Fatos Tarifa: Pse ngurojmë të flasim për erotizmin

Ornela

Nga Fatos Tarifa

Pjesa I

Termi erotizëm mund të kuptohet e të përdoret në shumë mënyra. Unë vetë, me këtë term i referohem një procesi, përmes të cilit seksi bëhet i kuptimshëm për ne. Erotizmi, ose dashuria erotike nuk nënkupton dhe nuk ka të bëjë vetëm me aktin seksual, pra nuk është thjesht një veprim fizik dhe, aq më pak, një reagim fizik, thjesht ose vetëm instinktiv.

Erosi përbën një ndër tiparet tona më esencialë si qenie njerëzore. Të gjithë ne jemi qenie njerëzore seksuale—nga lindja në vdekje. Sidoqoftë, për shkak të privacisë së mendimeve, të ndjenjave e të sjelljeve tona erotike, si dhe të tabuve që kanë të bëjnë me seksualitetin, të cilat janë krijuar historikisht nga kohët më të lashta dhe shumë prej të cilave vazhdojnë të ruhen edhe sot, në Shqipëri është folur e flitet shumë pak për këtë subjekt.

Seksi është një gjë po aq njerëzore dhe e domosdoshme për njeriun, sa edhe çdo gjë tjetër në jetën e tij—frymëmarrja, të menduarit, të ushqyerit, të ushtruarit fizikisht, të bërit art. Pa as më të voglin dyshim seksi është një subjekt që na preokupon të gjithëve. Ai është burimi i kënaqësive tona më intensive, por ai është, gjithashtu, edhe shkaku i një gjendjeje të mjeruar për shumë njerëz, e cila buron nga konflikte të thella e të vazhdueshme në shoqëri mes burrit dhe gruas, mes prindërve dhe fëmijëve. Çudia është që, edhe pse ne, të gjithë, nuk mund të bëjnë dot pa seks, ende ngurojnë ta bëjnë seksin subjekt të bisedave të përditshme, si çdo subjekt tjetër—mendimet që kemi, ushqimin që hamë, veprimet që kryejmë, punët që bëjmë, gjërat që duam.

Erotizmi si “seksualitet i turpshëm”

Fjala “erotizëm”, ose “erotik” shpreh jo vetëm një cilësi, e cila ka aftësinë të shkaktojë dëshira dhe ndjenja seksuale, por edhe një qëndrim filozofik dhe estetik lidhur me dëshirën seksuale, sensualitetin dhe dashurinë romantike në përgjithësi. Kjo cilësi gjendet vetëm te njerëzit, pasi, siç vinte në dukje filozofi francez Georges Bataille në veprën e tij të njohur Erotizmi, “vetëm njerëzit kanë mundur ta shndërrojnë aktivitetin e tyre seksual në aktivitet erotik”. Në vija të përgjithshme, “erotizmi është ajo çfarë e dallon aktivitetin seksual të njerëzve nga aktiviteti seksual i kafshëve”, çka do të thotë se, edhe pse “aktiviteti seksual i njerëzve jo domosdoshmërisht është erotik, ai është erotik kur nuk mbetet thjesht në nivelin rudimentar të aktivitetit seksual të kafshëve”. Me fjalë të tjera, thotë Bataille, “lindja e erotizmit është e lidhur me kalimin gradualisht nga seksualiteti i paturpshëm në një seksualitet të turpshëm”.

Si një aftësi për të shkaktuar dëshira dhe kënaqësi seksuale, erotizmi gjendet jo vetëm në sjelljen seksuale të njeriut, por edhe në çdo formë të krijimtarisë artistike të tij—në pikturë, në skulpturë, në fotografi, në dramë, në kinematografi, në muzikë, në letërsi.

Erotizmi si “epitet” i dashurisë

Për shkak se vetë natyra e asaj çfarë është erotike është fluide, përkufizimet e hershme të erotizmit kanë qenë, përgjithësisht, përpjekje për ta konceptuar atë si një formë të dashurisë sensuale apo romantike, ose si një dëshirë seksuale njerëzore.

Konceptet moderne për erotizmin nisën të formulohen në shekullin e 18-të, në epokën e Iluminizmit. Në tekstet dhe në fjalorët enciklopedikë të asaj kohe erotikja përkufizohej si një tipar që ka të bëjë me dashurinë, ndërsa erotizmi shihej si “një ndërhyrje në sferën publike të diçkaje që ishte esencialisht private”. Në Enciklopedinë e famshme të redaktuar nga Diderot dhe d’Alamabert në gjysmën e dytë të shekullit të 18-të, erotikja përkufizohej si “një epitet, i cili përdoret për gjithçka që ka lidhje me dashurinë mes sekseve”. Më vonë, Honoré de Balzac do të vinte në dukje karakterin relativ të erotizmit, duke theksuar se kuptimi që i jepet këtij termi varet si nga morali seksual i individit, ashtu dhe nga kultura e shoqërisë dhe koha në të cilën ai jeton.

 

Erotizmi ai thyerje e tabuve

Ndërsa në psikanalizën frojdiane, erosi konsiderohet si instinkti jetësor, i kundërt me instinktin e vdekjes (Thanatos), Bataille i shihte erosin, lirinë seksuale dhe kënaqësinë seksuale të lidhur ngushtë me tabutë. “Në tërësinë e vet, erotizmi është një shkelje e tabuve: është një veprimtari njerëzore”. Sipas tij, ashtu si vdekja, edhe aktiviteti seksual ka qenë, qysh nga kohët më primitive, jo vetëm një subjekt me shumë interes për njerëzit, por edhe një aktivitet i kufizuar nga shumë tabu.

Në çdo kohë dhe në çdo vend, sjellja seksuale e njerëzve ka qenë dhe është subjekt i rregullave dhe i kufizimeve rreptësisht të përcaktuara. Këto rregulla e kufizime kanë variuar e variojnë nga një vend në tjetrin dhe nga një kohë në tjetrën, duke e penguar shprehjen e lirë të seksualitetit, çfarë ka bërë që “dëshira erotike” të rritet bashkë me “dëshirën për të triumfuar mbi tabutë” (Bataille) dhe kënaqësia seksuale të rritet bashkë me kënaqësinë që na jep shkelja e tabuve dhe, madje, pikërisht për këtë shkak.

Charles Baudelaire mund të ketë shprehur një të vërtetë universale kur shkruante se: “Kënaqësia e veçantë dhe më e madhe e dashurisë qëndron në sigurinë se mund të bësh gjëra të ndaluara. Dhe burrat e gratë e dinë qysh kur lindin se pikërisht në atë çfarë është e ndaluar gjendet çdo kënaqësi sensuale”. Kënaqësia seksuale që provojmë nga shkelja e rregullave tabu, thotë Bataille, i ngjan kënaqësisë që marrim kur shkelim në një “territor të ndaluar”. Sipas tij, “Në fillim, gjithçka është misterioze. Ne fillojmë të marrim një kënaqësi, në të cilën nocioni i kënaqësisë është i përzier me mister për shkak të tabusë, e cila, sa i jep formë kënaqësisë, aq edhe e dënon atë”.

Për Bataille, si dhe për disa autorë të tjerë, “ndryshe nga aktiviteti seksual, erotizmi është një kërkim psikologjik”, një “erotizëm emocional”. “Seksualiteti fizik”, shkruan ai, “i cili e shoqëron gjithnjë erotizmin, është për këtë të fundit njëlloj siç është truri për mendimin”; në të dy rastet, baza materiale (e erotizmit dhe e mendimit) është fiziologjia”.

Seksualiteti si eksperiencë personale dhe shoqërore

Përveç nevojës biologjike, sjellja seksuale e njerëzve motivohet nga faktorë kulturorë, pra, merr edhe një kuptim shoqëror. Instinkti dhe nevoja seksuale janë të lindura; sjellja seksuale mësohet e kultivohet. Kjo e fundit nënkupton kënaqësi erotike, emocionale dhe ndjesi të gëzueshme, të cilat nuk lindin me ne, por zhvillohen e përjetohen subjektivisht nga ne në mënyra të ndryshme, nën ndikimin e faktorëve shoqërorë e kulturorë, përmes të cilëve socializohemi qysh kur jemi fëmijë dhe gjatë gjithë jetës. Këto emocione, ndjesi dhe eksperienca erotike përjetohen po aq personalisht e subjektivisht nga çdonjëri prej nesh sa edhe dhimbja që ndiejmë kur presim dorën me thikë, thyejmë një gjymtyrë ose plagosemi.

Përveçse një eksperiencë esencialisht personale, seksualiteti është njëherësh edhe një eksperiencë thellësisht shoqërore. Aktiviteti seksual i çdo individi dhe seksualiteti human, në përgjithësi, janë tepër kompleks, të lidhur ngushtësisht me kushtet dhe praktikat shoqërore. Duke filluar nga vitet 1950, shoqëritë perëndimore kanë njohur një transformim të madh në atë çfarë mund ta quanim “organizim shoqëror i seksualitetit”.

Edhe pse shoqëria, me normat e saj, ndikon në atë që ne mendojmë dhe bëjmë me seksin tonë, nuk mund të mohohet se normat e shoqërisë “interpretohen” kognitivisht përmes nevojave tona biologjike, të cilat lindin para dhe jashtë kulturës në të cilën socializohet çdonjëri nga ne. Fakti që njerëzit fillojnë të ndiejnë dëshirë seksuale në një moshë të caktuar, ose që dëshira seksuale varion për shkak të lodhjes fizike ose të ndryshimeve në gjendjen shëndetsore, argumenton filozofja e njohur amerikane Martha Nussbaum, dëshmon se dëshira për seks gjendet “në trupin tonë pavarësisht kulturës, edhe pse, në çdo rast, ajo ndërvepron me faktorë që janë kulturalisht të determinuar në mënyra shumë komplekse.

Njeriu, një qenie seksuale dhe racionale

Ne jemi qenie njerëzore seksuale, por jemi, gjithashtu, edhe qenie racionale, shpirtërore, emocionale dhe, si të tilla, jemi gjithnjë në kërkim të një kuptimi për jetën tonë, që nuk ka të bëjë vetëm me eksperiencat tona personale, edhe kur është fjala për çështje të seksit.

Pyetje të tilla janë krejt të natyrshme: Çfarë është secili nga ne seksualisht? Ç’do të thotë të jesh seksual. Me se ka të bejë seksualiteti ynë individual? Cili është kuptimi që ne i japim eksperiencës sonë seksuale? Pse, nëse jemi besimtarë të një feje, mësohemi ta shohim e ta vlerësojmë seksualitetin tonë në këtë ose në atë mënyrë, ndryshe nga njerëzit që nuk besojnë në asnjë fe dhe, akoma më shumë, ndryshe nga ato çfarë provon shkenca?

Edhe nëse pyetje të tilla nuk ia bëjmë vetes çdo ditë e drejtpërsëdrejti, ato janë me ne dhe na shoqërojnë vazhdimisht, në çdo moshë, pasi janë esenciale për identitetin tonë individual. Megjithatë, për një kohë të gjatë, ne i jemi shmangur studimit të erosit e të seksualitetit si dhe diskutimeve për to. Erosi ka qenë—dhe, për shumë njerëz, vazhdon të jetë—një tabu.

Edhe pse sot, në shekullin e 21-të, ne mendojmë se jetojmë në një periudhë emancipimi erotik dhe çlirimi seksual, seksualiteti human karakterizohet nga shumë të vërteta të dukshme e të dhimbshme, që nuk mund të thuhen me zë të lartë. Emancipimi erotik dhe çlirimi i vërtetë seksual janë sfida që mund të përballohen vetëm nëse, me kohë dhe me durim, ne bëhemi aq kurajozë dhe të sinqertë me veten tonë, sa të pranojmë natyrën e vërtetë të dëshirave tona erotike dhe të flasim për to hapur e ndershmërisht me personim që duam.

Në kërkim të një narrative të re

Narrativa standarde kur bëhet fjalë për marrëdhënien tonë personale me seksualitetin tonë, si dhe me raportet tona me seksualitetin në kuadrin superstrukturor të shoqërisë—ku përfshihen idetë, teoritë, mitet, besimet, traditat, institucionet—është, pak a shumë, kjo: Për mijëra vite me radhë, për shkak të injorancës dhe të intolerancës fetare, për shkak të besimeve, të normave e të praktikave shoqërore shumë të rrepta, njerëzit, kudo në botë, kanë qenë të shtypur nën barrën e një konfuzioni të plotë dhe të një ndjesie faji e mëkati të rëndë në lidhje me nevojat dhe dëshirat e tyre seksuale.

Një injorancë shumë e thellë! Dhe një mjerim njerëzor po kaq i thellë. Kjo injorancë dhe ky mjerim riprodhonin vetveten nga njëri shekull në tjetrin, derisa erdhi një kohë—aty mes Luftës së Parë Botërore dhe lëshimit të Sputnikut 1 në hapësirën kozmike, në fundin e viteve 1950—kur në Perëndim njerëzit nisën të çlirohen nga interdikti i fesë dhe nga paragjykimet dhe gjithçka ndryshoi. Një “culture of romance”, e njohur si “Teenage Romance” apo “Teenagerism” filloi të zhvillohej në radhët e vajzave të reja, të cilat ëndërronin t’i shpëtonin kontrollit të prindërve dhe të çliroheshin nga “robëria shtëpiake”. Vajzat dhe gratë filluan të vishnin bikini; meshkujt filluan të shihnin filma pornografikë dhe të mos e fshihnin faktin se masturbonin. Në përgjithësi, njerëzit filluan të ndiheshin më të lirë të flisnin për seksin, për dëshirat dhe për fantazitë e tyre seksuale, një subjekt ky, i cili, për shekuj me radhë, kishte qenë burim i frustrimeve neurotike më të mëdha e krejt të panevojshme. Pas kësaj, gradualisht, seksi filloi të shihej e të ushtrohej si një aktivitet i dobishëm, argëtues, rigjallërues për trupin, pak a shumë si një lloj sporti, dhe të mos lidhej domosdoshmërisht me dashurinë, me martesën, ose me fëmijët.

Kjo narrativë moderne, sado iluministe e progresiste, nuk mund ta fshehë dot faktin e thjeshtë e të pamohueshëm se ne, njerëzit e sotëm, vazhdojmë të jemi konfuzë dhe të paçliruar nga ndjesia e turpit, ose nga kompleksi i fajit kur bëhet fjalë për seksualitetin tonë, për dëshirat dhe për marrëdhëniet tona seksuale. Në fakt, askush prej nesh nuk flet për seksin siç do të ishte e natyrshme të bënim, si diçka për të cilën duhet folur me kënaqësi, në mënyrë argëtuese dhe jo obsesive, si diçka për të cilën kushdo ka të drejtë e duhet të jetë i lirë të shprehë mendim dhe pëlqimet e veta, pa pasur turp ose frikë se mund të stigmatizohet nga të tjerët.

Seksi, dashuria dhe martesa

Nevojat dhe dëshirat tona seksuale janë këmbëngulëse; ato nuk pranojnë të përputhen thjesht me dashurinë, ose me martesën, por ekzistojnë dhe kërkojnë të realizohen edhe jashtë marrëdhënieve tona dashurore me një person të veçantë, pra edhe jashtë martesës, pasi seksi dhe dashuria, ashtu si dhe seksi dhe martesa, nuk janë e njëtja gjë.

Kënaqësia seksuale nuk ka asnjë lidhje të domosdoshme me martesën, ose me monogaminë heteroseksuale. Përmes seksit sigurojmë vijimësinë e familjes, por edhe vijimësnë e vetë racës sonë humane. Por seksi është, gjithashtu, edhe një forcë e madhe në shoqëri; ai shpjegon e motivon shumë ndjenja dhe aspekte të gjendjes sonë humane―edhe lumturinë, edhe vuajtjet më të mëdha.

Reflektoni, për një çast, mbi këtë të vërtetë: Shumë pak njerëz në ditët tona kanë ndaj seksit një qasje krejtësisht të çliruar nga frika, nga obsesioni, nga hipokrizia, të cilat i ushqejnë dhe i mbajnë gjallë idetë dhe normat sunduese në shoqëri. Shumica prej nesh kemi frikë dhe turp të flasim për seksin me njerëz të tjerë, pa rrezikuar që ata të mendojnë keq për ne. Në këtë mënyrë, një pjesë e madhe e asaj çfarë ne jemi seksualisht mbetet e pamundur, për të mos thënë e frikshme t’ua komunikojmë të tjerëve, aq sa shumë njerëz zgjedhin të vdesin pa i diskutuar kurrë me askënd dëshirat ose problemet seksuale që mund të kenë. Madje, edhe kur dy njerëz duhen, ata instinktivisht rezervohen të ndajnë mes tyre të gjitha dëshirat dhe fantazitë seksuale që kanë për njëri-tjetrin, nga frika se kjo mund të shkaktonte keqkuptim te partneri dhe prishjen e marrëdhënies intime me të.

A nuk është kjo jo vetëm absurde, por edhe e dhimbshme? Të mbash të fshehura dëshirat e tua seksuale? Të mos i ndash ato me njeriun që do? Mes nevojës për të qenë i dashuruar dhe dëshirës për të qenë i sinqertë, shumica e njerëzve zgjedhin të parën. Por, siç vura në dukje më sipër, nevojat dhe dëshirat tona seksuale janë këmbëngulëse dhe, të trembur e të pasinqertë siç jemi për t’i shprehur hapur ato, ne u fshihemi të tjerëve dhe refuzojmë të njohim e të realizojmë tërësisht vetë qenien tonë.

Konflikti mes asaj që na është thënë e na thuhet se ndihemi dhe asaj që vërtet ndiejmë, si dhe konflikti mes pritshmërive që kemi për marrëdhënie intime emocionalisht dhe seksualisht vitale, të qëndrueshme e shumë të kënaqshme, me gjendjen e vërtetë të këtyre marrëdhënieve mund të jetë burimi kryesor i konfuzionit, i pakënaqësive, i deprivimeve dhe i shumë prej vuajtjeve tona të panevojshme. Përgjigjet që jepen zakonisht nuk u ofrojnë shpjegim çështjeve kryesore që kanë të bëjnë me jetën tonë erotike.

(vijon)

Share This Article
9 Comments
  • Qenka kthyer ne plak qefli Tos Tarifa. O Toso, fshati digjet kurva krihet. Tjeter hall kane dynjaja tjeter “fyelli” i bie Tosi

  • Pse ngurojmë të flasim për erotizmin?
    Sepse ne flasim me vepra…
    Ju beni llogje kavaje kot se koti…

    • Do te ishte bukur te kapje temen e komercializimit te eros-it dhe sidomos kontrollit shoqeror nepermjet marteses,

  • Ne greqisht “o erotas” =dashuri. S’ka kuptim te thuash “dashuri erotike” kur te dyja fjalet jane e njejta gje. Film erotik =film me dashuri. Kurse koncepti frojdist eros-thanatos ka kuptim universal, dy antipodet, dualizmi, dashuri per jeten ose terheqje drejt vdekjes. Jo ne aspektin seksual, por ne ate universal per jeten. E shpjegon mire Fromm tek Anatomia e shkaterrimit human, tek shembulli I Unamuno qe I thote gjeneralit frankist qe ti je calaman lufte kurse kjo kateder eshte tempulli I dijes, ndersa ushtaret falangiste brohoritnin “viva la muerte”!

  • Kesaj i thone “Stambolli digjet e kurva krihet”!
    Po pse i mjeran mbeti populli shqiptar t’i mesosh ti si behet seksi?
    Po deri dje kush i mesoi gjysherit e baballaret tane qe linden nga 10-12 kalamaj?
    Po pse keto halle paskan mbetur per te zgjidhur ti o Tarifa?
    Pse nuk na jep pervojen tende familjare se si ua sap[jegon femijve sekrin?
    A ua ben ne praktike femijve seksin ne shtepi?
    Po me gruan a ke bere seks ne syte e femijve duke ua treguar te gjitha fazat,qe nga xhveshja,ledhatimi,ferkimi i veglave e deri tek mbushja e pjeshkes me leng te trashe?
    Po per orgazmen a u ke bere ndonje tregim praktik femijve?
    Beje se keshtu ata do behen me te ditur ne kete fushe!
    Ja keto na shkruaj ti,se te tjerat i dime edhe pa na i thene ti!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *