Faza e katërt, 5 skuadra që kanë shanse për titull

redaktor

Sezoni i këtij viti nisi me 5 skuadra rivale për titull, teksa edhe starti i fazës së katërt që është faza finale e kampionatit sheh në garë sërish 5 skuadra. Diferenca nga vendi i parë tek i 5 është 7 pikë, teksa janë edhe 10 sfida direkte për tu luajtur.

Por ndryshimi nga fillimi i sezonit me fillimin e fazës së katërt është se në 5 të ashtuquajturat “pretendentë” për titull nuk është Flamurtari, por Laçi. Pikërisht kurbinasit janë skuadra e momentit pasi jo vetëm kanë marrë vendin e 5 duke qenë një pikë prapa Tiranës, por duke lënë larg vlonjatët që e nisën me shumë zhurmë dhe pretendime sezonin.

Dyshja Tirana – Laçi për momentin duket e veçuar nga skuadrat e kreut më Skënderbeun që konsolidon pozitat në krye me Kukësin dhe Partizanin si ndjekëse. Madje diferencat ndërmjet 5 skuadrave të para janë të vogla saqë i tregojnë dhe statistikat.

Mjafton të shohësh se Skënderbeu i vendit të parë ka më pak humbje sezonale, 4 teksa ndjek në këtë renditje pikërisht Laçi i vendit të pestë me 5 humbje sezonale. Më pas janë tre skuadrat e tjera që kanë regjistruar nga 6 humbje sezonale. Rivaliteti i madh në pjesën e sipërme të klasifikimit shoqërohet me garë edhe përsa i përket mbijetesës.

Një fazë përpara fundit Elbasani duket i dorëzuar, por nuk ndodh e njëjta gjë me Apoloninë që shpreson tek mbijetesa teksa diferenca me Teutën është 4 pikë. Me kalendarin në dorë fierakët shpresojnë të marrin maksimumin në ndeshjet e shtëpisë teksa gjithçka mund të vendoset në duelin e drejtpërdrejtë në javën e parafundit në “Niko Dovana”. Kampionati konfirmohet në këtë mënyrë shumë i luftuar një fazë përpara fundit me garën e hapur për titull dhe për mbijetesë.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *