Vuajnë nga aftësi të kufizuara, por mbi shpatulla duhet të mbajnë edhe një tjetër dhimbje atë të braktisjes nga familjarët e tyre. Konkretisht bëhet fjalë për më shumë se 84 persona në të gjithë vendin që për vite me radhë janë trajtuar në qendrat e përkujdesit social, por për shkak të rritjes së moshës ata nuk mund të vijojnë marrjen e kujdesit të specializuar pranë këtyre qendrave. Një pjesë e konsiderueshme e këtyre personave janë braktisur nga familjarët e tyre prej vitesh, ndërkohë që për shumë të tjerë pasi ka mbaruar cikli i trajtimit pranë qendrës familjarët e tyre kanë refuzuar ti rimarrin duke ngritur pretendimet se nuk kanë mundësi dhe kushte për ti mbajtur. Kundrejt kësaj situate shqetësuese ekspertët e Shërbimit Social Shtetëror kanë deklaruar se janë bërë disa herë tentativa për rikthimin e këtyre personave në familjet e tyre, por këto të fundit vijojnë ti refuzojnë. Nga ana tjetër arritja e moshës 25 vjeçare nuk i lejon më këta persona që të qëndrojnë në qendrat e përkujdesit social që funksionojnë në rrethe të ndryshme apo dhe në kryeqytet. “Ne po përballemi me një problem që është delikat. Janë rreth 84 persona me aftësi të kufizuar mbi moshën 24-vjeçare që janë në qendrat tona të zhvillimit. Mund të konsiderohen si të braktisur nga familja e tyre biologjike. Kjo po ndikon negativisht edhe në cilësinë e standardet e shërbimit në qendrat tona të zhvillimit”, deklaron specialisti në Shërbimin Social Shtetëror Gëzim Tushi. Si rrjedhojë e refuzimit të familjarëve për ti marrë, drejtuesit e këtyre shërbimeve janë detyruar që ti mbajnë pranë qendrave të përkujdesit të gjithë këta persona, edhe pse jashtë rregullave të përcaktuara. Kjo pasi në këto qendra kujdesi ofrohet për mosha më të vogla, teksa edhe tipologjia e shërbimeve që ofrohet ndaj tyre është e ndryshme nga ajo për të cilën kanë nevojë më të rriturit. Një grup ekspertësh pranë këtij shërbimi po rishikon mundësinë e gjetjes së një zgjidhjeje të mundshme për strehimin e këtyre personave me aftësi të kufizuara. Kundrejt këtij fenomeni shqetësues, Tushi shton se ngritja e një qendre kombëtare zhvillimi për personat me aftësi të kufizuara në moshë të rritur klasifikohet si një ndër mundësitë më të mira që do ti japë zgjidhje strehimit të kësaj shtrese, të cilat refuzohen nga familjarët e tyre. “Ajo që është e dëmshme për këto qendra është prania në to e njerëzve që janë mbi 25 vjeç dhe nganjëherë janë edhe në nivele të larta moshimi si të thuash. Një qendër e tillë me këtë lloj përbërje, me këtë konglomerat moshor nuk bën të mundur një punë të kualifikuar. Është një ide e debatueshme, akoma nuk është miratuar si të thuash që të krijojmë një qendër socio-sanitare kombëtare, në të cilën të grumbullojmë të paktën një pjesë të këtyre që janë në kufi shumë të lartë moshor”, deklaron më tej Tushi.