Nga Artan XH. DUKA
Britania e Madhe e la BE duke krijuar një rebus marramendës politik për fatin e kontinentit europian. Në fund të fundit, vullneti referendar është absolut. E vërteta nuk është domosdo me shumicën, por kjo është demokracia dhe nëse ka dilema, ato janë tani dilemat e vetë “krizës“ së demokracisë funksionale. Për shumë syresh vota nuk është shkopi magjik universal për gjithshka dhe kriza e sotme është distancimi i beftë ndaj prirjes historike të integrimit si vlerë universale dhe tundimit ndaj reminishencave të nacionalizmit “mesjetar”.
Por pa ja qarë hallet “kalorësit“ se i varen këmbët – Mbretëria e Bashkuar e di më mirë vetë se si do të kullandrisë fatin e saj përballë sfidave të reja si negocimet e fati i atraktivitetit ekonomiko-tregtar, problemi Gjibraltar, Irlandë e Veriut, Skoci etj, implikimet janë të pashmangshme për mbarë BE dhe vëndet aspirante drejt saj.
Plot 26 vjet kemi që llapim për BE por deri tek “gardhi“ i jashtëm na kanë qasur deri më tani. Ca për kusuret tona, ca për hipokrizi e paradokse të BE. Na shesin moral gjithë ditën për rregulla dhe standarte demokratike dhe ndërkohë flirtojnë me zullumqarët e politikës shqiptare që i kanë marrë peng këto standarte sistematikisht. Përdorin si pretekse dështimet në demokraci për të mbajtur mbyllur dyert e BE dhe ndërkohë bëjnë “tutorin“ e liderave autoritaristë historikë si Berisha e kompani në PD që si të vetmit faktor konstant në këto 26 vjet, janë përtej çdo dileme “macja e zezë“ e perspektivës kombëtare e demokratike në vënd.
Prej sot, BE nuk është më ajo BE që politika servile dhe zullumqare shqiptare e tranzicionit e përdori sa i donte qejfi si retorikë për të sfumuar pisllëqet e saj. Ne nuk jemi Britania e Madhe të kemi luksin e votës kundër ndaj BE por dinjiteti i një shteti nuk kufizohet nga madhësia e tij. Nëse anglezët largohen me dinjitet, ne të afrohemi po me dinjitet dhe sot politika e re nën petkun e rilindjes duhet të ballafaqohet me dinjitet përballë “kostumeve“ në Bruksel.
Reformat t’i bëjmë për vete dhe jo se i kërkojnë dhe ndërkohë që të mbajmë kusuret tona të mos mbyllim gojën për kusuret e BE. Nëse BE e SHBA kërkon reforma dhe shikon qartazi se Berisha e Co. si gjithnjë mbetet “kontrapedal” i tyre në vend, të respektojnë qytetarin shqiptar duke folur haptazi për këtë gjë dhe jo të bëjnë “kllounin” duke takuar si pikat e shiut Berishën në zyrën e tij apo folur pa teklif për hamendje në hava për trafikime votash në kuvend.
Rama të bëjë të tijën dhe ta çojë reformën e drejtësisë në kuvend. Në mos u miratoftë, të tentojë referendum, nëse e pamundur, të shkojë në zgjedhje të reja ku Perëndimi si dikur Rajersoni i bënte fresk PD në tribunat elektorale, kësaj rradhe të deklarohet haptazi pro forcave politike që aspirojnë reformë duke ia lënë vërtet barrën finale votuesit shqiptar.
Koha e demagogjisë së “ëndrrës” BE kaloi dhe sot ajo është në sprovë për të dëshmuar se është haptazi pro forcave demokratike dhe reformuese në vënd dhe jo shpurrës së abuzuese të tranzicionit që kërkon të mbijetojë në kurriz të aspiratës europiane të qytetarit shqiptar. Vëndi ka nevojë për shpresë dhe nëse nuk arrin ta nxisë nga jashtë atë, perëndimi nuk duhet ta shuajë atë me praktikat e ndërhyrjeve klienteliste në favor të forcave dhe protagonistëve të pengmarrjes demokratike në vënd, ligjëratave tip “udhëkryq“ që përgjithësojnë fajin dhe futin gjithë politikën në një thes, praktikës zhgënjyese të llotove të emigracionit që marrin trurin dhe nxisin makthin e emigrimit në kurriz të impenjimit dhe ëndrrës shqiptare në vend etj.
Shqipëra ka kusure plot, por nuk ka më pak bullgari e rumuni, polaku apo sllovaku, serbi i tre luftërave në rajon apo maqedonasi që ka arkivuar Ohrin etj, që miklohen apo janë në BE. Standarte veç për shqiptarët BE nuk ka përse të aplikojë ndërkohë që mbetet partner i politikës abuzuese në vënd. Nuk është vetëm fati i shqiptarit në këtë mes por i vetë BE sepse nëse britaniku u largua se u vel me burokraci, shqiptari e të tjerë mund t’i kthejnë kurrizin një ditë BE sepse u ra zalia duke pritur në rradhë. Dhe e humbura e madhe mbetet vetë BE sepse duke u venitur shkëlqimi i saj, shpluhurosen dhe rishfaqen qasjet nacionaliste kudo në kontinent, me Ballkanin si unik. Prej sot BE ka dy dyer, për hyrje e dalje dhe e para duhet të hapet sa më shpejt para se paniku të zërë vënd dhe “shtëpia“ të mbetet bosh.
Në fund të fundit, fati i shtetit shqiptar e tejkalon anëtarësimin në BE. Le të mbetet bonus historik por jo “sine qua non”. E nëse BE do të jetë atje kur të vijë dita jonë, të hyjmë si “zotërinj“ dhe jo si privilegjim duke na e patur po aq nevojën sa do ia kemi edhe ne si guri i vogël por unik i mozaikut europian. Në u bëftë, sepse jeta vazhdon edhe jashtë BE, sa kohë ke shtet, sikurse Norvegjia deri dje dhe sot Britania dëshmojnë. Sfida mbetet tek ne jo vetëm për të dialoguar pa komplekse me BE por dhe ringjallur ëndrrën shqiptare për komb dhe begati duke inspiruar shqiptarët kudo në botë të investojnë me përparësi në tokën e të parëve. Izraeli është ai që është sepse zemra e kujtdo izraeliti rreh për të, kudo ku ndodhet ai. Boll i hodhëm sytë nga të tjerët, t’i hedhim nga vetja.
