Dërguar me email
Në adresën e redaksisë
Të dashur punonjës të gazetës “Dita”! Ne që po ju shkruajmë jemi kryefamiljarët e disa familjeve të një lagjeje të fshatit Koshorisht, Komuna Lunik, Librazhd. U larguam për një jetë të mirë prej këtej para disa vitesh dhe u rikthyem për të jetuar prapë këtu, sepse kemi kushte shumë të mira për zhvillimin e blegtorisë dhe jemi vetëpunësuar. Në kohën që ne u larguam rrjeti elektrik që furnizonte lagjen me drita u shkatërrua nga njerëz të pandërgjegjshëm dhe ne kishim disa muaj pa drita. Ekonomikisht ishim të dobët të bënim instalime të reja ndaj i bëmë kërkesë deputetit tonë, Taulant Balla, ministrit të Energjetikës, z. Damian Gjiknuri, Prefektit të Qarkut Elbasan, z. Arben Kamami, Kryetarit të Bashkisë Librazhd, z. Kastriot Gurra, Nënprefektit Librazhd, z. Enver Koçi, të cilët në një kohë rekord na e zgjidhën problemin, duke na risjellë dritën. Falënderojmë pa masë personat e mësipërm dhe gjithashtu përgjegjësin e OSHE-së Librazhd, z. Behar Terziu, përgjegjësin e zonës, z. Xhimi Gështenja për ndihmën konkrete që na dhanë. Me shumë respekt, kryefamiljarët Arif Biçaku, Ferit Biçaku, Sokrat Biçaku etj. Koshorisht, Librazhd.
