Fantazmat e së shkuarës vërtiten rrugëve të Brazilit. Historia hap një plagë të dhimbshme për një komb që ka luftuar shumë në fushën e blertë për të mbuluar zhgënjimin e asaj tragjedie kombëtare që pllakosi në vendin e Sambas më shumë se 60 vjet më parë. Por fqinjit të vogël si në dimensione gjeografike edhe në ato futbollistike sepse ajo fitore në finalen e Kupës së Botës së vitit 1950 është një nga arritjet më të mëdha kombëtare. Bëhet fjalë për Uruguajin, skuadra që rreth 6 dekada më parë ngriu stadiumin “Maracana” duke fituar finalen e madhe kundër Brazilit me finalen 2-1 edhe pse vendasit kishin përgatitur festën e trofeut të parë botëror prej shumë ditësh. Në fakt, një fantazmë fotokopje e golit të dytë që hidhëroi një komb të tërë, po shfaqet këto ditë në rrugët e Rios. Ajo është e veshur e gjitha në të kaltër dhe çka e bën edhe më të hidhur praninë e saj është edhe numri 50 që personifikon vitin e largët 1950. Ai është një mankth, jeton aty, përditë ushqehet me kujtimet e së shkuarës dhe kërcënon të ardhmen e një vendi që futbollin e ka fe. A do t’ia dalë mbanë Uruguaji ta prishë sërish festën Samba? Dallëndyshja e parë mbërriti në tokën e Brazilit, ndoshta nuk është sinjal se pranvera uruguaiane do të lulësojë sërish në “Marakana”, por ajo është një sinjal i qartë se Uruguaji do të mbërthehet pas historisë për të kërkuar madhështinë në të ardhmen dhe djemtë e Scolarit duhet të bëjnë kujdes.
