Së pari familja – ishte komenti i një miku tim në Facebook. Ai po ironizonte me moton zgjedhore “Së pari Kosova” të partisë më të madhe në vend, e cila nëpërmjet të shefit të saj parlamentar, i njohur ndryshe si “shef i shefave” po jepte arsyetimin prapa aferës skandaloze të përgjimeve. Shefi i shefave, në mbrojtje e arsyetim të nepotizmit të shfaqur gjatë rekordimeve, tendencën e rahatimit të dajës e kishte arsyetuar, besoni ose jo, me fjalët “ne si parti kujdesemi për familjen”, për të vazhduar më pas me një interpretim provincial “alla-gjivgjan” të shprehjes “familja është celula e shoqërisë”.
Nuk e kam shumë për zemër marrjen me dikë që bëhet i njohur me gafa e skandale, apo me dikë që punën më të madhe të vitit e ka treguar ta ketë një ahmaki skandaloze; të tillët nuk meritojnë kaq shumë vëmendje e lexuesit meritojnë dhe më pak torturë. Por ja që derivimi i një konstatimi të tillë tregon një mendësi. Kjo mendësi më pas tregon një udhë tipike të manipulimit, si formë standarde e qeverisjes; pra tregon një stil. E ky stil përfundimisht tregon dhe fatin e Kosovës, kasaphanën nëpër të cilën vendi po kalon dhe ardhmërinë e zymtë që e ka i njëjti para. Kjo e fundit duket shumë trishtuese!
Deklarata quazi-shfajësuese ka dy pjesë. E para ka të bëjë me rrëfimin, pra pranimin e aktit, ndërkaq e dyta ka të bëjë me fortifikimin, pra arsyetimin e aktit; që të dyja (në kontekstin e dhënë) janë skandaloze.
Së pari, është skandaloze meqë dikush me vetëdije të plotë pranon një vepër penale dhe prapë nuk kupton peshën e veprës. Të pranosh se ke shfrytëzuar pozitën publike për t’i kryer favore familjes, pra të pranosh se organizimi partiak ka prioritet familjen e assesi shtetin apo të drejtën, barazinë e trajtimin korrekt qytetar, kalon çdo percepcion minimalisht normal e demokratik; është aq skandaloze sa që edhe fjala skandal do të befasohej me përmbajtjen e saj. Ka vetëm një organizëm që prioretizon familjen para gjithçkaje tjetër, e ky organizëm njihet si “mafia”. Madje definicioni shpjegues i fjalës “mafia” në fjalorin e Oxfordit duket kështu: “Secili grup, i njohur si “familje” apo “klan”, thirret në sovranitetin e një territori në të cilin ushtron kontrollin, reketimin e haraçin. Anëtarët e “familjes” e thërrasin veten “njerëz të ndershëm” ndonëse publiku u referohet si “mafiozë”. E meqë jemi tek fjalori i Oxfordit, pak faqe më tutje, fjala “nepotizëm” shpjegohet kështu: “Nepotizmi është praktikë joligjore në mesin e atyre me fuqi apo influencë, në favor të familjarëve apo miqve, me theks të veçantë duke u siguruar atyre punë”.
Nëse nepotizmi qenka një vepër penale dhe i njëjti është pranuar të ketë ndodhur me arsyetimin se është prioritet i partisë, pra nëse kujdesi për familjen qenka thelbësor në shtetbërje, atëherë i bie se të vjedhësh për familje, të vrasësesh për familje, të dhunosh për familje, e të bësh çdo të zezë për familje, është vepër shumë normale, shumë e pritshme, shumë krenare. Sipas kësaj logjike, në emër të kujdesit për familjen është normale të rehatosh dajën në kurriz të një profesionisti të shkretë që nuk ka nip me influencë e që në fund dhe mbetet pa punë. Në të njëjtën logjikë është shumë normale të vjedhësh paratë e taksave të mësuesit (prandaj korrupsioni) apo të vrasësh një të shkretë tjetër (prandaj krimi). Përderisa prioritet është familja, çdo akt i mundshëm është normal.
Së dyti, reagimi është skandaloz, meqë arsyetimi i dhënë për aktin është më skandaloz se vet akti. Të provoj të shpjegoj pse. Shprehja “familja është celula e shoqërisë” është aq e përdorur dhe e aq e shoshitur sa që është shndërruar në shprehje që nuk kërkon citim. Është përdorur nga Bibla e Kurani, filozofët si Malthusi, Hegeli apo Engelsi, psikiatrit si Laing e Reich, politikanët e më hershëm si Churchili, Thatcheri e Reagani, apo dhe këta të sotëm si Obama, Merkeli e Kameruni. Madje është aq e shpeshtë e aq e përdorur sa që është thënë edhe nga Hitleri, Stalini e Kim Jong Il-i. Por të gjithë, ama bash të gjithë, e kanë përdorur atë në një kuptim të vetëm, se sjellja e mirë brenda familjes është vlerë e shoqërisë. Asnjëherë (“asteniherë” për ta kuptuar ky i yni), asnjëri nga ta, nuk e ka përdorur atë në kuptimin se shfrytëzimi i shoqërisë për kujdesin e familjes është vlerë e mirë. Këtë e bëri vetëm shefi i shefave; këtë mund ta dëgjosh vetëm tek ne.
“Familja” është sinonim i zaptimit të shtetit. Është gjendje ku shteti shihet pronë e partisë, e partia pronë e familjes; e çdokush tjetër jashtë rrethit si ky është i pavlerë, i papeshë, është “zagar”. Ajo dallon nga “familjet” e tjera që sot shpeshherë mund t’i shohim në getot evropiane meqë është e legalizuar. Ajo sot madje pranohet e promovohet publikisht me naivitetin më të madh të mundshëm nga krijuesit, mbajtësit e promovuesit e saj. Naiviteti megjithatë nuk është brenga që duhet të ketë Kosova. Të tillë naivë do të kemi në mesin tonë gjithmonë. Kosova duhet të brengoset për nivelin e durimit që ka, për prezencën e inferioritetit e për mungesën e guximit. Guximi ndonjëherë e kapërcen një gjeneratë të tërë njerëzish. Ata thjesht ndihen të paobliguar për të mbrojtur dinjitetin e vendit. Përkundër të kapërcyerve, cilado gjeneratë që e kthen guximin prapa në këtë vend do të ketë dhe çelësin e ecjes sonë të mbarë. Ata do të meritojnë gjithë lavdin. E deri atëherë, paçim mëshirën e La Famiglia-s!
Opinion i nënshkruar: Lumir Abdixhiku