Fakultetet të përdorin fondet e tyre për kërkimin shkencor

anazapta

Ministri i Arsimit Myqerem  Tafaj

 

Universitetet duhet të jenë më të kujdesshme në realizimin e zhvillimeve të reja në drejtim të kërkimit shkencor. E për të bërë këtë gjë nuk është e nevojshme të përdoren vetëm fondet e akorduara nga projektet ndërkombëtare, por duhet të vënë në përdorim edhe fondet e  mbledhura nga vetë fakultetet. Kjo është thirrja që ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj,  u ka bërë drejtuesve të universiteteve publike, në mënyrë që të mos ndërpriten zhvillimet në thellimin e kërkimit shkencor. Sipas ministrit Tafaj, stafet akademike nuk duhet të mbështeten vetëm nga projekte që financohen nga ndërkombëtarët, por fondet që akumulojnë universitetet duhet të shpenzohen edhe për këto studime tepër të rëndësishme, që i japin një tjetër hov cilësisë akademike të prodhuar nga universitetet shqiptare. Duke marrë pjesë në aktivitetin e zhvilluar nga Universiteti Politeknik i Tiranës, ministri Tafaj ka theksuar se po rishihet mundësia e shtimit të fondeve që do t’u lihen në dispozicion universiteteve për zhvillimet e reja në fushën e kërkimit shkencor.

 

Gjatë bisedës me ministrin, akademikët vunë në dukje se punimet kërkimore shkencore kanë nevojë për staf dhe laboratorë të parametrave modernë. Vetëm  një muaj më parë dekanë të këtij fakulteti ngritën shqetësimin se fondet janë të pamjaftueshme, pasi të ardhurat e universitetit shkojnë vetëm për pagat dhe investime të tjera.

 

Po gjatë ditës së djeshme Universiteti Politeknik i Tiranës  është nderuar nga presidenti Bujar Nishani, me titullin “Nderi i Kombit”, si një nga institucionet më të rëndësishme të kërkimit shkencor në vend dhe që ka kontribuar në zhvillimin ekonomik të vendit, nëpërmjet inxhinierëve, arkitektëve, urbanistëve e gjeologëve, që janë diplomuar në këtë universitet.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *