Farmacistët që duhet të ndjekin praktikën e detyruar 3-mujore

Pranvera Kola

Pranvera Kola-DITA 

Gjatë zhvillimit të praktikës profesionale, praktikantit i paguhen sigurimet shoqërore dhe sigurimet shëndetësore nga subjekti pranë të cilit ai kryen praktikën profesionale. 

Deri në mbyllje të javës të gjithë të diplomuarit gjatë viteve të fundit në profilin e farmacistit duhet të regjistrohen për të ndjekur praktikën e detyruar tre mujore, rezultatet pozitive të së cilës lejojnë vijimin e procedurave të pajisjes me lejen e ushtrimit të profesionit.

Praktikantët duhet të paraqiten personalisht pranë zyrave përgjegjëse të Urdhrit të Farmacistit për të bërë regjistrimin për vijimin e praktikës, ndjekja e të cilës kushton 10 mijë lekë. Data 22 dhjetor është përcaktuar si afati i fundit për pranimin e dosjes së regjistrimit për të gjithë praktikantët e këtij sezoni.

Drejtuesit e Urdhrit të Farmacistit bëjnë me dije se praktika profesionale lejohet të kryhet vetëm në farmacitë e rrjetit të hapur ose ato spitalore, nën drejtimin e një farmacisti me jo më pak se 3 vjet përvojë pune.

Gjatë ndjekjes së praktikës, lidhet kontrata përkatëse ndërmjet kandidatit dhe subjektit ku do të kryejë praktikën, profesionisti i të cilës merr përsipër përgatitjen profesionale të praktikantit për përvetësimin efektiv të njohurive teknike, praktike dhe etike të profesionit të farmacistit.

Konkretisht, për t’u regjistruar për kryerjen e praktikës profesionale, duhet të paraqisni në zyrën e këtij Urdhri dokumentet si në vijim: “Kërkesë vetëdeklarim, kontratë tip për kryerjen e praktikës profesionale, fotokopje e certifikatës së anëtarësimit në Urdhrin e Farmacistit të drejtuesit të praktikës, fotokopje te noterizuar të diplomës dhe listës së notave, fotokopje e kartës së identitetit, raport mjeko-ligjor, fotokopje e plan-vendosjes së farmacisë, 3 fotografi, si dhe mandat pagesën prej 10 mijë lekësh të derdhur në numrin e përcaktuar të llogarisë në një nga bankat e nivelit të dytë”.

Në rregulloren e praktikës saktësohet se janë një sërë kategorish që mund të shpëtojnë nga ky detyrim. “Përjashtohen plotësisht, apo pjesërisht nga detyrimi për kryerjen e praktikës profesionale, të gjithë kandidatët që provojnë se për një periudhë të caktuar kohore, kanë ushtruar profesionin përkatës, apo kanë kryer praktikën profesionale jashtë vendit, që i ka dhënë mundësi të përvetësojë dije profesionale të mjaftueshme në fushën e farmaceutikës.

Për t’u bindur nëse përvoja e kandidatit është e mjaftueshme aq sa për ta përjashtuar nga ndjekja e praktikës, autoritetet drejtuese të këtij urdhri, do të kërkojnë edhe dokumentin përkatës të lëshuar nga institucioni ku kandidati ka ndjekur këtë formim”, përcaktohet në rregulloren e praktikës. Autoritetet e Urdhrit të Farmacistit bëjnë me dije se gjatë zhvillimit të praktikës profesionale, praktikantit i paguhen sigurimet shoqërore dhe sigurimet shëndetësore nga subjekti pranë të cilit ai kryen praktikën profesionale.

Ndërsa farmacistët që kanë mbi tre vjet përvojë pune në këtë profesion dhe që gjatë kësaj kohe do të marrin përsipër që të udhëheqin praktikat profesionale të këtyre kandidatëve do të shpërblehen me kredite. Këto kredite do të jenë të vlefshme më pas për përmbushjen e detyrimeve të programit të edukimit në vazhdim për 2017-2018.

“Kështu, për udhëheqjen e një praktikanti gjatë një cikli të plotë praktike farmacisti do të përfitoje 10 kredite të vlefshme për përmbushjen e programit të edukimit në vazhdim”, specifikohet më tej në rregulloren e zhvillimit të praktikës profesionale për këtë kategori.

Në përfundim të praktikës secili kandidat do t’i nënshtrohet testit të aftësimit praktik. Vetëm kandidatët që do të kalojnë me sukses provimin e praktikës do mund të hyjnë në sezonin e provimeve të shtetit për të siguruar lejen e ushtrimit të profesionit (licencën profesionale).

 

 

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *