Dosja e gjyqit të Kadri Hazbiut
“Fiqreti, Llambi Ziçishti e Gani Kodra trillojnë takime agjenturore brenda e jashtë vendit, për të më implikuar mua si bashkëpunëtor të poliagjentit Mehmet Shehu”
(Vijon nga numri i kaluar)
Në datë 24 gusht të vitit 1983, në fillim të seancës së dhjetë të gjyqit të Kadri Hazbiut e bashkëpunëtorëve të tij, akuzuar për tradhti ndaj Atdheut, është Feçor Shehu, ish- ministër i Brendshëm që përballet me këtë akuzë. Përballë kryesuesit të seancës Aranit Çela e Rrapi Minos, përfaqësues i akuzës, Feçor Shehu e mohon kategorikisht pjesëmarrjen e tij në veprimtari agjenturore kundër interesave të Shqipërisë. “Unë u arrestova e akuzohem si armik nga shpifjet e Fiqret Shehut, djemve të saj, Llambi Ziçishtit e Gani Kodrës, të cilët duan të më fajësojnë mua, me qëllim distancimin e tyre nga veprimtaria e poliagjentit Mehmet Sheh”- deklaroi Feçori gjatë debateve në këtë seancë…
Datë 24.8.1983. Seanca e 10-të.
Kryetari(Aranit Çela):- Çelim seancën. Vazhdojmë me shpjegimet e të pandehurve lidhur me akuzën e tradhtisë ndaj atdheut. I pandehur Feçor Shehu.
Mihallaqi:- Kam diçka….
Kryetari:- Për të thënë ti?
Mihallaqi:- Po.
Kryetari:- Hajde. Prit një çikë Feçor.
Mihallaqi:- Më çudit fakti që Llambi Peçini hodhi poshtë në mënyrë denigruese, në deponimet e tij, sidomos çështjen e shkuarjes në Neë York me vaporin ‘Kuin Elisabet’ ku ka qenë dhe Tito. Vetë Llambi Peçini, Llambi Ziçishti, Kadri Hazbiu etj, më kanë thënë kur janë kthyer se unë s’kam qenë shoqërues kur Mehmet Shehu ka udhëtuar me vaporin ‘Kuin Elisabet’. Një kjo. E dyta, që Mehmet Shehu ka takuar me Titon. Tre, që ka takuar me Hari Fulcin. E katërta, gjithashtu, më kanë thënë që kur zbritëm, dhe sipas zakonit jepet intervistë, ka folur në gjuhën angleze dhe la përshtypje. Dua të them së dyti se Llambi Peçini është një nga njerëzit më të përkëdhelur të Mehmet Shehut. Sa herë më binte rasti të vija kur Mehmeti ishte në plazh në Durrës, e gjeja Llambin atje. Këto kisha për të thënë.
Kryetari:- Mirë, ulu….
Mihallaqi:- Ato që deponon, ato që ka deponuar janë të vërteta, po i vërtetoj edhe unë që mi ka thënë ai vetë.
Kryetari:- I pandehur Feçor Shehu, jepni shpjegime rreth akuzës për tradhti ndaj Atdheut për të cilën akuzoheni.
Feçori:- Duke qenë dakord me konkluzionin e Partisë për veprimtarinë armiqësore të Mehmet Shehut dhe disa bashkëpunëtorëve të tij, të cilët me gojën e tyre pranojnë tradhtinë kundër Atdheut, nuk jam dakord kurrsesi që unë të jem pjesëtar i kësaj organizate. Për rrjedhim, gjatë gjithë hetuesisë, dhe tani në gjyq, deklaroj me tërë forcën e shpirtit tim, që nuk e pranoj akuzën, duke ju lutur trupit gjykues , e nëpërmjet tij udhëheqjes së Partisë, për të më çliruar mua, një person i pastër dhe që për një kohë të gjatë kam qenë në luftë për çlirimin e atdheut, mbrojtjen e tij dhe kam dhënë gjithçka, pa kursyer gjakun, djersën dhe çdo sakrificë tjetër nga intrigat që fillimisht përgatiti e trilloi armikja Fiqret Shehu e djemtë e saj. Nisem nga intrigat e pashembullta të Mihallaq Ziçishtit dhe disa të tjerëve që flasin në hetuesi. Por gjithsecili, flet episode të ndryshme ndaj njëri-tjetrit dhe ata nuk vërtetohen nga dokumente të tjera. Bile është karakteristike që për tradhtinë për të cilën po flasim, nuk ka asnjë dokument të jashtëm, por vetëm atribuime të pandehurish. Në hetuesi, disa herë jam lutur që të shihen dokumente dhe praktika që hedhin poshtë shpifjet e këtyre të pandehurve ndaj personit tim. Por megjithatë, ato kërkesa nuk u plotësuan asnjëherë. Prandaj unë ju luta trupit gjykues dhe ai plotësoi disa. Por të tjerat nuk mund të merren këtu, sepse janë një seri që kam kërkuar në hetuesi. Për hir të drejtësisë që karakterizon Partinë tonë dhe vetë gjykatën, këto dokumente, është puna juaj se do t’i shikoni. Këto do i paraqis sipas çështjeve konkrete. Edhe këtu, unë do të shpjegoj për çështjen e parë, për të ashtuquajturën tradhti. Çështja tjetër që unë mendoj se duhet mbajtur parasysh nga drejtësia, është evoluimi i thënieve të të pandehurve në drejtimin tim, për arsye se siç më janë paraqitur në fillim, për çudi, dhe kjo mund të jetë shpifje, me incizime, që quhet punë shkencore. Por, janë me mjete shkencore dhe punë primitive të kundër ligjshme. Të ngre ashtu dhe në përfundim, gjë që flet për trillim. Të tilla ka shumë. Mjafton të shihen dokumentet në dosje dhe do të dalë lodra e llafeve nga këta të pandehur. Sidomos armikja Fiqret Shehu, Skënder Shehu, Mihallaq Ziçishti, e ndonjë tjetër. Edhe këtë konkluzion jam gati ta paraqes sipas çështjeve që do të radhiten dhe në çështje të tjera të akuzës. Pale të futesh në analizën anatomike të thënieve, del açik gënjeshtra. Ndryshe nuk ka sesi shpjegohet që çështjet shumë serioze konsumohen kur zbresim nga makina dhe vemi në shtëpi apo tek shkallët e ministrisë, pra rastësisht. Ose bisedat me karakter politik që janë bërë sipas tyre para 10 viteve, dalin tani pa kurrfarë vërtetimi me prova të tjera.
Unë kundër armiqve, dhe këtu nuk dua të mburr veten, në mënyrë të veçantë kundër zbulimeve për të cilat akuzohem, jam në gjendje ti paraqes trupit gjykues se kundër këtyre zbulimeve në tërësi dhe atij jugosllav në veçanti, kam luftuar tërë jetën dhe jam treguar i pa mëshirshëm kundër spiunëve….
Për ato takime që gjoja unë kam bërë me zbulues të huaj nuk ka si shpjegohet që megjithëse për një periudhë të gjatë, siç thuhet në akuzë, nga viti ’50, asnjë dokument i jashtëm, asnjë konstatim nga survejimi. Të gjithë këta zbulues të gjitha këto agjentura kanë qenë në surverjim, me forma e metoda të ndryshme. Pra, të ashtuquajturat takime nuk ekzistojnë, por janë vetëm trillime, boshti i të cilave është armikja Fiqret Shehu. Pse, edhe unë jam arrestuar vetëm me deponimet e Fiqret Shehut e Skënder Shehut….
Shumë çështje që lidhen me çështjen time si armik nga Fiqret Shehu dhe Mihallaq Ziçishti, lidhen dhe me të pandehur të tjerë, e në mënyrë të veçantë me Kadri Hazbiun. Kadri Hazbiu, siç kam parë në dokumente, nuk ka thënë gjë.
Por nuk është vetëm Kadri Hazbiu që ka qenë në udhëheqjen e ministrisë. Është edhe Rexhep Kolli. Edhe ai, sa kam parë në procesverbal, nuk ka thënë gjë. Pra, si mundet që për këto çështje të dijë vetëm Mihallaq Ziçishti dhe jo këta ish-udhëheqës të ministrisë. Flas këtu, shokë gjyqtarë për çështjet armiqësore, jo për të metat në punën operative, se ato ekzistojnë. Edhe kur të vijë ai kapitull që akuzohem për sabotim, unë do ti radhis disa nga të metat, edhe do ti them, edhe të miat, edhe të të tjerëve. Por kurrë nuk janë në planin armiqësor. Më konkretisht lidhur me çështjen e tradhtisë. Kurrë nuk kam qenë agjent i UDB-së. Ky është trillim i Fiqret Shehut….
Kryetari:- Mos i përsërit këto se i morëm vesh ato të trillimit e ku di unë, por ndonjë gjë konkrete!
Feçori:- Gjë konkrete mund të them, për Fiqret Shehun e Mihallaq Ziçishtin. Më mirë po i futem konkretisht. Në vitin 1956, thotë Fiqret Shehu, unë i jam paraqitur dhe i kam dërguar të fala nga ‘Çalamani’, a ‘Sala’. Fiqret Shehu, anëtare e Komitetit Qendror, ish-gruaja e kryeministrit. Unë as Çalë, as Salë nuk njoh. Mundet edhe pa njohur të bëhet kjo. Por unë i them trupit gjykues se si është e mundur, që unë, kryetar dege do vija dhe do i jepja detyra strategjike Fiqret Shehut për Konferencën e Tiranës(1956), kur kapobanda ishte burri i saj Mehmet Shehu. Dhe Fiqret Shehu, me djallëzinë e saj prej armiku, e bën për dy qëllime, pra këtë e bën për dy qëllime. Së pari për t’u hakmarrë….
Kryetari:- Pse do të hakmerrej ajo, çfarë i bëre ti asaj?
Feçori:- Për arsye, po ua them, për arsye se nga pozita ime si ministër, fill pas prishjes së fejesës me Silva Turdiun, unë kam ngritur shumë çështje. Disa çështje, mos them shumë, disa çështje kundër Mehmet Shehut, Fiqret Shehut, kundër fëmijëve të saj. Ja kam ngritur Sekretarit të Parë, ja kam ngritur me porosi të tij dhe Mehmet Shehut, i cili në atë moment, ka marrë inat të jashtëzakonshëm. Edhe kur takohej me mua, takohej vetëm formalisht, për arsye se isha në postin e sekretarit të Komitetit Qendror. Së dyti, ajo si njeri i jugosllavëve dhe e zbulimeve të tij, bashkë me burrin e saj, edhe ndonjë të pandehur tjetër, me djallëzinë që e karakterizonte, kërkon të nxjerrë njerëz të tjerë në plan të parë dhe të mënjanohet sa më shumë nga dhënia e llogarisë. Për këto dy arsye e bën Fiqret Shehu këtë. Por unë i lutem shumë trupit gjykues, që unë në vitin 1956, kur u zhvillua veprimtaria e elementit antiparti, sapo kisha ardhur nga Korça, 5-6 muaj! Nuk e njihja akoma organizatën bazë, nuk njihja akoma kolektivin e jo më të vija unë e ti thosha Fiqret Shehut detyrat strategjike për qëndrimin e saj, kur kapobanda i kësaj pune, ishte vetë burri i saj. Shumë mirë, Mehmet Shehu, mund t’ia thoshte Fiqret Shehut.
Kryetari:- Domethënë, s’je dakord me këto që thotë ajo?
Feçori:- S’jam. Për të argumentuar këtë, ajo thotë se në Konferencën e Tiranës, bile për çudi këtë e dinë dhe djemtë e saj, unë isha ngarkuar nga zbulimet dhe nga organizata kundër revolucionare që të zgjidhja njerëzit që do të vinin si delegatë edhe do të flisnin kundër Partisë. Dihet rregulli se si zgjidhen delegatët. Por për fatmirësinë time, unë me asnjë nga ata që folën në Konferencën e Tiranës, nuk jam njohur as personalisht, as teorikisht, as fizikisht. Këtë e ndanë dhe me faza, pas demaskimit që u bë dhe pas shpartallimit nga Udhëheqësi i Partisë dhe jo nga Mehmet Shehu që ishte dakord me ‘ta, e Fiqret Shehu dhe Beqir Balluku. Gjoja, unë kam marr për sipër të shpëtoja sa mund të shpëtonin dhe të mos dilte në hetuesi gjë. Hetuesia e këtyre njerëzve nuk është bërë në Drejtorinë e Tiranës, por është bërë në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Nga ana tjetër nuk kishte mundësi dhe nuk ka logjikë që Feçor Shehu të mbyllte gojën e gjithë organizatave-bazë të Tiranës që e diskutuan gjerësisht, e analizuan punën e elementit antiparti në frymën e vendimeve të Kongresit të Partisë….
Kryetari:- Domethënë, s’je dakord.
Feçori:- S’jam dakord. Nga ana tjetër, u internuan me dhjetëra e dhjetëra, u shpërngulën me dhjetëra e dhjetëra nga Tirana në rrethe të ndryshme. Kështu që këta, nuk përpunoheshin më nga Drejtoria e Tiranës, por përpunoheshin nga gjithë rrethet e tjerë. Rrjedhimisht, Feçor Shehu nuk kishte si ti tamponte gojët e të gjithë degëve të punëve të brendshme. Bile, s’jam fare dakord me atë që thuhet në akuzë, se unë kam dashur të marr në mbrojtje elementët e internuar nga Tirana dhe më paska mbrojtur Kadri Hazbiu me qëllim të keq. Është e vërtetë ajo, por metoda që merret e nxirren ekstratet e shkëputura nga gjithë konteksti, është një metodë e njohur që nuk të jep mundësi të njihesh me realitetin. Si është e vërteta që e kam thënë atë?! Është e vërtetë që e kam thënë ashtu siç është shkruar atje, që gjithë këta njerëz urbanizohen atje, se janë njerëz të dyshimtë e disa armiq, por në bazë të mësimeve të Partisë, ne, kur çojmë 20 veta në Lushnje ose në Fier, tu japim shtëpi, qoftë dhe një kasolle. T’u japim punë me kazmë, se në mënyrë tjetër do detyrohen të arratisen. Këtë nuk e ka bërë vetëm Feçor Shehu. Kjo është formë e Sigurimit të Shtetit për ekstremet në zhvillimin e luftës së klasave dhe e ka vlerësuar Komiteti Qendror. Pra, nuk është ashtu siç thotë akuza, një zemërgjerësi. Unë kurrë nuk jam treguar zemërgjerë ndaj armiqve….
Kryetari:- Po…
Feçori:- Që këtu fillon tragjedia ime me Fiqret Shehun, armike e tërbuar, si i shoqi i saj, edhe djemtë e saj, edhe ndonjë tjetër. Edhe në procesverbale, të nderuar gjyqtarë, do shikoni se Fiqreti ka thënë që gjoja kur ka kaluar në Paris, ajo është takuar me mua në Vjenë, që unë po vuaja i shtruar në spital dhe paska marrë porosi nga Kadri Hazbiu e Mehmet Shehu që të me thoshte që të kthehesha unë shpejt…
Kryetari:- Në Vjenë je takuar ti me këtë?
Feçori:- Do t’ua them. Kadri Hazbiu është gjallë dhe të thotë. Unë jam takuar, jam takuar në prezencë të 4-5 të tjerëve.
Kryetari:- Takimi si takim është bërë, si takim?
Feçori:- Po, takimi, është e logjikshme që të vinte Fiqret Sghehu atje… Unë isha në shtëpinë e Partisë dhe u detyrova të iki nga shtëpia me Partisë se ajo ishte grua, dhe shkova në hotel. Po dhe unë vetvetiu, do takohesha. Edhe më informoi mua për përjashtimin e Beqir Ballukut. Ajo nxjerrë konkluzione që unë u urdhërova nga Kadri Hazbiu e Mehmet Shehu që të kthehesha shpejt, se këtu duhet të ndihmoja për të mos u zbuluar veprimtaria e Mehmet Shehut. E vërteta është krejt ndryshe. Unë nuk jam kthyer shpejt, por jam kthyer në mbarim të programit. Edhe për këtë nuk prisja urdhrin e Fiqret Shehut. Kadri Hazbiu ishte ministër, kishte telegrame, kishte zbulimin dhe mund të më njoftonte. Po aq e vërtetë është kjo, sa që kur erdha këtu,
unë u paraqita tek Kadri Hazbiu. Ai, në një masë më të gjerë, më informoi për tradhtinë e Beqir Ballukut, se ishte anëtar i Byrosë Politike. I kam shfaqur mendimin atij që është një punë armiqësore. Duhet arrestuar për mendimin tim. Kurse Fiqreti thotë se u trondita unë për kokën e Beqir Ballukut! Kadri Hazbiu tha, mirë kjo është punë armiqësore, punë antiparti, por duhen dokumente prandaj të vazhdohet përpunimi. Unë nuk kam qëndruar në punë, por kam ikur një muaj me lejë. Pra, rrëzohen kategorikisht thëniet e Fiqretit për këtë çështje…
Kryetari:- Më tutje.
Feçori:- Pra, Fiqreti që shpif, është ustalleshë e vjetër, siç thuhet në materiale, e do të ndjellë një Feçor Shehu për ato qëllime që thashë… Lidhur me Teme Sejkon që thotë Mihallaq Ziçishti, që unë jam vënë në dijeni… Për çudi, këtu është Kadri Hazbiu, për të gjitha problemet që ka trajtuar ministria, unë jam vënë në dijeni! Teme Sejkon s’e kam njohur fare si njeri. Me Teme Sejkon s’jam marr fare, as në proces, as në gjë tjetër. Edhe nuk e di hiç, vetëm ç’kam mësuar nga salla, nga tribuna e Kongresit dhe nga analiza që ka bërë ministria…. Në aktakuzë thuhet se unë qenkam agjent përveç i jugosllavëve, dhe i sovjetikëve. Është e çuditshme. Unë kam qenë në shkollë në Bashkimin Sovjetik në vitin 1951, në kohën e Stalinit. Si e trillojnë këtë armiqtë Fiqret Shehu e Llambi Ziçishti! Po e di shumë mirë edhe vetë Mihallaqi, dhe Kadri Hazbiu që unë me Llaqkën nuk mund të hapja gjë. E di, bile kam pasur dhe përplasje, që e di dhe Kadri Hazbiu….
Kryetari:- Ke pasur përplasje.
Feçori:- E di dhe Kadri Hazbiu. Po nejse, nuk e kam tek ajo, por e kam tek kjo që…..
Kryetari:- S’është e vërtetë ajo, me një fjalë?
Feçori:- Me një fjalë s’është e vërtetë jo, por, unë do ta argumentoj me fakte këtu se Mihallaq Ziçishti foli disa seanca këtu.
Kryetari:- Ti argumentoje.
Feçori:- Si e lidhën këta, që gjoja paska ardhur Mehmet Shehu dhe Kadri Hazbiu në Moskë atje… Unë po ju them që nuk i kam takuar. Kadri Hazbiu është këtu, të pyetet. Por një gjë është, që unë qenkam rekrutuar nga sovjetikët për arsye siç janë rekrutuar edhe të tjerë në radhët e studentëve. E mjera Fiqret Shehu, nuk ndalet edhe para budallallëqeve. Studentët e Ministrisë së Brendshme nuk përpunohen e as kontrollohen, se është e ndaluar me Platformë….
Kryetari:- Gjithmonë zbatohet Platforma, s’ka pasur shkelje të Platformës?
Feçori:- Unë s’kam shkelur asgjë, dhe do ti argumentoj.
(Vijon nesër)
Përgatiti për botim: Kujtim Boriçi
SOM 1
“Për rrjedhim, gjatë gjithë hetuesisë, dhe tani në gjyq, unë Feçor Shehu deklaroj me tërë forcën e shpirtit tim, që nuk e pranoj akuzën, duke ju lutur trupit gjykues, e nëpërmjet tij udhëheqjes së Partisë, për të më çliruar mua, një person i pastër dhe që për një kohë të gjatë kam qenë në luftë për çlirimin e atdheut, mbrojtjen e tij dhe kam dhënë gjithçka, pa kursyer gjakun, djersën dhe çdo sakrificë tjetër nga intrigat që fillimisht përgatiti e trilloi armikja Fiqret Shehu e djemtë e saj”
SOM 2
“Fiqreti që shpif, është ustalleshë e vjetër, siç thuhet në materiale dhe do të ndjellë një Feçor Shehu për ato qëllime që thashë… Në aktakuzë thuhet se unë qenkam agjent përveç i jugosllavëve, dhe i sovjetikëve. Është e çuditshme. Unë kam qenë në shkollë në Bashkimin Sovjetik në vitin 1951, në kohën e Stalinit. Si e trillojnë këtë armiqtë Fiqret Shehu e Llambi Ziçishti! Po e di shumë mirë edhe vetë Mihallaqi, dhe Kadri Hazbiu që unë me Llaqkën nuk mund të hapja gjë. E di, bile unë si Feçor, kam pasur dhe përplasje, që e di dhe Kadri Hazbiu…”
SOM3
“Kadri Hazbiu, në një masë më të gjerë, më informoi për tradhëtinë e Beqir Ballukut, se ishte anëtar i Byrosë Politike. I kam shfaqur mendimin atij, Kadriut, që është një punë armiqësore. Duhet arrestuar për mendimin tim. Kurse Fiqreti thotë se u trondita unë për kokën e Beqir Ballukut! Kadri Hazbiu tha, mirë kjo është punë armiqësore, punë antiparti, por duhen dokumente, prandaj të vazhdohet përpunimi. Unë nuk kam ndejtur në punë, por kam ikur një muaj me lejë. Pra, rrëzohen kategorikisht thëniet e Fiqretit për këtë çështje…”
NESËR DO TË LEXONI:
-Si u organizua arratisja masive nga Dibra në Jugosllavi dhe akuzat për Feçor Shehun e Kadri Hazbiun.
-Deponimet në gjyq të Shehut: Të deklasuarit rekrutoheshin bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit, ose dënoheshin e internoheshin.
-Misteret e misionit të dy funksionarëve të UDB-së që u arratisën nga Jugosllavia në Dibër dhe kontaktet e tyre me Kadri Hazbiun e Feçor Shehun.
Shikoni nga i ka ardhur e keqja popullit shqipetare. http://www.proletari.com/agim-hamiti-leter-e-hapur-drejtuar-klases-politike-te-tiranes-e-te-prishtines-dhe-ambasadorit-amerikan/html