Faleminderit Dekane!

redaktor

E nderuar redaksi.

Jemi një grup mjekësh, diplomuar në Fakultetin e Mjekësisë së Universitetit Mjekësor të Tiranës. Filluam të ndërtonim ëndrrat tona në Shqipëri, sepse këtu i bëmë investimet e para. Por shumë shpejt do gjendeshim midis ëndrrave të bukura dhe realitetit gërryes. Disa na thoshin “duhen shuma të mëdha parash për specializim”, “duhet të merresh me politikë që të marrësh një specializim”, “mësoni gjermanishten që të ikni, se në Shqipëri nuk merr dot specializim”. Etj, etj.

Në këtë mjegull doli rregullorja e Fakultetit të Mjekësisë. Duhet të pohojmë se dilema jonë ishte: ia vlen apo nuk ia vlen të konkurojmë në Shqipëri për specializim? Ia vlen apo nuk ia vlen të ndërtosh karrierën në Shqipëri??

Këtë dilemë na e zgjidhi dekania e Fakultetit të Mjekësisë Prof.Dr. Mira Rakacolli. Së cilës, ne, një grup mjekësh të diplomuar pranë këtij Fakulteti; pavarësisht se një pjesë nga ne nuk mundën dot të kualifikoheshin për specializim, i themi me gojën plot, Faleminderit Dekane.

Faleminderit sepse gjithë procesi i specializimeve ishte korrekt dhe transparent dhe për këtë merita ishte juaja; Faleminderit sepse ne të gjithë u ndjemë të barabartë në konkurim dhe kolegët nuk i shihnim si rivalë, po si miq; pavarësisht atësisë apo mëmësisë së tyre. Rezultatet përfundimtare e konfirmuan këtë. Kjo është merita juaj e nderuar dekane që e bëtë procesin sa më përfshirës për mjekët e aftë. I gjithë procesi rrëzoi skepticizmin dhe na bëri të besojmë se nuk është e pamundur që të ketë edhe në Shqipëri meritokraci.

Sa për dijeninë e lexuesve, njëri nga ne punoi 4 vjet për të grumbulluar të ardhura që të paguante për specializimin. Nuk iu desh të jepte asnjë kafe, falë procesit korrekt iniciuar dhe realizuar në çdo detaj nga prof. Rakacolli.

Faleminderit Dekane edhe në emër të prindërve tanë, të cilët u ndjenë me komodë; dhe natyrisht do jenë më komodë, që do mbështesin karrierën tonë në Shqipëri; dhe jo nëpër rrugët e Europës.

Dy nga ne nuk u kualifikuan për specializim, por janë të bindur që do e fitojnë këtë sfidë në një moment të dytë; sepse besimi që ky lloj procesi nuk i përjashton të aftët, tashmë u krijua. Ne po identifikohemi vetëm me emra, për të evituar keqinterpretimet rreth këtij artikulli. Jemi shumë të njohur për një grup mjekësh, dhe të panjohur për një grup tjetër; por jemi te sigurt që asnjeri nuk mund të pohojë të kundërtën.

Këto ditë që shumëkush i quan të vështira janë mbushur me lajme të këqija. Lutemi redaksisë së Ditës të lejë pak vend edhe për falënderimin tonë. Pak vend edhe për njerez dinjitoze si dekania e Fakultetit të Mjekësisë; një dëshmi se Shqipëria bëhet nëse të gjithë bëjmë punën tonë. Me dëshirë dhe përkushtim.

 

Nënshkruar nga:

Dea, Rovena, Elda, Irdi, Ermal, Anisa, Taulant, etj..

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *