Askush nuk të ka harruar, askush!

Ornela

Moikom Zeqo

Mbylli sytë Fatos Arapi. Lajmi i vdekjes së tij më tronditi.

Megjithëse kisha shkruar disa herë për të, për poezinë dhe vetmijë e tij proverbiale, megjithëse kisha ngulur këmbë për të festuar përvjetorët e tij si psh. 75 vjetorin e lindjes, ose 80 vjetorin dhe 85 vjetorin, prapëseprapë nuk pati vëmendje as nga institucionet kulturore por as dhe kolegët e tij të penës nuk shkruajtën ndonjë gjë.

Hera e fundit që bisedova me Fatos Arapin qe viti i kaluar kur mbasi i rashë shumë herë telefondit fiks të shtëpisë së tij, më në fund Fatosi e ngriti dhe unë i urova Vitin e Ri 2018.

Zëri i drithëruar, plot emocion i Fatosit më erdhi si një jehonë e largët, mbase që nga fundi i shekullit të XX, por disi i blokuar dhe pa lëvizje në shekullin XXI:

-Faleminderit qe merr ne telefon Moikom,te tjeret me kane harruar!

-Askush nuk te ka harruar, askush !

***

Poeti Fatos Arapi, për gati 20 vitet e fundit nuk doli nga shtëpia e tij dhe nuk pati asnjë veprimtari në publik. Presidentët e Republikës nuk u kujtuan ta nderonin me ndonjë Dekoratë ose Urdhër të Lartë. Ministrat burokratë dhe mediokër të kulturës gjithmonë kishin një amnezi dhe nuk kujtoheshin fare se ende jetonte në këtë botë Fatos Arapi.

Para disa muajsh një Komision  Letrar i tre shteteve, i Kosovës, i Shqipërisë dhe i Malit të Zi propozoi t’i jepej Çmimi “Teuta” për vlerat e pazakonta letrare dhe artistike Fatos Arapit.

Unë u mora për një kohë me këtë çështje por nuk arrita të bisedoj me Fatosin, ndërsa vajza dhe djali i tij me  njoftuan se ky çmim refuzohej, gjë që nuk e kam kuptuar akoma dhe sot se pse.

Megjithëse qe një lloj vetmie gati e detyruar, prapëseprapë kur kujtoj krijimtarinë e Fatos Arapit, njohjet e mija të gjata dhe bisedat e pafundme me të, në mënyrë absolute nuk e kam ndjesinë e kësaj vetmie, përveç shpirtërisht një tejkalimi,- për çdo lloj vetmie,- aq më tepër të vetmisë së poetit.

***

Fatos Arapi shkëlqeu si poet në vitet ’60 të shekullit XX. Për shumë vjet në skenën letrare emri i Ismail Kadaresë, i Dritëro Agollit dhe i Fatos Arapit krijonin në studimet dhe reflektimet artistike të artikujve të shumtë studimor dhe kritik idenë  krejt konvencionale e një Triniteti të Poetëve.

Në një nga shkrimet e mëparshme unë kam shkruar , se megjithëse Fatos Arapi qe në moshë më të madhe,- kishte lindur më përpara Agollit dhe Kadaresë,- prapëseprapë poezia e tij më jepte shijen e çuditshme dhe shpesh ambikuide , -se qe poezia e një moshe më të re, gati gati e një djaloshi,- si  të lindur mbas dy të parëve.

Po pse e kisha këtë ndjesi? Nuk di ta spjegoj plotësisht. Madje nuk ka aspak asnjë rëndësi për ta spjeguar plotësisht. Poezia e Fatos Arapit u modelua si një poezi moderne dhe përgjithësisht si artikulim dhe shtjellim i lirikës qytetare të kohës së tij. Poezia dritësohej dhe përcillte sinjalet e shekullit të XX të Shqipërisë, të zhvillimeve të mëdha, të metamorfozave revolucionare, të koncepteve emancipuese dhe të një iluminimi të pareshtur dhe të kujdesshëm të vargut poetik.

Poezia moderne e Fatos Arapit në këtë kuptim qe krejt e veçantë dhe e dallueshme. Kjo ishte një meritë e patjetërsueshme e talentit dhe origjinalitetit të tij. Kjo poezi kishte në brendësi delikatesën, por edhe heroizmin,- kryesisht të Antifashizmit Shqiptar – (dihet se Fatos Arapi që në moshën 14 vjeç ka qënë partizan, me një pushkë krahëve dhe ndoshta mund të ishte vrarë para vitit 1944, por Shqipërisë do t’i mungonte poezia e tij, ndaj rasti qe i tillë që Fatosi  mbijetoi pikërisht për hir të kësaj poezie).

Kam ca kohë që po punoj për një libër të ri, për Gjergj Kastriot Skënderbeun. Siç ndodh, kam shfletuar dhe shfletoj pa pushim libra dhe dëshmi, kronika dhe studime për Gjergj Kastriotin. Dhe ja, m’u kujtua befas  se Fatos Arapi ka botuar një cikël të paharrueshëm për Gjergj Kastriot Skënderbeun vite më parë.

Po citoj një nga poezitë emblematike të ciklit:

SULLTAN MURATI DHE SHQIPTARI

Sulltan Murati qëndroi para robit të lidhur,

Nga majat e malit e peshoi me sy

Moshën e thyer, plagët, zinxhirët…

-Arnaut, pastaj pyeti, përse lufton ti,

Kur mund të jetoje dhe ndryshe?

– Sepse, padisha, u përgjigj robi,

Çdo njeri ka në kraharor një copë qielli

Dhe në të fluturon një dallëndyshe.

Imagjinojeni, që të gjithë dallëndyshen, që fluturon, në qiejt e pafund të krahërorëve të njerëzve dhe të epokave të betejave, katastrofave, por dhe fitoreve. Metafora e kësaj dallëndyshejeqë është një simbol i një rendi të lartë semantik,- në të vërtetë e përshkon dhe e ndriçon tërë veprimtarinë poetike të FatosArapit.

Dhe në vitin 2018 në 550 vjetorin e Jubileut të vdekjes së Gjergj Kastriot Skënderbeut, Fatos Arapi vdes edhe vetë. Duket sikur është delikate  dhe jo e përshtatshme për të përdorur foljen e tmerrshme “vdes”. Në frazologjinë popullore përdoret edhe shprehja me tingëllim mistik, por gjithsesi poetike “kaloi në jetë të dytë”

Poezia e Fatos Arapit megjithatë është çmuar lart. Ai është i vetmi poet shqiptar që ka fituar një çmim të lartë ndërkombëtar siç është çmimi “Kurora e Strugës”, çmim që e kanë marrë poetët e mëdhenj të shekullit të XX si Alen Ginsbergu, Iv Bonfua, Nikita Stanesku, Sanguineti etj.

Profili njerëzor i Fatos Arapit qe ai i një njeriu tejet të ndjeshëm. Rrallë herë kam parë një njeri në jetën time, që të emocionohej si ai dhe të përjetonte simbolikat e sendeve dhe të ngjarjeve. Në një nga udhëtimet në Jug të Shqipërisë shkuam bashkë në Zvërnec.

Në Ishullin e Zvërnecit është një kishë e shekullit të XII, në mjedisin e të cilës ndodhet dhe varri i një kalorësi, me një pllakë monumentale dhe të gdhendur, me dekoracion si dhe figurën e një kafke të skalitur, nën  epitafin poetik në greqisht nga i cili mësojmë se qe Kosta Karanxha, nga një familje vëndase e lidhur me aristokracinë bizantine, siç dëshmon për fisin Karanxha kronikania e Bizantit Ana Komnena.

Unë ia shpjegova Fatosit përmbajtjen e epitafit. Por atij i bëri përshtypje shumë figura e kafkës së skalitur në pllakën mbivarrore.

-Duket si kafka e Hamletit, më tha si me pëshpërimë Fatosi i nemitur.

Por mbas kësaj skene dua të sjell ndërmënd, se si Fatos Arapi në afërsi të kishës gjeti një tufë rigoni. E shkuli këtë tufë, ma zgjati mua përpara dhe më tha me zë të lartë:

– Merri frymë këtij rigoni, Moikom! Mban erë shekujsh!

***

Fatos Arapi veç të tjerave e pasuroi lirikën shqipe me motive plot lëvizshmëri dhe imazhe buçitëse të motiveve të detit. Ky poet ka thënë se dallgët janë kuajt e detit , që do ta ndjekin atë përherë nga pas. E vërtetë sa e bukur është të udhëtosh edhe drejt vdekjes dhe pas shpinës të dëgjosh se si lëvizin, hidhen lart vrapojnë me galop për të të ndjekur me dashuri të pamatur dhe pafund kuajt magjikë të detit.

Ky imazh i përfytyruar fillimisht nga vetë poeti bëhet një imazh epilogu prej sintezës e jetës krijuese të tij.

Është e pamundur të sjellësh ndërmënd bisedat pasionante që bënte ai për letërsinë. Ai ka shkruajtur dhe në prozë, romane, novela. Ka shkruajtur Kujtimet e tij. Por mbi të gjitha do të përmend veprën e tij studimore që bëri në hovin e një polemike ndërballkanike për shqiptarësinë e Eposit tonë të Veriut.

Fatos Arapi trajtoi me një vështrim të shumëfishtë krahasimtar Eposin e Veriut, shqiptarësinë e tij të padiskutueshme në raport me eposet e tjerë ballkanikë që gjallonin, lëviznin dhe funksiononin në epokën mesjetare, si dhe më pas.

***

Poeti kur shkon tek Vdekja shkon drejt Heshtjes. Ndoshta vetë Heshtja është metafora e Vdekjes. Është e vërtetë që poeti nuk flet dot më, as shkruan dot më. Por mos të harrojmë se pikërisht ato që ka shkruajtur janë shkrimi i tij institucional, janë matrikulli i botës së tij shpirtërore, individualiteti, shqetësimi dhe mrekullia e metaforave, ankthi i Dashurisë dhe  Utopia e së Ardhmes.

Ah, të mund ta gjeja atë tufën e rigonit të ishullit të Zvërnecit, të vendlindjes së Fatos Arapit, për ta mbajtur lart në këtë çast pikëllimi dhe reflektimi ! Dhe  t’i thoja të gjithëve:

– Kjo aromë shekujsh është e Fatos Arapit!

Share This Article
12 Comments
  • Me hidhërim mësova ndarjen nga jeta jonë të pedagogut tim të ekonomisë politike. Ishte vito 1953 kur një djalosh i ri hyri në klasë, me atë buzëqeshjen e tij që i panjohur na bëri të njohur, të afërt. Më pas pedagogu im, mori drejtimin për ti dhënë shoqërisë frymëzim për dashurinë ndaj këtij vendi dhe popullit që na ka lindur. TOPI RROTULLOHET”, sa i thellë mendimi, sa e madhe dashuria, dhembshuria aq e lartë dhe e fortë fjala e një poeti lirik.
    Në librin ” Çamëri, ne kurrë nuk do të harrojmë”, botim në fillim të këtij viti , në hyrjen e faqes së parë kam shkruar në nderimin e pedagogut tim pjesëzën “Heshtja…..” . Pasi poeti e kishte kuptuar se heshtja në vetvete flet më shumë se shumimi i fjalëve.
    Me pikëllim për këtë ndarje, e dhimbshme për familjen, rrethin e tij shoqëror, por e pa ndalshme, i shpreh ngushëllimet e mia të sinqerta familjes së këtijj gjiganti, pak i heshtur, por i shumë gjendur në raftet e dijes shqiptare dhe më gjerë.
    Lamtumirë pedagog i mrekullueshëm dhe poet i mendimit të thellë.
    Me respekt Fahri Dahri.
    Itali,më 11 tetor 2018

  • I dashur Zeqo:
    U pikèllova, si shumèkush tjetèr, nga vdekja e F. Arapit, e Poetit mè delikat e tè ndjerè tè shekullit XX (tè letèrsisè sonè)!
    Dhe, ky homazh tèndi, sikur mè lehtèsoi dhe do té doja tè tè falènderoja pèr tè!
    Me gjithè zemèr,
    S.

  • Vdes Shqiperia , pak nga pak dhe vetem vdese.
    Ngushellime familjes !
    Ti rronjne femijet e ta kujtojne!
    Shenim: Per sa i perket nderimeve nuk kemi kohe per PARTIZAN FATOSIN, do te nderojme ballist Mut’hatin . !!??

  • ngushellime familjes dhe u kujtofte perjete vepra e poetit tone Fatos Arapi. Shume i bukur vellimi “Ku shkoni ju statuja”? Tu kete lene urata femijeve!

  • Arnaut pèrse lufton Ti ?…çdo njeri ka nè kraharor njè copè qielli. Dhe nè tè fluturon njè dallèndyshe. Si mund tè thuhet mè bukur se kèshtu pèr heroizmat e shqipètarit ! Dallgèt janè kuajt e detit qè do ta ndjekin gjithmonè pas…Frymèzim, dashuri, nostalgji, respekt ka lènè poeti, tani qè vdekja trokiti nè heshtjen e tijè. Atè rigonin – Miokom i nderuar, do ta kèrkoj unè. Edhe sikur nuk do tè mund ta gjejè dot, dikush tjetèr do ta sjellè aromèn e lashtèsisè tè Fatos Arapit. Pushoftè nè paqe nèn dheun e lehtè !

  • Atdheu(Poezi nga Fatos Arapi)

    Atdheu është dhimbje, është dhimbje.
    Një prill i pikëlluar në shpirt.
    Atdheu është kryqi, është kryqi.
    E mban – dhe të mban ty – në shpirt.

    Atdheu është toka e premtuar.
    Ti shkel si një zot dhe s’e ke ndën këmbë
    Atdheu s’ka fjalë, ka sy të trishtuar
    Vdes dashuria në dashuri që të çmend.

    Atdheu është buka e uritur,
    të ikën nga duart e dot nuk e ngop
    ëndërr dhe ankth dhe shpresë e sfilitur
    me sytë n’errësirë vetveten kërkon.

    Atdheu është varr i hapur, është varr.
    Një jetë drejt tij shkon me besë që bind.
    Në një pikë loti mbyt lotin fatvrarë
    Në një pikë loti lirinë e lind.

    Atdheu yt i vogli, i vogli,
    Ai hyjnori i pavdekshmi – loti.

    Poezi nga Musa Vyshka
    MOS E KTHE KOKËN PAS
    (Mikut tim Fatos Arapi)

    Mos e kthe kokën pas edhe në qofsh i fundit!
    Do të të vijë turp nga gjurmët që mbolle pa lavdi.
    Mos i jep dorën kurrë dinakut që të mundi!
    Mos qaj, nëse ke dhembje! S’të mëshiron njeri.

    Mos e kthe kokën pas! Asgjë s’ke lënë pa parë!
    Ato, që dot si bëre, janë tretur përgjithnjë.
    Një dashuri të shkelur a një premtim të vrarë
    Do t’i kesh pas si hije e s’i largon dot më.

    S’do ta mësosh kurrë tradhëtinë që të mundi!
    Nga mijëra pikëpyetje qielli me zjarr u mbush.
    Edhe kur ta kuptosh, që je përherë i fundit
    Duhet ta dish përjetë që pas të ndjek dikush.

  • Vleresim shume i bukur dhe i ndjere per Poetin!
    Dhe dallandyshja fluturon ende ne qiellin e shpirtit te poetit.
    Ne e ndjekim me sy se si i gezohet qiellit

  • MARGARIT MOJ
    ============

    Shoqja ime, moj
    me dy sy si nata te medhenj, te zez,
    me bukurine tone te virgjer
    vdekjen po ushqejme
    se kjo toke ka ftohte
    mardhi
    e ka ngrire
    Dhe ne biem mbi te, porsi bllaca zjarri,
    Futemi nen dhe porsi rrenje endrrash,
    Qe te vije pranvera,qe te vije behari,
    Toka permbi ne e balta te shkrije,
    endrrat te shperthejne, si shperthen bari.
    Dashuria jone
    Me dy sy si nata cuditerisht te zez,
    Nga plumbat armike prere mes per mes
    Dashuri e lindur,
    Dashuri e rritur
    Nen qiejt e thyer te varferise shqiptare.
    Dashuri tragjike
    Per boten e madhe.
    Margarite, moj
    Motra ime, moj,
    Shoqja ime, moj.

  • Bravo Moikom, qe shkruan kaq bukur per Fatos Arapin, kete shkrimtar te madh. Per fat te keq po largohen nje nga nje nga kjo jete keto figura kolosale. Ministria e kultures me injorantet qe ka as nuk di e as nuk do te nderoje figurat e kultures kombetare

  • Kemi vene re se me vdekjen e ketyre njerezve,poetit Agolli dhe Arapi ka nje si fare ankimi.Sikur jane te pavdekshem.Por natyra ka nje mase, nje standart.Vjen,jeton,iken.Edhe keta si te gjithe.Po po si te gjithe.C jane keto lebetitje.Te thuhet .Iku nga kjo bote filani.Jetoi 90 vjet.cfare doni me teper..Jane reminishencat e sistemit te kaluar.Vdkjen cdo kuish duhet ta marre sa me thjeshte. Hajt tung….

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *