Falsifikimi i lekut, i pakët dhe me sofistikim të dobët

redaktor

Banka e Shqipërisë vlerëson se numri i kartëmonedhave dhe monedhave metalike të falsifikuara vlerësohet të jetë i vogël dhe, në raport me sasinë në qarkullim, i papërfillshëm.

Numri i kartëmonedhave të konstatuara si të falsifikuara, gjatë vitit 2014, ishte në nivele të përafërta me vitin 2013, ose rreth 30% më pak se mesatarja e pesë viteve të mëparshëm.

Kartëmonedhat e evidentuara si të falsifikuara, sipas analizës teknike, janë të punuara me metoda pak të sofistikuara, si makina riprodhuese skanimi apo fotokopjimi me ngjyra, si dhe në raste shumë të pakta me metoda shtypshkrimi, të kombinuara me aplikimin e metodave artizanale për imitimin e elementeve të sigurisë të natyrës vizuale apo me rrathë fluoreshentë.

Për këtë arsye, imitimi i kartëmonedhave bëhet me cilësi të dobët në letër të zakonshme formati. Sipas ekspertëve, rastet e falsifikimit të sofistikuar i takojnë monedhave që kanë përdorim të gjerë global, si dollari amerikan apo euro, por këto falsifikime realizohen kryesisht nga rrjete të organizuara jashtë Shqipërisë.

Siguria e publikut duket se është në rritje edhe për sa i takon falsifikimit të brendshëm me instrumente apo mjetet e tjera të pagesave, kryesisht me kartat bankare. Dy vitet e fundit, numri i mashtrimeve me kartat bankare në Shqipëri ka pësuar rënie të ndjeshme, ndërsa dëmi financiar për klientët ishte pothuajse 0.

Por, rreziqet në rritje vijnë nga përdorimi në internet. Sipas Shoqatës Shqiptare të Bankave, mashtrimet në këtë teknikë janë në rritje. Ekspertët këshillojnë që kartat të përdoren në portale të sigurta dhe, mundësisht, të ndërrohen shpesh.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *