Pranvera Kola – DITA
Për të hyrë në testimin e licencës në fund të vitit, farmacistët e rinj duhet të shlyejnë më parë detyrimet e praktikës profesionale që do të zhvillohet përgjatë muajve korrik-tetor.
Drejtuesit e Urdhrit të Farmacistit kanë konfirmuar ditën e djeshme të gjithë procedurën e regjistrimit që duhet të ndjekin studentët që sapo kanë përfunduar studimet në degën e farmacisë, si dhe kandidatët e diplomuar në vitet e shkuara, por që nuk kanë ndjekur praktikën profesionale, e për rrjedhojë nuk kanë mundur të konkurrojnë as për licencën profesionale.
Secili prej këtyre kandidatëve duhet të paraqitet pranë këtij Urdhri në afatet e caktuara, për të dorëzuar dosjen e dokumenteve të kërkuara për zyrtarizimin e ndjekjes së praktikës.
Afatet e regjistrimit
Një javë është koha e lënë në dispozicion të farmacistëve të rinj që do të aplikojnë për praktikën profesionale tre mujore. Regjistrimet do të nisin në datën 10 korrik, e deri në këtë datë duhet të kenë gjetur edhe subjektin farmaceutik ku do të zhvillojnë praktikën për pesë ditët e javës sipas orarit të përcaktuar.
“Regjistrimet për kryerjen e praktikës profesionale për sezonin korrik-tetor do zhvillohen gjatë periudhës 10-17 korrik. Praktika profesionale duhet të zhvillohet në farmacitë e rrjetit të hapur, ose atyre spitalore, nën drejtimin e një farmacisti me jo më pak se 3 vite përvojë pune. Praktikanti është i detyruar që të kryejë punën e tij përgjatë orarit 08:0-14:00”, bëjnë me dije autoritetet e Urdhrit të Farmacistit.
Në rregulloren e praktikës, saktësohet se një farmacist nuk mund të drejtojë më shumë se sa një praktikant.
Praktikanti duhet të paraqitet personalisht për t’u regjistruar pranë zyrave të Urdhrit të Farmacistit, duke dorëzuar dosjen e kërkuar të dokumenteve, ku duhet të përfshini: “Kërkesën për ndjekjen e praktikës, vetëdeklarimin, kontratën tip për kryerjen e praktikës profesionale, fotokopjen e certifikatës së anëtarësimit në Urdhër të drejtuesit të praktikës, fotokopjen e noterizuar të diplomës dhe listës së notave, fotokopje të kartës së identitetit, raportin mjeko-ligjor, fotokopje e plan-vendosjes së farmacisë, 3 fotografi detyrimisht në formatin 3 me 3.5 cm, si dhe mandat pagesën e tarifës së përcaktuar për ndjekjen e praktikës”.
Tarifa që duhet të paguani për praktikën
Tarifa që duhet të derdhni për vijimin e praktikës është e njëjtë me atë që aplikohet në rastet kur kandidati do të hyjë në provimin e shtetit për herë të parë, për të fituar licencën.
Konkretisht, gjatë regjistrimit për vijimin e praktikës duhet të dorëzoni edhe mandat pagesën prej 10,000 lekësh, të derdhur në një nga bankat e nivelit të dytë.
Gjatë ndjekjes së praktikës, lidhet kontrata përkatëse ndërmjet kandidatit dhe subjektit ku do të kryejë praktikën, profesionisti i të cilës merr përsipër përgatitjen profesionale të praktikantit për përvetësimin efektiv të njohurive teknike, praktike dhe etike të profesionit të farmacistit.
Çdo kandidat është i detyruar që të paraqitet në zyrën qendrore të Urdhrit për t’u regjistruar dhe pajisur me dokumentacionin e nevojshëm për fillimin e praktikës profesionale.
Ndërkohë që do të jetë po ky institucion që do të vlerësojë në fund edhe ecurinë e ndjekjes së praktikës nga kandidati, sipas përshkrimeve dhe vlerësimeve të bëra nga udhëheqësi i praktikës.
Shpëtojnë nga detyrimi i praktikës
Sipas rregullores, përjashtohen plotësisht, apo pjesërisht nga detyrimi për kryerjen e praktikës profesionale, të gjithë kandidatët që provojnë se për një periudhë të caktuar kohore, kanë ushtruar profesionin përkatës, apo kanë kryer praktikën profesionale jashtë vendit, që i ka dhënë mundësi të përvetësojë dije profesionale të mjaftueshme në fushën e farmaceutikës.
Për t’u bindur nëse përvoja e kandidatit është e mjaftueshme aq sa për ta përjashtuar nga ndjekja e praktikës, autoritetet drejtuese të këtij urdhri, do të kërkojnë edhe dokumentin përkatës të lëshuar nga institucioni ku kandidati ka ndjekur këtë formim.
Pasi regjistrohet kandidati regjistrohet për vijimin e praktikës, do të pajiset me këtë listë dokumentesh, siç janë: “Leje individuale, e cila i jepet praktikantit që plotëson kriteret e kryerjes së praktikës për periudhën e përcaktuar, kartën e praktikantit që është dokument identifikimi profesional, programin e praktikës profesionale, librezën e praktikes, si dhe formularin e vlerësimit të praktikantit që do te firmoset nga drejtuesi i praktikes”. Këto dokumente janë të vlefshme vetëm për periudhën e praktikës profesionale.
Kreditet për farmacistin udhëheqës
Farmacistët që kanë mbi tre vjet përvojë pune në këtë profesion dhe që gjatë kësaj kohe do të marrin përsipër që të udhëheqin praktikat profesionale të këtyre kandidatëve do të shpërblehen me kredite. Këto kredite do të jenë të vlefshme më pas për përmbushjen e detyrimeve të programit të edukimit në vazhdim për 2017.
“Kështu, për udhëheqjen e një praktikanti gjatë një cikli të plotë praktike farmacisti do të përfitoje 10 kredite të vlefshme për përmbushjen e programit të edukimit në vazhdim”, saktësohet në rregulloren e praktikës.
Testimi final për kalimin e praktikës
Në përfundim të praktikës, kandidati dorëzon të plotësuar pranë zyrës qendrore të Urdhrit ët Farmacistit, formularin e vlerësimit të praktikantit, si dhe vërtetimin përkatës.
Pas verifikimit dhe vlerësimit të formularit dhe dokumentacionit të dosjes së praktikes, ky urdhër vendos për regjistrimin e kandidatit në testin final të praktikës.
Ky testim do të zhvillohet përgjatë muajit tetor dhe do të jetë vetëm me gojë. Çka do të thotë se kandidati do të testohet nga një komision ekspertësh për dijet e fituara gjatë katër muajve të ndjekjes së praktikës.
Provimi i praktikës konsiderohet i kryer vetëm pas vlerësimit pozitiv të dhënë nga komisioni. Konkretisht, testimi i aftësimit praktik cilësohet pozitiv, nëse kandidati është vlerësuar me 50-100 pikë.
Ndërsa ata që do të marrin më pak pikë se sa ky kufi i përcaktuar, duhet që të japin nga e para provimin, por për këtë duhet të presin sezonin e vitit të ardhshëm kur do të zhvillohen testimet e radhës të praktikës profesionale. Hyrja në provimin e praktikës lejohet deri në pesë herë.
Nëse kandidati do të dështojë edhe herën e pesat, ai nuk mund të ushtrojë më profesionin përkatës.
Provimi i licencave në fund të vitit
Të gjithë kandidatët që do të kalojnë me sukses provimin e praktikës do mund të hyjnë në sezonin e radhës të provimeve të shtetit që do të zhvillohet në mbyllje të këtij viti për licencimin e farmacistëve të rinj.
Marrja e rezultateve kaluese në këtë provim e lejon kandidatin që të pajiset me lejen e ushtrimit të profesionit. Janë me qindra kandidatët që janë në pritje të këtij sezoni testimesh për të konkurruar për licencën.
Dokumentet që duhet të dorëzoni për praktikën:
- Kërkesën me shkrimin për vijimin e praktikës.
- Vetëdeklarimin.
- Kontratën tip për kryerjen e praktikës profesionale.
- Fotokopjen e certifikatës anëtarësimit në UFSH të drejtuesit të praktikës.
- Fotokopjen e noterizuar të diplomës dhe listës së notave të praktikantit.
- Fotokopjen e Kartës së Identitetit.
- Raportin mjeko-ligjor.
- Fotokopjen e plan-vendosjes së farmacisë.
- Tre fotografi detyrimisht në formatin 3×3.5 cm.
- Mandat pagesën në shumën 10000 lekë të derdhur në një prej bankave të përcaktuara.
- Praktikanti duhet të paraqitet personalisht për t’u regjistruar në datat 10-17 korrik.
- Praktika do të zhvillohet përgjatë muajve korrik-tetor, në përfundim do të zhvillohet edhe testimi final.
