Duket e pabesueshme, por është e vërtetë. Me pak fjalë mund të thuhet: Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami i ka dhuruar kryeministrit brirët e dhisë. Shikoni foton përkatëse që të bindeni. Është botuar në revistën “Mbrojtja”, organ qendror i Ministrisë së Mbrojtjes të Republikës së Shqipërisë. Në kuadrin e 100-vjetorit të krijimit të Forcave të Armatosura, ministri aktual i Mbrojtjes, tejet i entuziazmuar për arritjet në dikasterin e tij, i ka bërë Kryeministrit një nga dhuratat më të çuditshme: skulpturën e një dhie të egër, të ndërtuar me materialet e demontimit të municioneve.
Disa nga interpretimet për dhuratën në fjalë.
Interpretimi i parë (Më i besueshmi).
Imami ka një adhurim të jashtëzakonshëm për Kryeministrin, saqë në rrethe të ngushta e quan Berishën “Skënderbe”. Mirëpo Skënderbeu është ngulitur në përfytyrimet e njerëzve me një përkrenare që nuk është gjë tjetër veçse një kokë dhije me dy brirë… Ka një legjendë për këtë. Imami mendon: Që Kryeministri aktual është Skënderbe, nuk ka asnjë dyshim. Ai i ka shpartalluar të gjithë armiqtë brenda dhe jashtë partisë, ndaj dhe e meriton të jetë një hero kombëtar… Madje më i madh se Skënderbeu. Por atij i mungojnë brirët… Si t’ia bëjmë? Ka pyetur Imami. Dhe dikush nga bashkëpunëtorët e tij të afërt i ka sugjeruar që me materialet e demontimit të armëve të sajojmë skulpturën e një dhije të egër. Kështu, me “një gur, vrasim dy zogj”: edhe i bëjmë qejfin Kryeministrit, duke i kujtuar vendlindjen, ku dhitë e egra janë me bollëk, edhe evidentojmë arritjet e dikasterit për demontimin. Shkëlqyeshëm!, ka thënë Imami, të bëhet.
Mirëpo dikush i paska thënë:
-Pse të mos bëjmë dhuratë ndonjë ari apo ndonjë ujk, që gjithashtu janë kafshë shumë të shpeshta në malësi? Qoftë edhe një dre apo drenushë…
-Jo, jo! Një dhi dhe vetëm një dhi!, – ka këmbëngulur Imami i menduar…
Interpretimi i dytë (I besueshëm në një farë mase):
Kur ka lindur ideja që Kryeministrit t’i dhurohet skulptura e një dhije të egër, Arben Imamit i është kujtuar 28 maji i vitit 1996. Disa e kanë harruar atë ditë, por Imami nuk ka se si ta harrojë… Atëherë Imami ishte një nga armiqtë e Berishës. Ishte pra në kampin “kundër”. Dy ditë pas zgjedhjeve të manipuluara të 26 majit, opozita doli në shesh për të protestuar. Beteja ndodhi në sheshin “Skënderbej”. Heroi ynë Kombëtar i hipur mbi kalë është dëshmitari autentik i asaj që ndodhi më 28 maj 1996. Se ç’ndodhi atë ditë në shesh, ca e dinë e ca nuk e dinë, se koha bën të vetën. Por një fakt nuk ndryshon: Arben Imamit atë ditë i thyen dhëmbët në një akt qëndrese si opozitar. Se kush ia theu, nuk dihet me saktësi. Thonë se ishin gardianët e ish-Presidentit të asaj kohe… Në momentin e rrëzimit dhe tërheqjes zvarrë nëpër shesh, Imami padashje ka ngritur kokën dhe ka parë siluetën e Heroit tonë Kombëtar. Dhe nga i gjithë peizazhi rreth e rrotull i janë fiksuar dy brirët e dhisë mbi kokën e Gjergjit. Prandaj…
-Një dhi t’i dhurojmë Kryeministrit! – ka këmbëngulur pa mëdyshje Imami në festën e 100-vjetorit të Forcave tona të Armatosura!
Interpretimi i tretë (Më pak i besueshmi):
Disa gojë të liga thonë se dhurata e ministrit të Mbrojtjes për Kryeministrin është e qëllimshme, është një hakmarrje. Ai, pra Imami, ka gjetur një mënyrë që të hakmerret ndaj Kryeministrit për dhëmbët e thyer, të cilin jo vetëm nuk e do, por mezi gjen momentin që ta poshtërojë. Meqë nuk i durohet sa Berisha të dalë në opozitë, nxiton ta bëjë këtë para kohe.
-Një dhi! Një dhi!, t’i dhurojmë Berishës! – ka bërtitur ministri i Mbrojtjes në një moment ekzaltimi, pa e shprehur qartë se ky ishte inat, ngazëllim apo urdhër.
Ja kështu ndodhi. Punonjësit e demontimit, së bashku me disa artistë punuan ca kohë gjersa e bënë një dhi të egër metalike për t’ia dhuruar Kryeministrit. Brirët duken qartë aty. Po ashtu ngazëllimi i Imamit dhe Berishës.
Shënim:
Këtu u dhanë tri interpretime të mundshme. Ju zgjidhni kë të doni prej tyre. Është krejt rastësi që sot është Dita e Gënjeshtrave…