Farmacistët e rinj/ Kushtet për vijimin e praktikës dhjetor 2019-mars 2020

Ornela

Regjistrimet për ndjekjen e praktikës profesionale tre mujore ( që është detyrueshme për vijimin e procedurave të licencimit për farmacistët e rinj), nis javën e ardhshme. Çdo kandidat që është diplomuar së fundmi në këtë profil, dhe që nuk ka ndjekur praktikën profesionale, duhet të paraqitet pranë Urdhrit të Farmacistit për të zyrtarizuar regjistrimin për vijimin e praktikës në subjektet e lejuara. Sipas kushteve të përcaktuara, vijimi i praktikës mund të kryhet vetëm në farmacitë e rrjetit të hapur, ose në ato spitalore nën drejtimin e një farmacisti me jo më pak se 3 vite përvojë pune

Afatet e regjistrimit

Autoritetet e këtij urdhri kanë konfirmuar gjatë ditës së djeshme se farmacistët e rinj kanë dy ditë kohë në dispozicion për të plotësuar dhe dorëzuar dosjen e regjistrimit për ndjekjen e praktikës përgjatë muajve dhjetor 2019, si dhe janar, shkurt, mars 2020. “Regjistrimet për kryerjen e praktikës profesionale për sezonin dhjetor 2019-Mars 2020 do të kryhen në datat 18 dhe 19 dhjetor, nga ora 14:30-16:30, pranë zyrave të Urdhrit. Kandidati duhet të paraqitet personalisht për të dorëzuar dosjen e kërkuar të dokumenteve për regjistrim në afatet e përcaktuara’, bëjnë me dije autoritetet e Urdhrit të Farmacistit. Në dosjen e dokumenteve që duhet të dorëzoni duhet të përfshini:“Kërkesë vetëdeklarim, kontratë tip për kryerjen e praktikës profesionale, fotokopje e certifikatës së anëtarësimit në Urdhrin e Farmacistit të drejtuesit të praktikës, fotokopje te noterizuar të diplomës dhe listës së notave, fotokopje e kartës së identitetit, raport mjeko-ligjor, fotokopje e plan-vendosjes së farmacisë, 3 fotografi, si dhe mandat pagesën prej 10 mijë lekësh të derdhur në numrin e përcaktuar të llogarisë në një nga bankat e nivelit të dytë”. Në rast se kandidatët nuk mund të gjejnë vetë një subjekt farmaceutik, ata do të orientohen nga urdhri në lidhje me farmacitë e mundshme ku mund të ndjekin praktikën profesionale.

Detyrimet për praktikantin

Gjatë ndjekjes së praktikës praktikanti duhet të përmbushë këto detyrime: “Të respektojë drejtuesin e praktikës në përputhje të plotë me normat e etikës dhe Kodit Deontologjik Farmaceutik, të qëndrojë në farmacinë ku kryen praktikën gjatë gjithë periudhës së praktikës, të respektojë orarin e caktuar dhe të pranojë në fund të praktikës vlerësimin e bërë nga drejtuesi i praktikës.

Duhet të dini se praktika është program i detyrueshëm mësimor, shlyerja e të cilës është vendimtare për hyrjen më pas në provimin e shtetit ku dhe do të siguroni lejen për ushtrimin e këtij profesioni. Nga ana tjetër bëhet e ditur se praktikanti që fiton të drejtën e anulimit të kontratës ekzistuese të lidhur me subjektin ku po ndjek praktikën, për periudhën e mbetur nënshkruan kontratë me një drejtues tjetër praktike.

Mbulimi i sigurimeve për praktikantët

Gjatë zhvillimit të praktikës profesionale me mbikqyrje, praktikantit i paguhen sigurimet shoqërore dhe sigurimet shëndetësore nga subjekti pranë të cilit ai kryen praktikën. Palët duhet të zgjidhin me mirëkuptim çdo mosmarrëveshje që mund të lindë si rrjedhojë e zbatimit të kontratës së lidhur për ndjekjen e praktikës.

Testi i aftësimit praktik

Në përfundim të praktikës secili kandidat do t’i nënshtrohet testit të aftësimit praktik, ku do të dëshmojnë edhe njohuritë e fituara gjatë praktikës. Vetëm kandidatët që do të kalojnë me sukses provimin e praktikës do mund të hyjnë në sezonin e provimeve të shtetit për të siguruar lejen e ushtrimit të profesionit. Kandidatët që nuk marrin rezultatet kaluese në testin e aftësimit praktik, duhet ta rihapin atë sërish gjatë sezoneve të vitit të ardhëshëm.

Kategoritë që përjashtohen

Sipas kushteve të përcaktuara në rregulloren e praktikës, mund të përjashtohen plotësisht, apo pjesërisht nga detyrimi për kryerjen e praktikës profesionale, të gjithë kandidatët që provojnë se për një periudhë të caktuar kohore, kanë ushtruar profesionin përkatës, apo kanë kryer praktikën profesionale jashtë vendit, që i ka dhënë mundësi të përvetësojë dije profesionale të mjaftueshme në fushën e farmaceutikës.

Për t’u bindur nëse përvoja e kandidatit është e mjaftueshme aq sa për ta përjashtuar nga ndjekja e praktikës, autoritetet drejtuese të këtij urdhri, do të kërkojnë edhe dokumentin përkatës të lëshuar nga institucioni ku kandidati ka ndjekur këtë formim.

Kreditet për farmacistët mbikqyrës

Farmacistët që kanë mbi tre vjet përvojë pune dhe që gjatë kësaj kohe do të marrin përsipër që të udhëheqin praktikat profesionale të këtyre kandidatëve do të shpërblehen me kredite. Këto kredite do të jenë të vlefshme më pas për përmbushjen e detyrimeve të programit të edukimit në vazhdim. Kështu, për udhëheqjen e një praktikanti gjatë një cikli të plotë praktike farmacisti do të përfitoje 10 kredite të vlefshme për përmbushjen e programit të edukimit në vazhdim.

Për regjistrim në ndjekjen e praktikës duhet të dorëzoni:

Kërkesë.

Vetëdeklarim.

Kontratë tip për kryerjen e praktikës profesionale.

Fotokopje e certifikatës anëtarësimit në UFSH të drejtuesit të praktikës.

Fotokopje te noterizuar të diplomës dhe listës së notave.

Raport mjeko-ligjor.

Tre (3) fotografi (3×3.5 cm).

Mandat pagesën në shumën 10000 lekë

Fotokopje e kartës së identitetit.

Plan-vendosja e farmacisë (,fotokopje).

 

Drejtuesi i praktikës duhet të:

  • Të jetë profesionist me përvojë jo më pak se 3 vjetësh.
  • T’i sigurojë praktikantit kushtet e nevojshme për realizimin e një praktike efektive.
  • T’i bëjë një vlerësim të drejtë dhe të paanshëm njohurive të praktikantit dhe të pajisë praktikantin me Formularin e Vlerësimit të Praktikës.
  • Të drejtojë praktikën profesionale në përputhje të plotë me standardet, parimet dhe normat e Kodit Deontologjik Farmaceutik, si dhe me legjislacionin farmaceutik në fuqi.
  • T’i kërkojë praktikantit respektimin e orarit dhe ta dokumentojë atë në librezën e praktikës profesionale.
  • T’i kërkojë Praktikantit kryerjen e praktikës profesionale në përputhje me rregulloren e UFSH për praktikën profesionale.
  • Të anulojë kontratën në rast shkeljeje të detyrimeve të saj nga ana e praktikantit dhe të njoftojë strukturat më të afërta të UFSH-së.
Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *