Pas deklaratës së deputetit socialist, Taulant Balla, për pasurinë e fëmijëve të kryeministrit, kanë reaguar sërish këta të fundit. Përmes një deklarate për mediat, Argita dhe Shkëlzen Berisha i drejtohen kreut të PS-së, i cili sipas tyre e pengon deputetin Balla të paraqitet në gjykatë, ku ata e kanë paditur për shpifje.
“Në ndryshim nga bashkëshortja jote, z. Rama çdo qindarkë të fituar e kemi të xhiruar në rrugë bankare dhe të tatuar nga organet tatimore dhe të deklaruar në ILDKP, por problemi i juaj z Rama është se ju njihni vetëm institucionin e shpifjes. Pyetjeve që ju na drejtoni, i jemi përgjigjur në mënyrë konstante prej 7 vjetësh aty ku na e kërkon ligji, në ILDKP dhe është po ky institucion që pasi ka verifikuar burimet e fitimeve tona ka lëshuar një deklaratë publike që certifikon korrektësinë e tyre në raport me ligjin dhe konfliktin e interesit.
Për të gjitha shpifjet, zëdhënësi yt i paguar pengohet nga ti për tu paraqitur para trupit gjykues”, thuhet në deklaratën për media të fëmijëve të Berishës.
Më tej, dy fëmijët e Berishës ripërsëriti pyetjen në lidhje me huanë pa interes të bashkëshortes së Ramës. “Së fundmi z. Rama po përsërisim për ju një pyetje që as ju dhe as bashkëshortja juaj nuk i jeni përgjigjur as në deklarimin tuaj në ILDKP dhe as për publikun. Kush është bujari që i ka dhuruar bashkëshortes tuaj 100 milionë lekë pa interes ??”, thuhet në deklaratë.