“Interneti? Është një rrjet shumë i madh ku mund të gjesh çdo gjë që kërkon”. Dea, 11 vjeç, nxënëse në klasën e gjashtë në një institucion arsimor jopublik në Tiranë përgjigjet e sigurt dhe më një gjuhë të rrjedhshme. Dhe me këtë kupton materialet shtesë që i kërkojnë mësuesit për lëndët, aplikacione si what’s up dhe viber dhe persona që kanë një username ose janë përdorues të aplikimeve në internet. Madje dhe çantën e shkollës e ka gjetur në internet, pasi kërkoi në dyqanet e Tiranës. Siguri që fillon të zbehet pas 30 sekondash pasi ti i thua se p.sh ajo nuk mund ta gjejë macen time në internet. “Epo, mirë,- del nga situata ajo, “gjen shumicën e gjërave.”
Dea thotë që nuk i pëlqen Facebook-u, por ajo ka një profil në Instagram. Hendi ka një kanal të vetin në youtube ku poston video të shkurtra gazmore në anglisht. Gjysma e shokëve të saj të klasës kanë faqe në Facebook edhe pse mosha minimale për të hapur një të tillë është 13 vjeç. “Mua ma ka hapur tezja kur isha 4 vjeç,” thotë një tjetër në bankën përbri, “po në fakt unë vetë 9 vjeç kam filluar ta përdor. Edhe tani hyj shumë rrallë, 1 herë në muaj.” Më i hedhuri nga të gjithë, Kevini thotë që në faqen e tij ka 85 miq dhe shumica janë shokë dhe shoqe të motrës, “të cilët më kanë shumë xhan”. “E kam hapur nga inati, sepse shumë nga shokët e mi kishin facebook dhe unë prandaj e hapa.” Ndërsa Klea, pikërisht pse e kishin të gjithë, ka zgjedhur të jetë e pranishme në Instagram. “Për qejf, që kur të dal me shoqet në ekskursion të vendos fotot”. Nga personat e famshëm ndjek Keti Perrin.Të gjithë thonë se i njohin personat që u bëjnë kërkesë për miqësi, edhe pse disa mendohen para se ta japin këtë përgjigje.
Janë të lirshëm, të shpenguar, të gjallë. Gati- gati të vjen keq që t’ua prishësh këtë entuziazëm dhe pafajësi për botën dixhitale që kanë zbuluar, duke u treguar anën e errët të saj: abuzime, imazhe të rënda për psikën e tyre, ngacmime, sexting, dhunë, përqeshje/tallje, etj.
Është e vështirë ta mbash bisedën të fokusuar tek rreziqet e internetit për fëmijët, sepse shpeshherë ato ngatërrohen me pasojat si miopi, mbipeshë, mungesë vitamine D. Pranvera, mësuese me përvojë të gjatë në arsimin parauniversitar dhe drejtuese e një shkolle jopublike në Tiranë, rendit si pasojë edhe humbjen e kujtesës. “Shikoj nxënës që pas 3 orësh e kanë harruar mësimin. Në dallim nga brezi i fëmijëve para internetit, truri i tyre nuk është shumë i lirë për të thithur informacion të ri, bëhen përzgjedhës. Megjithëse kanë fjalor më të pasur, bota emocionale gjithashtu është më e varfër”.
Lidhur me rrjetet sociale Vera thotë se prania e fëmijëve në këtë moshë kaq të vogël edhe kur është me lejen e prindërve, u jep atyre një shembull shumë të keq: atë që mund të gënjesh për të marrë atë që do. Në Facebook, Kevin është 21 vjeç!
***
Problemi janë të rriturit
Efekt tjetër negativ shton Kastrioti, administrator i shkollës dhe pedagog me përvojë është deformimi i koncepteve për shoqërinë. “Fëmijët mësojnë se mund të bësh mik me dikë nëse shtyp një buton ose klikon. Ka patur raste kur fëmijët janë zënë në shkollë pas një sherri të nisur në rrjetet sociale”.
“Fëmijët vijnë të lodhur, prindërit ankohen për kohën që harxhojnë në lojërat me kompjuter. Por edhe në televizion kur prindërit i lejojnë të shohin programe të natës vonë”, shton Vera. “Për mua, problemi janë të rriturit”.
Një konkluzion i thjeshtë në të cilin ka arritur dhe Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Fëmijët, UNICEF, i cili në bashkëpunim me Unionin Ndërkombëtar të Informacionit ITU ka “identifikuar” të rriturit që kanë përgjegjësi për mbrojtjen e fëmijëve në internet. Sipas tyre, të rriturit që bëjnë politika dhe ligje ose ndryshe qeveria dhe parlamenti, të rriturit që bëjnë biznes-ose sektori privat dhe industria e telekomunikacionit, të rriturit që edukojnë, shoqëria civile dhe prindërit, kanë të gjithë një rol për të luajtur në ofrimin e sigurisë në internet. Detyrat e tyre janë të renditura në një paketë udhëzimesh që UNICEF dhe ITU kanë përgatitur me këtë rast. Këta janë të “rriturit e mirë” që duhet t’i mbrojnë fëmijët nga “të rriturit e këqinj” si pedofilët, trafikantët, rrëmbyesit e fëmijëve dhe abuzuesit e ndryshëm që tashmë e kanë shumëfishuar praninë e tyre edhe në botën virtuale. Paketa është pjesë e nismës globale “Ne mbrojmë”(në origjinal #weprotect), themeluar në dhjetor të 2014 në Londër me pjesëmarrjen e 50 shteteve dhe agjencive ndërkombëtare ligjzbatuese si UNODC, Interpol dhe Europol.
Duket si kontradiktore që ndërsa në 4 fushat e para, paketa u kërkon operatorëve dhe agjencive të ngrenë mekanizmat e nevojshëm për të ndërtuar një mjedis të sigurt online për fëmijët, në pikën e pestë nxit përdorimin e teknologjisë dixhitale për të angazhuar qytetarët në mënyrë pozitive. Elda Spaho, oficere komunikimi në organizatën World Vision, e cila ka disa vjet që është angazhuar në këtë fushë, shpjegon se kjo është e mundur. “Gjatë takimeve tona me prindërit, ata tregonin se ndiheshin të qetë kur shihnin që fëmijët lundronin me orë të tëra në internet. Nuk i njihnin rreziqet online, përkundrazi u dukej si shenjë serioziteti nga ana e fëmijëve. Kjo ndodh sepse prindërit ndihen shumë të papërgatitur; interneti u duket diçka që s’ mund ta kuptojnë, madje sikur as që duhet ta kuptojnë. Ne i nxisim që ta kuptojnë, të mësojnë sa më shumë rreth tij, sepse vetëm kështu do mund të bisedojnë me fëmijët e tyre. I nxisim të vënë në jetë, në mënyrë të shëndetshme, detyrat si prindër. Kjo përfshin edhe vendosjen e orareve të caktuara për përdorimin e internetit/kompjuterit. Nuk është mendësi e prapambetur të mos e lejosh fëmijën të rrijë orar pa orar para kompjuterit. Është përkujdesje prindërore. Prindërit nuk duhet të ndihen të pafuqishëm përballë kësaj gjendjeje, ashtu si po ndihen, fatkeqësisht”, – thotë Spaho.
Nga ana tjetër, prindërit ankohen që shkolla i shtyn fëmijët drejt internetit, duke i ekspozuar ndaj rreziqeve të tilla si përmbajtje e papërshtatshme, sjellje e papërshtatshme dhe kontakte të papërshtatshme.
Mësuesit mbrohen duke thënë se kërkimi në internet udhëzohet të bëhet me fjalë kyç dhe gjithmonë u japin dy burime, por në situatën kur 85% e fëmijëve në Shqipëri të moshës 13-18 vjeç në shtëpitë kanë ekses në internet nëpërmjet një kompjuteri në shtëpi, që në shumicën e rasteve gjendet në dhomat e tyre, këto kërkesa nuk i mbrojnë nga përmbajtjet e padëshirueshme. Edhe në rastet kur nuk kanë internet në shtëpi, fëmijët zbresin në internet kafe, të cilat janë gjerësisht të aksesueshme si në zonat rurale dhe ato urbane. Një studim i vitit 2014 nga World Vision nënvizoi se shumica e materialeve pornografike të paqëllimshme që shfaqen ndodh pikërisht në qendra interneti. 65% përdorin celularin, 59% kompjuterin dhe 43% laptopin për të hyrë në internet. 44 % e fëmijëve përdorin internetin për të shikuar material pornografik çdo ditë. Me sa duket, ndryshimet e nenit 117 të kodit Penal që kanë hyrë në fuqi në maj të vitit 2013 dhe përcaktojnë si vepër penale mbajtjen apo përdorimin e materialeve pornografike, nuk kanë dhënë efekt. Vetëm gjatë vitit të fundit 47 % e 13-18-vjeçarëve janë kontaktuar në internet nga persona të panjohur që në 40 për qind të rasteve, ishte një i huaj.
Shkolla konsiderohet si aktor kyç në rritjen e ndërgjegjësimit të fëmijëve për rreziqet online. Për këtë arsye në lëndën e edukatës qytetare dhe ato të aftësimit teknologjik janë përfshirë tema rreth sigurisë në rrjet, por ato janë të pamjaftueshme. Kur i kërkon të tregojnë disa histori reale që lidhen me rreziqet në internet, fëmijët e klasës së gjashtë përmendin së pari video të papërshtatshme, ndërsa Kevin thotë se ka dëgjuar për rastin e një fëmije që lajmëroi në rrjetin social se kishte ditëlindjen dhe iu vodh shtëpia. Klea tregon se një herë ka blerë në internet produkte pa lejen e prindërve dhe kjo i kushtoi ndalimin e internetit për një farë kohe. Emi, 14 vjeç, ka mësuar që të dhënat personale nuk duhet të ndahen me të tjerët, as fotografitë.
Gjithashtu, studimi vëren se familjarët dhe miqtë janë personat e parë ku fëmijët raportojnë një problem, ndërkohë që mësuesit dhe punonjësit e policisë janë figurat që ka më pak të ngjarë që fëmijët të drejtohen për ndihmë e të raportojnë.
Edhe pse ka një kod sjelljeje midis operatorëve telefonikë të koordinuar nga Ministria e Mirëqenies dhe ajo e Inovacionit, “Për përdorim të sigurt dhe të përgjegjshëm të rrjeteve të komunikimeve elektronike”, raporti kombëtar mbi situatën e të drejtave të fëmijëve në Shqipëri 2013-2014 pranon se “aktualisht në Shqipëri nuk ekzistojnë standarde dhe rregullore të qarta në lidhje me klasifikimin e përmbajtjes komerciale. Operatorët e komunikimit telefonik dhe online pranojnë se nuk kanë kontroll mbi përmbajtjen që ofrohet në internet, por nëpërmjet këtij Kodi ata sigurojnë që përmbajtja komerciale e ofruar nga ose nëpërmjet tyre do të kontrollohet e do të klasifikohet brenda një kuadri të përshtatshëm. Përmbajtja komerciale do të “shënjohet” për të dalluar nëse është i përshtatshëm për moshën nën 18 vjeç. Sipas Kodit, sipërmarrësit angazhohen të ndihmojnë fëmijët dhe prindërit lidhur me përdorimin e rrjeteve apo shërbimet e internetit, duke pasqyruar Udhëzimet për prindërit në faqet e tyre të internetit.
Në fakt, udhëzimet gjenden në faqet e internetit, por problem është sa i njohin dhe i përdorin prindërit dhe fëmijët këto udhëzime. Sepse nëse ti shkon për të blerë një smartfon për fëmijë, siç bëra unë para dy ditësh në një dyqan të rastësishëm celularësh, meraku më i madh i shitëses ishte çmimi i tij. Ajo më bëri një përshkrim të hollësishëm të karakteristikave të smartfonit, që ka internet të shpejtë, aplikacione si what’s up, viber, që mund të aksesohen nëpërmjet paketave pa limit. Dhe kur në fund e pyeta nëse ka një manual përdorimi për këtë smartfon meqë është për fëmijë, më tha “ nuk është e nevojshme, është shumë i thjeshtë për t’u përdorur.(!)” ITU dhe UNICEF këshillon që kompanitë ICT duhet të edukojnë konsumatorët rreth përdorimit të internetit dhe paketave që ata kanë në dispozicion për kontrollin prindëror dhe kufizimin e përmbajtjeve të dëmshme.
Alban Tartari, drejtor i marredhenieve me publikun në Albtelecom dhe Eagle Mobile, një nga firmëtarët e Kodit, thotë se “ne si kompani jemi të gatshëm që të bëhet një marrëveshje tjetër e përbashkët mes operatorëve për një soft sigurie online. Shteti ka rol detyrues dhe udhëheqës në këtë proces”. Tartari arsyeton se ky është veprim që nuk mund të bëhet nga vetëm një operator, sepse kjo ka kosto për kompaninë. “Vendimet sot për smartfonët, i marrin të rinjtë dhe ne i përshtasim ofertat sipas kërkesave të tyre. Nëse e bëj shumë të kontrolluar, fëmija i thotë prindit, ma hiq pak këtë operator se nuk punon mirë interneti, psh. Prindërit duhet të jenë më të informuar, po duhet kuptuar që edhe kompanitë kanë arsyet e tyre për të ndërhyrë në këtë fushë.”
Shumica e prindërve e marrin informacionin nga rrethi shoqëror i tyre, po sërish nuk janë të mbrojtur. Albana, nënë e dy fëmijëve 10 dhe 5 vjeç tregon se në shtëpinë e saj, i shoqi për shkak të profesionit-prodhues video, ka instaluar një program, i cili lajmëron me email faqet që janë vizituar nga çdo pajisje elektronike e lidhur me internetin- ipad, tablet, smartfon. Megjithatë, ajo nuk ndihet e qetë, sepse në një rast kur djemtë kanë qenë në shtëpinë e mikut të tyre kanë lundruar në faqe të pasigurta dhe janë përballur me pornografi. Mësimi që ajo mori: nuk ka siguri në rrjet.
***
Duam të ndihmojmë, por si?
Shqipëria ka një Agjenci Kombëtare për Sigurinë Kompjuterike (ALCIRT), e cila do të mirëmbajë dhe administrojë portalin online që do t’ju shërbejë personave juridikë, publikë dhe privatë për të publikuar adresat e faqeve të internetit me përmbajtje të paligjshme në përputhje me përcaktimin e kuadrit ligjor që rregullon veprimtarinë e tyre, si dhe ofruesve të shërbimit të aksesit në internet (ISP-ve) për marrjen e informacionit me qëllim mbylljen e aksesit në këto faqe sipas legjislacionit në fuqi. Një javë më parë, agjenci dhe organizata që punojnë në fushën e sigurisë online u mblodhën në Tiranë me mbështetjen e UNICEF-it për të analizuar progresin e bërë dhe hapat e mëtejshëm.
Derisa kjo të ndodhë, shkolla dhe prindërit kanë peshën më të rëndë për mbrojtjen e fëmijëve në botën virtuale. Pranvera thotë se shkolla duhet të organizojë takime të shpeshta me prindërit ku të diskutohen hapur shqetësimet dhe të përgatiten strategjitë më të mira për lundrim të sigurt në internet. Ndërkohë, në komunitetin e prindërve, reagimet variojnë nga “ laissez-faire” deri tek ndalimi i internetit. Për zbatuesit e teorisë “Laissez-faire”, ju sugjerojmë të lexoni insertin me psikologen klinike, Anila Sulstarova.
Evis Skuqi, mjeke dhe nënë e dy fëmijë në Elbasan beson se zgjidhja gjendet diku në mes- jo ndalim, sepse gjëja e ndaluar tërheq më shumë, aq më tepër kur tashmë interneti nuk është i përqendruar vetëm brenda shtëpisë. “Fëmijët duhet të binden se ajo që prindërit u këshillojnë është e mirë për ta”, thotë Evisi. Në këtë pikë, bien dakord prindërit e adoleshentëve, sepse siç vë re një prind tjetër, shkrimtare dhe metodiste, Rudina Çupi, “kontrolli bëhet i pamundur kur fëmijët janë adoleshentë e këmbëngulin në privatësi, si individë që fillojnë të ndihen”.
Dhe vijmë kështu tek një problem akoma më i madh, që është komunikimi prindër-fëmijë. Xhuliana Kapedani nga Korça, e cila e ka djalin në universitet tashmë, mendon se ky është rreziku më i madh. “Fëmijët mbyllen në dhomën e tyre ose edhe kur janë në të njëjtin mjedis nuk reagojnë ndaj prindërve apo edhe të pranishmëve. Kjo sjell mos shoqërizim dhe mbyllje në vetvete të fëmijëve. Kam mendimin se kjo mund të kontrollohet deri në njëfarë moshe (13-14 vjeç), por më vonë nuk e besoj. Aftësitë e fëmijëve i tejkalojnë ato të prindërve në këtë rast. Ndërgjegjësimi që në moshë të hershme i fëmijëve për rreziqet e internetit lidhur me shëndetin nga prindërit, por edhe nga mësuesit, do të ishte hapi i parë”.
Kur flasim për komunikim, është e rëndësishme të nënvizojmë që të dy prindërit duhet të përfshihen në këtë luftë, edhe baballarët, edhe nënat. Edhe për ata vetë. Nuk janë të pakta ngacmimet online ose mesazhet kërcënuese me video ose foto të jetës private. Floriana nga Tirana thotë se në këtë pikë prindërit janë të zënë duke shijuar teknologjinë për vete, po ndërsa ne të rriturit kemi aftësinë për të peshuar e gjykuar më me maturi veprimet tona, fëmijët nuk mund ta bëjnë këtë. Për ta, interneti është një kureshtje e madhe ku gjen, siç thotë Dea, “çdo gjë që do”. Ndaj ndryshimi duhet të fillojë nga të rriturit, të cilët duhet të dinë se kanë përgjegjësinë për të mbrojtur fëmijët dhe të bëjnë “çdo gjë që duhet” për t’i siguruar ata.
Nëse e mbajmë vazhdimisht për dore fëmijën kur kalojmë rrugën me makina, pse ia lëshojmë atë kur e fusim në një autostradë të madhe siç është interneti?
*****
Intervista
Ja çfarë ndodh kur fëmijët tuaj lundrojnë të pakontrolluar në internet
Anila Sulstarova, psikologe klinike
Cilat janë pasojat që ju vëreni nga interneti i pasigurt në zhvillimin e fëmijëve?
Deri tani, në klinikën ku punoj, për ndihmë kanë ardhur edhe prindër me fëmijë që vuajnë gjendjet e ankthit. Gjatë punës me ta, kemi zbuluar që origjina e gjendjeve të ankthit lidhje me episode të parjes së materialeve pornografike. Në një rast, dy kushërinj të parë pasi kishin parë në internet në shtëpi materiale pornografike, kishin filluar të eksploronin me trupat e tyre deri në akte që psikika e tyre nuk i përballonte dot. Jo vetëm gjendjet e ankthit, por edhe agresiviteti ndaj të tjerëve ishte problematik. Fëmijë të tjerë shohin filma horror të cilët u kthehen në makthe. Prindërit raportojnë që fëmijët u zgjohen natën të trembur, të frikësuar dhe tremben nga personazhe jo reale, por nga personazhe filmash. Prindërit ndihen të pafuqishëm për të ndihmuar fëmijët.
Si e shikoni rolin e prindit në sigurinë që duhet t’i ofrojë fëmijës në internet – kam parasysh prindër që u blejnë dhuratë fëmijëve për ditëlindje smartfonë psh? A janë të vetëdijshëm ata për rreziqet që ofron interneti i pakontrolluar për fëmijët? Po rolin e shtetit?
Prindërit gjenden përballë shumë situatave të panjohura. Një ndër to janë limitet e njohurive për internet. Kjo bën që edukata për pluset dhe minuset e internetit të kufizohen në orare ose heqjen e menjëhershme të internetit. Gjithashtu, ndjenjat e fajit të prindërve për shkak të kohës së pakët që kalojnë me fëmijët, gjejnë mënyra sesi fëmija e tyre mund të kënaqet, zgjedhin mënyrat e shkurtra, u blejnë smartfonë ose i lejojnë të jenë për shumë kohë në internet. Nuk di në janë të vetëdijshëm për rreziqet, sikundër nuk di në janë të vetëdijshëm që ndjenjat e fajit e shtyjnë në hendeqe më të thella.
Keni informacion si e adresojnë këtë çështje vende të tjera?
Në dijeninë time, në vende të tjera përpjekjet janë në vazhdim. Përpjekjet janë më të integruara, prindi nuk është vetëm. Megjithatë, ka shumë punë për t’u bërë. Prindërit blejnë smartphonë, por kompanitë celulare kanë programe kur këto pajisje përdoren nga fëmijët.
