Astrit Fazliu dhe Sebino Plaku janë 100% të gatshëm për t’u aktivizuar titullar në ndeshjen e së Premtes me Flamurtarin, që çel javën e dytë të Kategorisë Superiore.
Të dy sulmuesit e kuq nuk ishin as në stolin e rezervave në përballjen me Laçin për arsye fizike, ç’ka ndikoi në uljen e forcës goditëse të formacionit të Starovës.
Madje trajneri i 15-herë kampionëve të Shqipërisë e theksoi edhe pas ndeshjes se mungesat në fazën sulmuese ishin faktori kryesor që Partizani nuk arriti të merrte maksimumin e pikëve ndaj kurbinasve.
Gjatë përgatitjeve në kompleksin Sportiv në Pezë Helmës, si Plaku ashtu edhe Fazliu u rreshtuan përkrah titullarëve të tjerë të Partizanit, që do të thotë se Starova po i llogarit në formacionin bazë në ndeshjen me Flamurtartin.
Dilema e vetme në rreshtimin 4-2-3-1, është pozicioni i Morinit, i cili mund të ulet në stol nëse Starova i beson nga minuta e parë Plakut pas shpinës së serbit Racic.
Ndërsa rikthimi i Fazliut zhvendos në krahun e djadhtë të mbrojtjes Fejzullahun, me Ibrahimin që do ta nisë nga pankina.
