Hyn në vitin e fundit programi i mbledhjes së krediteve për ruajtjen e vendeve të punës për personelin mjekësor. Mjekët, farmacistët dhe stomatologët që janë me mungesa të krediteve të kërkuara për çdo vit, duhet të shfrytëzojnë muajt e këtij viti për të ndjekur aktivitetet e akredituara. Në të kundërt do të rrezikojnë vendin e punës, teksa parashikohet edhe përfshirja e tyre në testimet individuale për njohuritë e fituara mbi profesionin gjatë këtyre viteve të zbatimit të programit të certifikimit. Ndonëse nuk janë shpallur ende të dhënat konkrete nga institucionet përgjegjëse, thuhet se janë ende me qindra mjekët, dentistët dhe farmacistët që në katër vitet e parashikuara të programit nuk kanë siguruar asnjë kredit. duke marrë shkas nga kjo situatë burimet zyrtare të Urdhrit të Farmacistëve kanë komunikuar gjatë ditës së djeshme detyrimet që duhet të përmbushin farmacistët në plotësimin e krediteve të kërkuara për vitin e fundit të këtij programi. “Numri i krediteve për ciklin e parë 5 vjeçar për farmacistët është 100 kredite. Të gjithë personat të cilët janë anëtarësuar në Urdhrin e Farmacistëve në 4 mujorin e parë të vitit duhet të përmbushin numrin e detyrueshëm të krediteve për një vit që është 20. Nëse janë anëtarësuar pas 4 mujorit të parë të vitit atëherë detyrimi i tyre për kredite të këtij viti është zero. Kreditet mund të mbarten nga njëri vit tek tjetri”, thuhet nga burimet zyrtare të këtij urdhri.