Fatura ime e dritave, një letër nga Shkodra për z. Gjiknuri

redaktor

Të dashur miq të DITA-s! Unë që po ju nis këtë letër jam djali i Eqerem Kajos, jam invalid.

Baba im është miku më i ngushtë i gazetës tuaj, që nuk e le pa lexuar as një ditë, ju keni shumë lexues në qytetin e Shkodrës, por si babai im ma merr mendja nuk do ketë, sa që shokët e tij i thonë me shaka, që kur të vdesësh me gazetën Dita do të të mbulojmë.

Ai tani është pa qejf, dhe më tha që këtë letër t’ua drejtoja juve. Me nderime e respekt të veçantë Artan E. Kajo, Shkodër.

 

Ministrit të Energjitikës dhe Industrisë Z.Damian Gjiknuri, Tiranë

Z.Ministër, unë që po ju shkruaj jam një invalid, “dhuratë” nga ngjarjet e 1997-s, jetoj me dy prindërit e mi tepër të moshuar në lagjen Rus, Shkodër. Më datën 18.04.2016, bashkë me babën tim shkuam e morëm Faturën Tatimore të Dritave, sepse herë e sjellin e herë nuk e sjellin. Jam shumë i rregullt në pagimin e energjisë elektrike, por fatura ishte aq e mbingarkuar sa na bëri përshtypje. Ishin 438.00 kvh, shumë e lartë dhe asnjëherë nuk mund ta paguajmë për shkak të pensionit të ulët që kemi. Kërkuam shpjegime por asnjëri nga nëpunësit burokratë nuk na kthyen përgjigje. Megjithatë baba më thotë, të shkojmë t’i paguajmë, pastaj shkojmë e sqarojmë.

Po këtë date, më 18.04, shkuam i paguam. Më dt. 19.04. shkuam përsëri të sqaronim faturimin. Pas një pritje prej një ore na erdhi radha dhe neve, djaloshi të cilit ju drejtuam ishte një bukurosh që nuk e hiqte celularin nga dora, sa që baba i thotë, unë kam ardhur për nevojë në zyrën e shtetit ju shikoni celularin. Djaloshi pasi mori përgjigjen nga ne, na çoi në një djalë tjetër; edhe ai pasi u ngrit disa herë dhe vinte vërdallë nëpër zyrë u kujtua që ne po prisnim.

U ul në tavolinë; hë, thotë, përse keni ardhur. I themi se kemi një faturë mbifaturim, hapi kompjuterin e pa. Ju zotni, na thotë, e keni faturën në rregull dhe s’keni pse ankoheni, i kini konsumuar. I themi se nuk mund të harxhojmë kurrë kaq shumë, jemi vetëm 3 vetë dhe nuk harxhojmë më tepër se 200-300 Kvh. Për ne, thotë ai, jeni në rregull. I themi: Kush është i madhi i kësaj zyre, sepse ju nuk merrni parasysh kërkesën tonë ankimore. Një nga ata na thotë që drejtori e ka zyrën tek centrali karshi spitalit. Më datën 20.04.2016 shkuam aty nuk e gjetëm drejtorin, gjetëm një djalë të shëndetshëm sa që nuk i pëlcisnin faqet. U futëm në zyrë, ai ai vazhdonte punën në kompjuter.

Pas disa minutash, hë, tha, përse kini ardhur? Edhe atij i treguam faturën. Nuk ja u zgjidh unë këtë punë, na thotë, shko atje ku ke marrë faturën, aty është zyra e ankimimeve. Të dëshpëruar u larguam. Më tepër më vinte keq për babin se u lodh. Më datë 21.04. shkuam tek zyra e ankimimeve, nuk e gjetëm personin, njëri nga zyrtarët burokratë na thotë: Sot pret drejtori, shkoni atje e takoni. Më datë 22.04 shkuam ora 9.00 paradite. Roja na thotë se drejtori vjen në ora 10.00. Pritëm orën, por drejtori pasi kishte pritur disa, ja kishte mbathur, në zyrë ishte një grua e cila edhe ajo po punonte në kompjuter. I them kujt t’i drejtohem për një ankesë, kam mbifaturim e dua zgjidhje. Ajo na thotë, po të jap nr e celularit të Lexuesit dhe fol me të.

