Familjet shqiptare po përqafojnë një tendencë të re, atë të birësimit të fëmijëve të braktisur edhe në rastet kur kanë fëmijët e tyre biologjikë. Kjo tendencë ecën paralelisht me paragjykimet raciale, pasi fëmijët romë apo ata me probleme shëndetësore vijojnë të birësohen vetëm nga çiftet e huaja jashtë vendit
Pranvera Kola
Ndonëse kanë fëmijë të tyre biologjikë, kërkojnë edhe të birësojnë fëmijë të tjerë me statusin e jetimit. Është kjo tendenca e re që po përqafojnë familjet shqiptare së fundmi. Duke u ndalur tek ky tregues, drejtoresha e shtëpisë së fëmijës nga 0 në 5 vjeç, Rudina Hoxha, theksoi dje se birësimi nuk shihet vetëm si një mundësi e sigurimit të së drejtës prindërore nga çiftet që nuk mund të lindin fëmijë në kushte natyrale.
Por pavarësisht këtij fakti paragjykimet raciale bëjnë pjesë ende në mentalitetin e familjeve shqiptare, çka tregohet me faktin se birësimi i fëmijëve rom shfaqet vetëm si preferencë e shumë çifteve të huaja.
“Në birësimin vendas një gjë që është vënë re në këtë periudhë dhe që është për t’u vlerësuar, është fakti që kemi pasur edhe raste konkrete të tre familjeve që kanë pasur fëmijë biologjikë dhe kanë ardhur e kanë birësuar një fëmijë nga qendra jonë.
“Ndërsa një fëmijë i cili birësohet jashtë territorit të Shqipërisë, është fëmijë që mund të jetë me probleme të ndryshme shëndetësore, ose fëmijë me ngjyrë, që i përkasin komunitetit rom apo egjiptian”, bën të ditur Rudina Hoxha.
Të dhënat e bëra publike nga strukturat shëndetësore tregojnë se vetëm gjatë vitit të shkuar, jo pak por 30 foshnja u braktisën pranë materniteteve që pas lindjes. Ndërkohë që 17 të tjerë u braktisën nga prindërit e tyre të cilët nuk kishin mundësi ekonomike për t’i rritur. Kjo pavarësisht faktit që një pjesë e këtyre prindërve marrin ndihmë nga institucione të ndryshme shtetërore dhe organizata joqeveritare. “Numri i fëmijëve të cilët janë jetimë socialë është vetëm katër dhe kjo është një arritje për këtë institucion, pasi ky numër ka qenë 17 dhe ka arritur në 4 falë një projekti që institucioni ynë realizon në bashkëpunim me “Bethany Christian Service” duke u dhënë ndihmë familjarëve të këtyre fëmijëve, pasi bëhet një analizë e kushteve ekonomike në të cilat ata jetojnë.
Atëherë u sigurohet një shtëpi me qira, një punë, që të kenë mundësi që këta fëmijë t’i marrin dhe t’i rrisin në ambientet e tyre familjare”, shton më tej drejtoresha e shtëpisë së fëmijës.
Këto të dhëna u bënë publike gjatë ceremonisë së përurimit të paneleve diellore për ngrohjen kësaj shtëpie ku rriten foshnjat e braktisura, ndihmë e dhënë nga PNUD. Sistemi i instaluar është shoqëruar gjithashtu edhe me pajisjet përkatëse të monitorimit, të cilat mundësojnë të dhëna të sakta mbi eficiencën e tij, për t’u përdorur për qëllime studimore dhe promovimin e mëtejshëm të këtyre sistemeve në Shqipëri.
Rreth 70 për qind e ngrohjes në këtë godinë do të realizohet me anë të energjisë diellore, ndërsa paratë e kursyera do të përdoren për 40 fëmijë që aktualisht po trajtohen në këtë qendër. Detajet e raportuara nga Shërbimi Social Shtetëror pak ditë më parë treguan se gjatë vitit të shkuar janë rikthyer nga institucionet publike dhe jopublike në familjet biologjike 34 fëmijë, janë realizuar 53 birësime të fëmijëve nga institucionet publike të përkujdesit social, si dhe në bashkëpunim me pushtetin vendor për aplikimin e projektit pilot për vendosjen e fëmijëve në familje kujdestare të përkohshme, kanë kaluar në kujdestari të përkohshme 66 fëmijë.
