Moikom Zeqo
TEK LORKA
Tek Lorka natyra njerëzohet.
Çdo degë peme është gjymtyrë njeriu.
Hëna është sozia e poetit.
Krijimi i poezisë të Lorkas është si procesi i papashëm i krijimit të një stuhie, shumë gjatë dhe shumë papritur.
Lorka shndrit sepse ecën, çan, hulumton errësirat.
Lorka e shndërron pikturën në metaforë verbale, ngjyrat në tinguj, mbresat në skalitje!
Stuhia?
Mund të ketë nisur në Golgota dhe të shpërthejë në Guernika.
Për këtë Pikaso-ja s’e ka ditur.
Kurse Lorka po! ( 1980)
MAKINA E SHKRIMIT
Në një dhomë, ku ishte biblioteka plot libra, mbi një tryezë rrinte makina e vjetër e shkrimit.
Ajo kishte qenë e një shkrimtari.
Me të shkrimtari kishte shkruar librat e tij.
Por shkrimtari kishte kohë që kishte vdekur.
Tani në këtë dhomë nuk vinte më askush.
Njerëzit e familjes së shkrimtarit kishin ikur në një shtëpi tjetër.
Në dhomë zotëronte heshtja e gjatë.
Shumë heshtje e gjatë.
Dhe megjithatë nuk ishte tamam heshtje.
Sendet dinë të flasin me një gjuhë që s’e dinë njerëzit.
– U bë kohë që tastet e mia nuk kërcasin më, thonte makina e shkrimit. Shkrimtari që punoi me mua qe njeri i mirë.
– Shumë i mirë, thanë me një zë tërë librat e bibliotekës.
– I mrekullueshëm. Po tani s’është më.
– S’është më. Megjithatë kujtimi i tij është këtu.
– Vetëm kujtimi. Sa na mungon!
– Vërtet na mungon.
– Por ne nuk mungojmë, thanë librat e shkruara nga shkrimtari.
Ne s’mund të mungojmë dot.
Ne jemi pra edhe shkrimtari është.
– Aha, po, ju jeni kujtesa e tij, por jo trupi i tij, tha makina e shkrimit.
– Megjithatë këtu brenda ka shumë heshtje, heshtje të tmerrshme, tha një libër i vogël i parëndësishëm fabulash. Mbaj mend se kur më lexonte shkrimtari, i zoti i kësaj dhome, qeshte dhe pastaj binte në mendime.
Vërtet jam një libër i vogël, por shkrimtari më pëlqente.
– Ndërsa kur më lexonte mua, kujtoi libri « Milosao » i De Radës, shkrimtari merrte fletë të bardhë e mbi to vizatonte portrete dhe peizazhe me laps.
– Me mua ka ndodhur ndryshe, tha libri « Fausti » i Gëtes. Nuk kam asnjë faqe pa nënvizime e shënime të shkrimtarit.
– Mua më ka lexuar më shumë nga tërë librat, tha libri « Udhëtimet e Guliverit » të Swiftit.
– Edhe mua, edhe mua, tha libri “Liza në Botën e Çudirave” të Karolit.
– Është e vërtetë, e vërtetë, miratuan librat e tjerë të bibliotekës.
– Por më gjatë më ka prekur mua me gishtat e tij, shtoi mendueshëm makina e shkrimit. Gishtat i kishte të zverdhur nga nikotina se tymoste shumë cigare.
Sa shumë cigare.
– Ndoshta mund të jetonte edhe më shumë po të mos pinte aq duhan, shtoi tryeza e shkrimit.
– Jo, tha makina e shkrimit, mendoi aq sa duhet sepse punoi aq sa duhet.
Kishte shumë fantazi, si dhe pakrahësimisht më shumë talent se njerëzit e tjerë. Dhe kjo i mjaftonte dhe i bënte ditët e tij më të dendura, më me kuptim.
– Ke të drejtë, ke të drejtë, shtoi prerësja e lapsave, që rrinte jo shumë larg makinës së shkrimit.
– Dhe megjithatë tani ai nuk është më, tha blloku i shënimeve ku shkrimtari kishte shkruar ditarin e tij.
– Nuk është më, nuk është më, psherëtiu makina e shkrimit.
Ndoshta makina e shkrimit e donte më shumë shkrimtarin.
Ajo shihte ëndrra netëve.
Njëherë pa një ëndërr sikur shkrimtari i ringjallur i ra tasteve të saj dhe ajo nxirrte tinguj muzikorë, tinguj të një melodie të mrekullueshme, që nuk shuhej, por përsëritej papushim.
Pastaj makina e shkrimit pa një ëndërr të ankthshme.
Në ëndërr mijëra krimba filluan t’i brejnë librat, strukturën e bibliotekës.
Pastaj hëngrën letrat e bardha të pashkruara.
Mbas kësaj krimbat ju turrën makinës së shkrimit.
Donin ta bluanin, por qe absolutisht e pamundur.
Makina e shkrimit qe prej hekuri të nikeluar.
Ajo i ndjente krimbat e neveritshëm, dyfish të neveritshëm edhe për shkak të pafuqisë së tyre të pabesë.
Instrumentet e mia, mendoi makina e vjetër e shkrimit janë të pazhbëshme dot ashtu si eshtrat e shkrimtarit nën tokë.
Krimbat ja hëngrën trupin, por jo eshtrat.
Unë jam shëmbëlltyrë e eshtrave të shkrimtarit, meditoi në qetësi makina e shkrimit.
Pastaj në ëndërr instrumentet e makinës së shkrimit dhe eshtrat e shkrimtarit u bashkuan në një super-makinë të pangjashme në botë.
Padukshmëria (Shpirti ?) me gishtat e lehtë u ra tasteve dhe shtyllës kurrizore të shkrimtarit.
Mbi retë e bardha të qiellit flakëruan dorëshkrime prej alfabeti të rrufeve dhe u dëgjua muzika hyjnore e amshimit.( 1979)