Pas disa orësh nga shtëpia folëm me lexuesin, ai na thotë që “unë nuk vij dot se jam i zënë me punë, por më datën 29.04 do vij të kontrolloj”. Ashtu bëmë, e pritëm deri sa erdhi data 29, shkuam tek Boksi nr 3, në prezencën tonë kontrolloi sahatin tonë, del kjo faturë: leximi aktual 45183, leximi i mëparshëm 44850. Pra, nga 433 Kw që kishte fatura, janë 333 Kw, dmth 105 Kw mbifaturim (më tepër). Por si mua ishte gjithë pallati me mbifaturim. Lexuesi më tha që shko bëj ankimimin. Pasditen e kësaj date bashkë me banorë të këtij pallati shkuam të bëjmë ankimimin.

Pas një sorollatjeje nga një tavolinë në tjetrën, njëri nga këta nëpunës na thotë që do ta mbyllin zyrën, ishte ora 18.30, hajdeni mbas datës 10 maj të shikojmë faturimin e muajit Prill, se “aty mund të shikojmë se mund të kenë bërë zbritje”. I themi po kush i bën këto llogari, Tirana? Të dëshpëruar largohemi në pritje për 10 majin. Bëmë 10 ditë sorollatje dhe asnjë përgjigje pozitive nuk morëm. Z.Ministër, është keqardhje që vetë shteti vjedhka popullin, në rast se ky mbifaturim është bërë me urdhrin tuaj ju duhet të jepni dorëheqjen, në rast se e kanë bërë të tjerët duhet të shkarkoheni e t’i jepet drejtësisë. Kjo është vjedhje masive me detyrim nga lart.

Ne e dimë zoti Ministër, se ju gëzoni shëndet të mirë dhe merreni me punëra të mëdha, dhe ndoshta nuk u shkon mendja për punët e vogla të ne të varfërve. Familja ime gjithmonë ka votuar për të majtën, dhe ju jeni një ministër e deputet i votuar nga elektorati i majtë, që keni premtuar se këto probleme që zemërojnë popullin do t’i zgjidhni. Po ashtu, zoti ministër, shikoni mirë administratën se janë po ata njerëz prej disa vitesh që nuk e përfillin qytetarin, nuk mbajnë as një përgjegjësi për detyrën që paguhen. Ne shikojmë me keqardhje se në Shkodër nuk ka as një ndryshim me vitet e mëparshme, bokset e energjisë elektike janë të hapura, pa çelës po ashtu dhe në rrugë ka kaseta të hapura.

Kjo lë shkak për abuzim, po ashtu ka dhe rreziqe që ndonjë fëmijë apo i rritur të gjejë vdekjen. Po ashtu në pallatin tim janë disa familje të larguara në emigracion prej 20 vitesh, u vjen fatura çdo muaj, megjithëse u kemi thënë dhe faturistëve disa herë që nuk ndodhen, fatura u futet përsëri nën derë. Nuk e di me se merren drejtoritë, përgjegjësat, nëpunësit, ku këto gjëra vazhdojnë prej vitesh të mos ndreqen. Vini nëpunësit e drejtuesit në pozita pune dhe mos kini frikë, merrni masa, sepse ata po bëjnë popullin të pakënaqur. Me të drejtë babai im paska nostalgji për regjimin e kaluar, se ka qenë një administratë e konsoliduar që ndjente përgjegjësi për detyrën që kryente.

 

Me nderime Artan Kaja, presim përgjigje, nr. celularit 673592449.

Share This Article
3 Comments
  • Po ne pergjithesi ministrat skipetare kane nivel me te ulet se trapat e administrates..Qe te behesh minister i
    Edi-Metes duhet te jesh injorant.
    Perse i hoqet Heronjte Vigut nga qyteti?
    Tani silluni verdalle kot..

  • Ke vetem nje zgjidhje o Kaja!Gjej ndonje budalla qe te bleje shtepine qe ke (dhe me budalla nenkuptoj ata qe shpresojne qe do behet shtet) dhe ik sa me pare nga ky vend i mallekuar!Vetem atehere ke shpetuar.

  • Zoteri,edhe une kam te njejtin problem. Madje, u bene 5 muaj qe vij verdalle, dhe asnje nuk me sqaron. Kam bere ankimimin qe ne Nentor, kam fotografuar matesin, dhe u a kam lene ne dere shifren e tij. Faturimi eshte 2 fishi i numurit ne mates, nderkohe qe aty ka 8 vjet qe nuk banon njeri! Pse, keshtu drejtohet shteti? Kam gjetur ne zyra njerez krejtesisht te paafte dhe fodulle, te cilet, ne nje vend normal, as per pastrues rrugesh nuk do i pranonin! Mendoj ti drejtohem Ministrit te linjes, dhe ne se nuk marr pergjigje zgjidhjeje, atehere do i nis leter Kryeministrit, se ndoshta ky problem merr zgjidhje! Medet, ku jemi katandisur!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *