte më e përshtatshme që të zgjidhej momenti kur gjinjtë nuk janë të fryrë apo të dhimbshëm si përshembull 3-4 ditë mbas menstruacioneve. Nuk duhet ndonjë parapërgatitje e veçantë për të bërë mamografinë. Kur gratë shkojnë për mamografi, është mirë të veshin bluza me fund ose pantallona, në mënyrë që të lehtësojnë procedurat e ekzaminimit të gjirit. Nga ana tjetër Eko rekomandohet për ato femra që kanё gji tё dendur, kanë dëmtim qё nuk interpretohet qartë me anë tё mamografisё, kanë mbushje tё gjirit me silikon dhe vetëm pak ind mund tё përfshihet nё mamografi, si dhe ato që nuk mund tё ekspozohen ndaj rrezeve X (shtatzëna).

Format se si duhet trajtuar

Nëse zbulohet në kohë, kanceri i gjirit është ndër llojet e kancerit pothuajse tërësisht i trajtueshëm. Kanceri i gjirit trajtohet në disa mënyra si: ndërhyrjet kirurgjike, kimioterapia, terapia hormonale, terapia me rrezatim.

Mënyra e trajtimit varet nga lloji i kancerit të gjirit dhe se sa është i përhapur ai. Njerëzve me kancer të gjirit shpesh u duhet të marrin më shumë se një lloj të trajtimi. Fatmirësisht, pothuajse të gjitha mënyrat e trajtimit bashkëkohor ofrohen edhe në Shqipëri. Së fundi kanë hyrë edhe preparate të cilat rrisin jetëgjatësinë për pacientët në faza të avancuara. Trajtimet e reja vonojnë progresin e sëmundjes shumë më mirë se preparatet e deritanishme, duke ofruar një mundësi të re për pacientët.

Faktorët që shtojnë rrezikun                                    

  • Mbipesha dhe obeziteti.
  • Jeta sedentare.
  • Konsumi i pijeve alkoolike.
  • Ekspozimi ndaj rrezatimeve.
  • Histori familjare me kancer gjiri.
  • Terapia hormonale zëvendësuese pas menopauzës.
  • Mutacionet gjenetike të trashëguara BRCA1.

Faktorët që ulin rrezikun

  • Ndjekja e një stili të shëndetshëm jetese.
  • Ushtrimi i aktivitetit fizik (rreth 4 orë në javë).
  • Një apo më shumë shtatzëni.
  • Mosha e hershme e shtatzënisë së par (para 25 vjeç).
  • Ushqyerja me gji për më shumë se 15 muaj.
  • Menopauza e hershme para moshës 50 vjeç.
  • Gjumi i mjaftueshëm.
  • Diagnostikimi i hershëm.

Kontrollet që duhet të kryeni!

  • Kontrollet dhe vizitat duhet ti kryeni në varësi të rrezikut që keni për të zhvilluar këtë sëmundje. Ekspertët e Institutit të Shëndetit Publik sqarojnë se gratë që nuk kanë asnjë faktor rreziku, apo që kanë një rrezik mesatar për të zhvilluar kancer gjiri u rekomandohet: Ekzaminim klinik i gjirit te personeli mjekësor çdo 1- tre vjet si dhe vetëkontroll mujor i gjirit. Ndërsa për grupmoshat që janë nga 50 deri në 70 vjeç rekomandohet edhe mamografia e cila duhet të bëhet çdo dy vjet.
  • Gratë që kanë disa faktorë rreziku: si histori familjare apo personale, probleme beninje të gjirit, fillim të hershëm e mbarim të vonshëm të menstruacioneve, moslindje ose lindje mbi moshën 30 vjeç, obezitet, ind gjiri të ngjeshur dhe ekspozim ndaj rrezatimit terapeutik, u rekomandohet që të kryejnë: Ekzaminim klinik të gjirit te personeli mjekësor çdo vit, konsultë me specialistin e gjirit, mamografi çdo vit nga mosha 40 vjeç, si dhe vetëkontroll mujor të gjirit.
  • Ndërsa grave që kanë faktorë gjenetikë, që janë bartëse të defektit BRCA1 apo BRCA 2, kancer gjiri te një familjar mashkull, kancer gjiri dhe kancer vezoresh në të njëjtin person, në dy ose më shumë familjarë të ngushtë u rekomandohet që të kryejnë këto kontrolle dhe vizita mjekësore: Ekzaminim klinik i gjirit çdo gjashtë muaj, mamografi ose rezonancë magnetike çdo vit nga mosha 25 vjeç, Konsultë me specialistin e gjirit dhe specialistin gjenetik.
Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *