Në luftë me erotizmin tonë

Ornela

Pjesa II

Organizimi shoqëror i seksualitetit

Duke filluar nga fundi i viteve 1960, me revolucionin seksual, por sidomos gjatë dy-tri dekadave të fundit, në shoqëritë perëndimore― por edhe në shoqëri më periferike―kanë ndodhur ndryshime të thella në organizimin shoqëror të reksualitetit. Këto ndryshime mund t’i përmbledhim, edhe pse në mënyrë joshteruese, si më poshtë:

Së pari, globalizimi dhe “seksi kibernetik” (cybersex) i kanë demokratizuar dhe informalizuar në një shkallë të madhe marrëdhëniet personale mes njerëzve, duke thyer shumë barriera të së kaluarës, ndër to, sidomos, lidhjet mes seksit dhe riprodhimit, mes seksualitetit dhe martesës, mes martesës dhe funksionit e rolit të prindërve, mes martesës dhe heteroseksualitetit etj.

Së dyti, në ditët tona, për shkak të urbanizimit e të modernizimit të shoqërisë, jo vetëm burrat, por edhe gratë janë më pak monogame sesa në periudhën para industrializimit modern (Bertrand Russell), pasi ato u ekspozohen sot mundësive dhe pejzazheve të rinj të tundimi romantik. Edhe pse “mosbesnikëria”, ose tradhëtia në marrëdhëniet intime ka qenë gjithnjë “mëkati më kreativ”, në ditët e sotme, mundësitë për t’u takuar fshehurazi me dikë kërkojnë më pak imagjinatë dhe aftësi sesa në cilëndo periudhë të mëparshme të historisë njerëzore. Seksi rastësor ndodh më shpesh, mosha në marrëdhënien e parë seksuale është më e vogël ndërsa toleranca ndaj seksit para martese është më e madhe.

Së treti, kanë ndryshuar kufijtë mes atyre sferave të veprimtarisë shoqërore, që tradicionalisht janë konsideruar si publike dhe private, çka ka bërë që të bien shumë nga normat formale, të cilat, deri vonë, kanë rregulluar marrëdhëniet mes njerëzve, përfshirë edhe ato më intime (për shembëll, ngacmimet apo abuzimi seksual, pornografia etj.) dhe, bashkë me to, edhe konceptet tona për të moralshmen dhe të pamoralshem në seks, për fajin dhe turpin etj. Gati 90 vite më parë, Wilhelm Reich shkruante se “asgjë nuk është e pamorlashme për sa kohë që nuk i shkakton dëm, por e ndihmon partnerin tënd të provojë një kënaqsi seksuale më të madhe”. Kjo duket se është bërë sot një normë e re.

Së katërti, është krijuar një ndjeshmëri më e madhe ndaj rreziqeve që lidhen me aktivitetin seksual, e nxitur nga përhapja në masë e një sëmundje epidemike të tillë, si HIV/AIDS, dhe që, në fakt, e ka shkakun te dekompozimi i mënyrave tradicionale të jetesës.

Së pesti, është krijuar një mënyrë e re e të kuptuarit të seksit dhe seksualitetit human, sidomos te gratë, por edhe te komunitete më të ngushtë e të marxhinalizuar në shoqëri, siç janë ata që identifikohen nën emrin kolektiv LGBTQ.

 

 

Pyetje dhe dilema të cilave e kemi të vështirë t’u gjejmë përgjigje

Edhe pse këto ndryshime nuk kanë qenë e nuk janë të njëjta kudo, impakti i tyre ka qenë dhe është i jashtëzakonshëm, pa dyshim edhe në Shqipëri. Sidoqoftë, një sërë pyetjesh kanë qenë dhe mbeten ende pa përgjigje për njerëzit e të gjitha kohëve, pra edhe për ne, qytetarët e kësaj bote sot, në fillimet e shekullit të 21-të. Pyetje të tilla janë:

Pse ne, burrat dhe gratë, jemi kaq të ndryshëm në dëshirat, në fantazitë, në reagimet dhe në sjelljet tona seksuale?

Pse imagjinata erotike dhe fantazitë seksuale nuk janë trille të rastit, as gjendje patologjike, por të pranishme thuajse te të gjithë njerëzit—si te burrat dhe te gratë? A kanë imagjinata dhe fantazitë erotike një limit dhe a ndikojnë ato në sjelljen tonë seksuale?

Kush përjetojnë më shumë fantazi seksuale, burrat apo gratë? Nëse imagjinata erotike dhe fantazitë seksuale kanë për subjekt një person tjetër dhe jo partnerin tënd, si përjetohet kjo nga secili partner dhe si ndikon kjo në marrëdhënien mes tyre? Me fjalë të tjera, si mund ta duash dikë dhe të bësh seks me të, kur në kokë ke dikë tjetër?

Pse e kemi kaq të vështirë që të vazhdojmë ta ruajmë, përtej një periudhe kohe të caktuar, sado e gjatë qoftë ajo, interesimin dhe tërheqejen tonë seksuale për një person dhe t’i qëndrojmë seksualisht besnik partnerit tonë, edhe nëse vazhdojmë ta duam atë?

A mund të mbahen gjallë ad infinitum dashuria për njëri-tjetrin dhe dëshira për seks mes dy partnerëve të martuar, ose në bashkëjetesë? Nëse po, si? Nëse jo, pse?

Pse e tradhëtojmë njëri-tjetrin dhe divorcohemi gjithnjë e më shpesh, sa kohë që ende nuk kemi hequr dorë plotësisht nga martesa?

Pse çifte normalë e të shëndetshëm kanë probleme me dëshirën seksuale, intimitetin dhe bllokimin emocional?

A varen motivimi seksual, dëshira seksuale, reagimi ndaj saj dhe kënaqësia seksuale nga kuptimi që ne, si individë, u japim atyre, apo ato duhen kuptuar në një kontekst të gjerë biopsikosocial?

A është seksi një marrëdhënie komunikimi mes dy partnerëve, që plotëson jo thjesht nevojat dhe dëshirat seksuale të tyre, por dhe nevoja e dëshira shpirtërore? Nëse po, përse flasin dhe çfarë komunikojnë me njëri-tjetrin dy partnerë kur bëjnë seks?

A ka ndonjë gjë shpirtërore në të bërit seks, apo seksi është thjesht fizik, pra ka të bëjë vetëm me trupin, jo me shpirtin? Me fjalë të tjera, a është kënaqësia fizike që na jep seksi edhe kënaqësi shpirtërore? Ose, a është dëshira për të bërë seks e lidhur domosdoshmërisht me afeksionin shpirtëror që kemi për dikë?

Pse janë bërë kaq të përhapura familjet me një prind?

Pse një pjesë e madhe e marrëdhënieve intime—për të mos thënë shumica e tyre—janë kaq të brishta dhe përfundojnë në ndarje?

A varen qëndrueshmëria dhe cilësia e një marrëdhënieje martesore ose intime nga vijimësia e dëshirës dhe e kënaqësisë seksuale me partnerin tënd në atë marrëdhënie?

Pse në shumë martesa pasioni shuhet kaq shpejt? Çfarë e bën dëshirën të vdesë?

A mundet frustrimi seksual ta sëmurë një njeri?

Pse kaq shumë hipokrizi seksuale?

Pse bëhemi xhelozë? A është xhelozia seksuale e paevitueshme, pjesë e pakontrollueshme e natyrës sonë njerëzore? Dhe, më tej, a është mungesa e intimitetit emocional (besnikërisë emocionale), apo është mungesa e bensikërisë seksuale ajo që e bën xheloze, ose e shqetëson më shumë dhe e trondit një femër dhe a dallojnë në këtë mes femra nga mashkulli, siç përpiqet të shpjegojë psikologu David Buss në studimet e tij?

Pse druhemi t’ia shprehim dashurinë tonë, në praninë e të tjerëve, dikujt që e duam vërtet dhe pse rezervohemi ta bëjmë këtë në sytë e fëmijëve tanë?

Pse e detyrojmë mendjen tonë ta mohojë atë çfarë trupi ynë e dëshiron dhe e kërkon? Pse, veçanërisht vajzat dhe gratë mësohen të krijojnë—dhe shumica e tyre ruajnë—një distancë psiqike me trupin e tyre?

Pse ndihemi fajtorë, ose kemi turp nëse njeriut që duam i shprehim me fjalë një dëshirë seksuale për diçka që s’kemi turp ta bëjmë me të?

Pse të flasësh për seksin shumë njerëz e quajnë dirty talk?

Pse sjellja jonë seksuale rregullohet edhe sot kaq shumë nga zakone dhe norma të së shkuarës? Përse, edhe kur e dimë se këto zakone e norma janë irracionale, të gabuara, madje edhe absurde, nuk mundemi të çlirohemi një herë e mirë prej tyre?

Nëse, “në mungesë të fëmijëve, marrëdhëniet seksuale janë një çështje krejtësisht private, që s’ka të bëjë as me shtetin, as me fqinjët” (Bertrand Russell), përse shteti ndërhyn në jetët private të njerëzve dhe në marrëdhëniet e tyre konsensuale më intime me njerëz të tjerë, duke ndaluar e dënuar identitete dhe sjellje të caktuara seksuale?

Kush e vendos dhe kush na e thotë se çfarë është e lejuar dhe çfarë nuk është e lejuar në marrëdhëniet më intime, që ne, si qenie të vetëdijshme dhe në konsensus të plotë, krijojmë me individë të tjetë të rritur e të vetdijshëm? Me fjalë të tjera, cilat veprime, ose sjellje seksuale konsiderohen të moralshme e të pranueshme dhe cilat jo?

A bën kuptim të flitet për “seks normal”, “sjellje seksuale normale” ose për “seks të moralshëm”? Nëse, siç me të drejtë vinte në dukje John Stuart Mill, ka vetëm një parim moral të mundshëm, dhe ky parim është që askush nuk ka të drejtë të ndërhyjë në çështjet private të individit, nëse këto nuk u shkaktojnë dëm të tjerëve, atëherë mbi ç’bazë dhe për çfarë arsyesh justifikohet ndalimi i atyre veprimeve seksuale që nuk konsiderohen të pranueshme, ose shihen si devijante?

Pse prostitucioni konsiderohet, stigmatizohet dhe dënohet nga pjesa më e madhe e njerëzve si një gjë imorale dhe si një industri për shfrytëzimin e vajzave e të grave, dhe pse ai tolerohet, ose lejohet në shumë vende?

Pse, edhe në kushtet e sistemeve më rigorozë të kontrollit seksual, siç vinte në dukje Claude Lévy-Strauss “një farë lirie zgjedhjeje” nuk ka qenë dhe nuk është krejt e pamundur?

Të gjitha këto janë pyetje shumë të rëndësishme, të cilat, edhe kur nuk ia bëjmë vetes sonë ose të tjerëve, janë me ne, na shoqërojnë tërë jetën dhe kërkojnë përgjigje. Dikush, me të drejtë mund të pyesë: Sa ndikon në përgjigjet që përpiqemi t’u gjejmë pyetjeve të tilla kuptimi që ne vetë kemi për seksualitetin?

 

 

Seksualiteti si biologji dhe si kulturë

 

Ajo çka njerëz të ndryshëm kuptojnë me seksualitet nuk është gjithnjë e njëjta gjë. Edhe pse ky koncept buron nga fakti që ne të gjithë lindim me një seks të dhënë dhe riprodhohemi, seksualiteti nuk ka të bëjë vetëm me atributet fizike dhe biologjike të organizmit tonë, me të cilat ne, zakonisht, e shohim të lidhur atë—organet gjenitale dhe kombinimet në çift të kromozomeve X dhe Y.

Mendoni për një çast: nga të 23 çiftet e kromozomeve te secili nga ne, vetëm njëri çift kromozomesh, të ashtuquajturit “kromozome të seksit”—njërin prej të cilëve e marrim nga nëna dhe tjetrin nga babai—bëjnë dallimin mes të dy sekseve. Kromozomet e të 22 çifteve të tjerë, si te mashkulli dhe te femra, duken identikë kur i sheh me mikroskop. Madje, edhe dy “kromozomet e seksit” dallojnë vetëm te mashkulli, pasi çifti i 23-të i kromozomeve tek ai përbëhet nga një kromozom i madh (X) dhe një kromozom i vogël (Y), ndërsa te femrat, ky çift kromozomesh janë dy kromozome X. Ky kombinim koromozomesh, si një fakt biologjik, përcakton “ontologjinë” e seksit të çdonjërit prej nesh, por jo edhe seksualitetin tonë.

Në fakt, siç vë në dukje Jared Diamond, një profesor i njohur i fiziologjisë në Universitetin e Kalifornisë në Los Angeles, “dallimet gjenetike mes femrës dhe mashkullit janë të vogla, pavarësisht pasojave të mëdha që rrjedhin prej këtyre dallimeve”. Sipas tij, një numër i vogël genesh në kromozomin e 23-të, në bashkëveprim me genet e kromozomeve të tjerë, përcakton të gjitha dallimet mes meshkujve dhe femrave. Këto dallime, sigurisht, përfshijnë jo vetëm ato të organeve riprodhues, por edhe dallimet që lidhen me seksin në periudhën pas adoleshencës, të tilla si zhvillimi i gjinjve, mjekra, qimet e trupit, timbri i zërit etj.

Pavarësisht biologjisë së njeriut, seksualiteti influencohet shumë nga ndërveprimi i faktorit biologjik me faktorë psikologjikë, socialë, ekonomikë, politikë, kulturorë, etnikë, ligjorë, fetarë dhe shpirtërorë. Si i tillë, seksualiteti është tepër kompleks dhe ka shumë kuptime, siç janë të shumta idetë, besimet dhe imazhet që ne kemi për seksualitetin, ndjesitë dhe dëshirat, që lidhen me të, veshja, të folurit, të ecurit, të qeshurit (që i konsiderojmë feminine ose maskuline), si dhe marrëdhëniet që i konsiderojmë seksuale. Dihet se kushtet materiale dhe idetë që sundojnë në shoqëri të ndryshme ndikojnë shumë në kuptimin që njerëzit i japin seksualitetit. Seksualiteti dhe vetë identitet gjinorë “fabrikohen” përmes strukturave dhe institucioneve të shoqërisë; ato janë, siç themi në sociologji, “konstruksione shoqërore” (social constructions).

Edhe pse unë vetë nuk kam përgjigje për të gjitha ato pyetje që formulova më sipër—madje pikërisht për këtë arsye—uroj që lexuesit t’u japin atyre një shpjegim të arsyeshëm për ata vetë, mbështetur në përvojat e tyre personale.

 

 

Në luftë me erotizmin tonë

 

Le ta pranojmë hapur të vërtetën: Erosi dhe intimiteti seksual kanë të bëjnë me marrëdhënie që janë ekzistenciale për zhvillimin tonë si qenie humane dhe prekin çdo aspekt të jetës sonë. Ato shprehin një anë shumë të rëndësishme të identitetit tonë personal dhe zenë një vend qendror në jetën individuale, familjare e shoqërore të secilit prej nesh. Ne flirtojmë. Tërhiqemi seksualisht. Biem në dashuri. Martohemi. Flirtojmë dhe mund të biem në dashuri në çdo moshë me dikë tjetër edhe pasi martohemi. Për erosin, martesa është thjesht një konvencion.

Seksualiteti është pjesë e qenësishme e asaj çka ne jemi, çka bëhemi ose mbetemi gjatë gjithë ciklit të jetës sonë. Çështjet që kanë të bëjnë me të nuk lënë të painteresuar askënd, edhe pse ato janë tepër sensitive për këdo. Duhet theksuar, sidoqoftë, ajo që Bertrand Russell e vinte në dukje më shumë se 80 vite më parë, se: “Seksi, më shumë se çdo element tjetër në jetën e njeriut, shihet ende nga shumë njerëz, ndoshta nga shumica e tyre, në një mënyrë irracionale”.

Zhvillimi erotik normal i individit, jo vetëm te vajzat dhe gratë, por edhe te djemtë dhe burrat, pengohet nëse nuk arrihet të mënjanohen ata faktorë e të rrëzohen ato barriera, që s’janë thjesht ekonomike, por edhe barrieta të një karakteri kryesisht kognitiv dhe emocional—si padija, paragjykimet, frika, ankthi, ndjenja e turpit apo ajo e fajit, pritshmëritë jorealiste—të cilat nuk i krijojnë individit mundësitë reale për ta përjetuar e shijuar lirisht seksualitetin e vet.

Ne jemi në luftë me erotizmin tonë. Ne ndeshemi përditë me dëshirat tona. Ne të gjithë kemi dëshira seksuale, të cilat janë të rrënjosura në biologjinë tonë, në vetë natyrën tonë si qenie të gjalla. Ashtu si uria, e cila largohet duke ngrënë, edhe dëshira seksuale duhet plotësuar. Si Homo sapiens, ne jemi ndoshta krijesat më hiperseksuale të planetit, më hiperseksualë edhe se majmunët bonobo, që konsiderohen se kanë libidon më të zhvilluar. Ne harxhojmë më shumë energji për të planifikuar dhe kryer marrëdhënie seksuale dhe “shpenzojmë” më shumë kohë për seks—qindra, nëse jo mijëra marrëdhënie seksuale gjatë jetës sonë dhe çdo njëra prej tyre zgjat më shumë sesa te çdo primat tjetër.

Standardet e sjelljes sonë seksuale janë krejt “anormalë” krahasuar me standardet e afro 4,300 specieve të mamalëve që popullojnë planetin tonë, prej të cilëve, ne, njerëzit, jemi vetëm një. Për rreth 7 milionë vite, qysh kur ne u ndamë si një specie e veçantë nga majmunët shimpaze të Afrikës, “kushërinjtë” tanë më të afërt, zbritëm nga pemët dhe u armatosëm me gurë, zjarr dhe heshta, anatomia jonë seksuale ka ndryshuar; fiziologjia jonë seksuale ka ndryshuar edhe më shumë, sjellja jonë seksuale ka ndryshuar shumë më tepër.

Edhe më e rëndësishme është se, përveç majmunëve shimpaze dhe atyre bonobo, si dhe disa lloje delfinësh, ne, njerëzit, jemi të vetmet specie që bëjmë seks për kënaqësi, jo thjesht për riprodhim. Siç vënë në dukje Christopher Ryan dhe Cacilda Jethá, “Seksi për kënaqësi, me partnerë të ndryshëm, është më shumë njerëzor, sesa animalist. Seksi vetëm për riprodhim, pra një herë më të rrallë, është më shumë animalist, sesa njerëzor. Me fjalë të tjera, një burrë ose një grua që s’janë të interesuar të bëjnë seks më shumë se një ose dy herë në vit mund të thuhet se veprojnë jo si njerëz”.

 

 

Një subjekt gjithmonë i hapur për diskutim…

 

Seksi është një instinkt primal. Në organizmin tonë, si te meshkujt dhe te femrat, disa hormone janë sinjale që i thonë trupit (trurit dhe pjesëve të tjera) që të veprojë “seksualisht”. Ata janë të lidhur me atë çka ne e quajmë sjellje instinktive, e cila është e lindur dhe ka fare pak nevojë të mësohet.

Edhe nëse ngurojmë—ose nuk duam—që ta pranojnë këtë instinkt primal te çdonjëri nga ne, si qenie humane, e vërteta insiston dhe kërkon vëmendjen tonë. Mohimi ose nëpërkëmbja e natyrës sonë seksuale ka kosto jo vetëm për individin, por edhe për çiftet, për familjet dhe për shoqërinë—çdo ditë dhe çdo natë. Çfarëdo lloj kontrolli, ose standardesh etikë që shoqëria vendos mbi seksualitetin njerëzor, nuk duhet harruar se biologjia ka “zërin” e vet në etikën dhe në sjelljen tonë seksuale. Kostoja që paguajmë duke mos u kushtuar rëndësinë e duhur predispozitave tona natyrore, siç shprehet E. O. Wilson, është “më pak lumturi njerëzore”.

Ne ndeshemi vazhdimisht me pritshmëri dhe me zhgënjime në marrëdhëniet që krijojmë me shoqërinë, me të tjerët dhe me veten tonë. Feja, morali, tradita dhe politika i kundërvihen biologjisë sonë duke e interpretuar sipas mënyrës së tyre marrëdhënien mes dashurisë dhe seksit, ndërkohë që shumë studime në fushën e primatologjisë, të biologjisë evolucioniste dhe të antropologjisë na thonë se, me ose pa dashuri, seksi ka qenë një normë për të gjithë paraardhësit tanë hominidë.

Çfarë zgjidhjesh t’u japim kontradiktave të jetës sonë erotike, në të cilat jemi përfshirë të gjithë, si qenie njerëzore? Si mundet të qëndrojmë në një marrëdhënie erotike kur ajo, si çdo gjë tjetër, është një “botë” më vete, që ndryshon vazhdimisht? Këto janë çështje shumë e rëndësishme, të cilat, siç vura në dukje më sipër, nuk lënë askënd të painteresuar dhe, prandaj, kjo ese ka synuar të zgjojë sado pak interesimin tuaj dhe atë të një publiku më të gjerë.

Share This Article
2 Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *