WAG, një akronim për wifes and girlfriends (gratë dhe të dashurat) që hyri shumë shpejt në zhargonin e çdo gjuhe, sa herë që flitet për historitë rozë të futbollistëve. Në mungesë të sukseseve të arritura në fushë, kombëtarja e Anglisë ka bërë shpesh bujë me bukuroshet e futbollistëve dhe faqetë e tabloidëve kanë gjetur përherë histori që trazonin ambientin. Por, duket se në Brazil nuk do të kenë më material. Jo se zonjat e zonjushat e futbollistëve janë bërë më të përmbajtura dhe i qëndrojnë larg syrit e veshit të publikut, por sepse nuk do t’u bëjnë më shoqëri burrave të tyre. Ndryshe nga vitet e tjera, federata angleze ka vlerësuar se prania e WAGs mund të ndikojë në përqendrimin e futbollistëve dhe përgatitjet e tyre për ndeshjet. Lajmi është konfirmuar edhe nga trajneri Roy Hodgson. “Nuk do të organizojmë më udhëtimin për familjet e futbollistëve. Kishim një situatë në evropianin e fundit në Poloni, kur familjet dilnin së bashku dhe tërhiqnin vëmendjen e medias. Do të ketë kohë të lirë për futbollistët në Majami, ku do të kryhen përgatitjet përfundimtare, por edhe këtu nuk do të organizojmë udhëtimin dhe akomodimin e familjeve. Në hotelin në Brazil do të jenë vetëm futbollistët dhe stafi teknik”, komunikoi Hodgson. Anglia luan në një grup të fortë, me Italinë, Uruguain dhe Kosta Rikën, por tani do të ketë më pak mundësi shpërqendrimi për të ecur përtej asaj që pret publiku anglez.