Të falësh ata që të kanë bërë të vuash shpesh mund të mos jetë e lehtë, por është e shëndetshme. Falja ka të bëjë me tejkalimin e gjendjes së zemërimit dhe tensionit dhe ndikon pozitivisht në shëndetin e zemrës dhe enëve të gjakut.
Konfirmimi shkencor vjen nga një studim i kryer në universitetin e Kalifornisë në San Diego, SHBA.
Studimi në fjalë është me rëndësi të veçantë, pasi studimet e mëparshme kishin treguar se subjektet që vazhdonin të mendonin për episode të pakëndshme të së kaluarës riaktivizonin pothuajse të njëjtin zemërim që kishin përjetuar nga episodi vetë. Ky zemërim rezultoi se lidhej me mundësi më të mëdha për të pasur probleme kardiovaskulare dhe një nivel më të lartë vdekshmërie.
Eksperimenti i kryer me 200 njerëz tregoi se presioni i gjakut ishte më i lartë tek ata që nuk i kishin falur ata që i kishin lënduar, në krahasim me ata që kishin falur, në kushtet kur të dy grupeve u rikthehej kujtimi i ngjarjeve të padëshiruara të së kaluarës.
“Falja konsiderohet shpesh e dobishme për të tjerët, por mesa duket edhe ata që falin kanë përfitim nga ky akt”, thotë drejtuesja e ekipit që ka kryer studimin. / Përgatiti: Gazmira Sokoli