Nëse para shumë vitesh fanellën me numrin 10 në Botëror e mbanin lojtarë që kanë shkruar historinë e futbollit, tani nuk ndodh më e njëjta gjë. Dy nga yjet e futbollit Botëror si Diego Armando Maradona dhe braziliani Pele kanë udhëhequr vendet e tyre në fitimin e Kupës së Botës pikërisht me numrin 10 mbi shpinë, ndërkohë që kur jemi vetëm pak ditë larg nga starti i Botërorit në Brazil një pjesë e madhe e lojtarëve që mbajnë numrin më të dëshiruar nga vetë futbollistët mund të përfundojnë në stolin e rezervave.
E nisim nga Antonio Cassano, është pikërisht lojtari i Parmës ai që mban fanellën me numër 10 te përfaqësuesja italiane dhe Fantantonio pavarësisht se do të luajë për herë të parë në një Kupe Bote në karrierën e tij, sipas të gjitha gjasave do ta nisë ndeshjen ndaj Anglisë nga stoli pasi Cesare Prandelli përpara tij në sulm preferon Mario Ballotellin. Numri 10 tradicionalisht nënkupton futbollistin më të talentuar dhe me më shumë vizion për lojën, megjithatë në Brazil ky numër do të mbahet edhe nga lojtarë që luajnë përpara mbrojtjes dhe që do të përpiqen të shkatërrojnë aksionet e kundërshtarëve. Shembulli më konkret është nigeriani Jon Obi Mikel.
Te kampionët e Botës në fuqi numrin 10 e mban mesfushori i Barcelonës, Cesc Fabregas megjithatë është më shumë një rezervë sesa një titullar në skuadrën e drejtuar nga Vicente Del Bosque. Fanellën me numër 10 në Brazil do ta mbajë edhe një futbollist shqiptar pikërisht Granit Xhaka. Por edhe pse ka qenë një titullar fiks paraqitjet e dobëta me klubin e tij kohët e fundit kanë bërë që trajneri Zvicrës, Otmar Hitzfield ta humbasë disi besimin te Xhaka dhe nuk dihet nëse futbollisti i Borussia Moenchengladbach do të luajë si titullar me helvetët në Brazil. Te Portugalia numrin 10 nuk mban ylli i skuadrës Cristiano Ronaldo, por një lojtar i panjohur si Vierinha që me shumë mundësi në Brazil do të ngrohë stolin e luzitanëve.
Edhe Gjermania numrin 10 nuk ia ka besuar Mesut Ozil por shokut të tij te skuadrës te Arsenali, sulmuesit Lukas Podolski. Por pavarësisht se numri 10 në Brazil do të mbahet nga lojtarë që edhe mund të ngrohin stolin do të ketë edhe shumë yje që do të mbajnë mbi shpinë fanellën me numrin magjik, ku mbi të gjithë bien në sy Lionel Messi, Neymar, Luka Modric, Eden Hazard, Diego Forlan, Karim Benzema, Wayne Rooney e Wesley Sneijder.
