PS reagon për kauzat e presidentin Nishani, i cili dy ditë më parë e cilësoi hakmarrje politike rrëzimin e dy kandidaturave për Gjykatën e Lartë, që ai i paraqiti Kuvendit.
Deputetja socialiste, Ermonela Felaj, tha se reagimi i presidentit është i paprecedentë.
“Duke vënë re jo pa keqardhje në reagimin e Presidentit të Republikës, një pozicionim qartësisht politik, përsërisim se e gjithë procedura e ndjekur nga ky institucion në shqyrtimin e dekreteve për emërimin e dy anëtarëve të Gjykatës së Lartë është kryer në përputhje me Kushtetutën, ligjin organik dhe Rregulloren e Kuvendit.
Për t’u sqaruar rreth akuzave politike që karakterizojnë pozicionimin e Presidentit, ftojmë të gjithë të interesuarit, që të njihen me tekstin integral të raportit të hartuar nga Komisioni i Ligjeve.
Larg çdo terminologjie joligjore, ky dokument qartëson gjithçka edhe mbi të ashtuquajturin qartësim të pretenduar nga Presidenti në deklaratën e tij.
Ndryshe nga raste të tjera, kur dekretet e Presidentit të Republikës, për emërime në organet kushtetuese liheshin për muaj e vite pa u shqyrtuar, apo pa u shqyrtuar kurrë, menjëherë sapo dy dekretet u përcollën në rrugë zyrtare, Kuvendi ka ndjekur germë për germë parashikimet ligjore në trajtimin e tyre.
Terma të përdorur nga presidenti si “truk procedural” nuk e cenojnë një proces të tillë, të kryer në zbatim të Kushtetutës dhe ligjeve të vendit.
Është rast i paprecedent kur një President i Republikës përmes një deklarate të politizuar vë në diskutim vendim-marrjen e Kuvendit, i cili si i vetmi përfaqësues i vullnetit të popullit, është në ushtrim të plotë të së drejtës kushtetuese që të japë pëlqimin, ose të rrëzojë dekretet e Presidentit të Republikës”, tha Felaj.
