Nuk e dimë nëse ky është skenari më i bukur që ka shkruar ndonjëherë Koloreto Cukali, por e themi me bindje që në 95 minuta film do të mbani barkun me dorë nga të qeshurit. Mbrëmjen e së enjtes, filmi “Femrat” pati premierën, ndërsa nga data 15 nëntor ka filluar të shfaqet në të gjitha kinematë e kryeqytetit. Është një film real, që nxjerr në pah me humor problematikat e shoqërisë. Kolo, së bashku me një grup djemsh e vajzash, me një buxhet minimal kanë arritur të realizojnë një film që do iu bëjnë të gjithëve të harroni problemet e ditës dhe të gjeni veten në film, por me një ndryshim, me humor. Në këtë intervistë për gazetën “Dita”, Cukali tregon se si u realizuan 1 orë e gjysmë film për 45 ditë.
Si skenarist i këtij filmi, ma përmblidh shkurt çfarë ke dashur të thuash me këtë ngjarje?
FEMRAT është një film që flet për njerëz të përditshëm dhe për halle të përditshme. Filmi flet për marrëdhënien e komplikuar me femrat të një avokati divorcesh, Rikut (Ermal Mamaqi). Sa më shumë që Riku tenton t’i shmanget impenjimit serioz, aq më shumë femrat që e rrethojnë i ngrenë “kurthe”. Konkluzioni është që dashuria është një lojë, kap këdo, sidomos ata që nuk duan të “luajnë”.
Filmi është realizuar në mënyrë indipendente, gjë që është e re këtu. Cila ishte vështirësia më e madhe?
Vështirësia më e madhe ishte se ishte i pari. Të bindësh staf dhe aktorë që të kontribuojnë pa para në një film, duke dhënë nga koha e tyre dhe aftësitë e tyre, është njëra pjesë. Pjesa tjetër është që Shqipëria është një “puzzle” plot të papritura edhe kur ke 1 milion euro buxhet, jo më kur ke 100 herë më pak.
Për fat, miku dhe bashkëproducenti im, Adam Pray, njëherësh dhe Drejtor Fotografie në film, arriti të sigurojë një postproduksion shumë cilësor në Nju Jork.
Do e bëje prapë?
Kur kthehem e shoh mbrapa, them, mos kemi qenë të çmendur që i jemi futur tërë kësaj? Fjala e parë që më vjen të them është “Jo, në asnjë mënyrë”. Por, kur shoh produktin e bukur që kemi bërë, më prishet mendja. Them, “hajt më… ndoshta edhe një herë”. Edhe pse shpresoj që cilësia e filmit të na mundësojë buxhete më të mira për tjetrin.
Filmi ka dalë në kinema në datën 15, kush janë shpresat e tua për këtë film?
“FEMRAT”, besoj unë, do të jetë një çudi e këndshme për ata që do të vijnë në kinema ta shohin. Dua që ta thyejmë mitin që “publiku nuk beson te filmi shqiptar”. Besoj që publiku nuk do të zhgënjehet. Shpresa ime është që publiku të vijë ta shohë. Jo thjesht për të suportuar iniciativën tonë, por, se është film i bukur. Nëse njerëzve u pëlqen, nëse dëgjojnë fjalë të mira nga të tjerët, duhet të vijnë ta shohin, në mënyrë që ne të marrim zemër për të bërë filmin tjetër.
Çfarë ndodh mbas shfaqjes në Tiranë, cilat janë planet e mëtejshme për filmin?
Pas Tiranës, vijnë rrethet. Suksesi i këtij filmi, varet krejtësisht nga numri i njerëzve që do të vijnë ta shohin në kinema. Ne do të përpiqemi ta çojmë kudo ku ka shqiptarë. Pas Shqipërisë, na pret Kosova e Maqedonia, dhe kemi perspektiva të mira dhe në vende të tjera. Plus që filmi do të kryejë dhe ciklin e festivaleve ndërkombëtare, ku shpresojmë të përzgjidhemi e të nderojmë veten tonë dhe vendin nga vjen ky film.
Ju keni punuar me aktorë që janë shumë të dashur për televizionin shqiptar si Ermal Mamaqi, Salsano Rrapi, Robert Aliaj, po që nuk i kemi parë ndonjëherë në film. Pse kjo zgjedhje?
Unë kam punuar me të tre këta, dhe me shumë të tjerë në film. Janë aktorë të mëdhenj, pavarësisht se kushtet e Shqipërisë ua ngushtojnë hapësirën që të shpërthejnë. Filmi është një hapësirë ku ata mund të tregojnë edhe një herë, në një formë tjetër, pse publiku i do. Te “Femrat”, jam i bindur që shikuesit do t’i dashurojnë, jo vetëm aktorët kryesorë, jo vetëm aktorët që vijnë nga televizioni, por të tërë. Ata kanë dhënë më të mirën. Siç do ta shihni.
* * *
Ermal Mamaqi: Këtë film ia dedikoj djalit tim
Kur unë nisa të shkruaj skenarin e këtij filmi, në mendje kisha Ermalin- tha Kolo përpara premierës. Dhe kjo gjë vërtetohej më së miri teksa shihje Mamaqin të luante në ekranin e madh të kinemasë. Batutat e tij dukeshin sikur kishin lindur me të. Është një film që mban ritmin, pasi në çdo dy minuta ti do të qeshësh pa diskutim. Mamaqi për herë të parë, luan në një film dhe për ka qenë një eksperiencë impenjuese, por e bukur. Në fjalën e mbajtur përpara se filmi të shfaqej për herë të parë në ekran, ai falënderoi dy bashkëshorten e tij, Ami, që e kishte duruar gjatë muajve të shtatzënisë. Dhe këtë punë ia dedikoi djalit të tij të vogël Joel, duke i uruar që të ‘i dojë femrat, ashtu si babi! Në këtë bisedë me “Ditën”, Mamaqi na tregon gjithçka mbi “Femrat”.
Ky është filmi juaj i parë me metrazh të gjatë, ku jeni aktori protagonist. Madje, jeni thuajse në çdo skenë? Çfarë ishte ndryshe për ty nga ana krijuese?
Impenjimi maksimal dhe përgjegjësia që kisha në këtë projekt ishin dy gjërat që më bënë ta marr seriozisht humorin në këtë film. Fakti që Kolo më kishte përfshirë pothuaj në çdo skenë më trembi në fillim, por më vonë u dashurova me këtë rol dhe mendoj se nuk do të ishte kaq bukur nëse do të ishte ndryshe.
Ka nga Ermali që ne njohim te Riku (personazhi që luan në film) apo është diçka komplet e re?
Gjysma e Rikut është e imja. E vërteta është se unë vërtet mendoj se dy njerëz duhet të rrinë bashkë për aq kohë sa këta janë të lumtur.
Në këtë film ju punuat me aktorë që ju kemi parë më parë si Salsano, Erjona por edhe me aktorë që e keni bashkëpunim të parë si Enxhi Cuku, e cila e ka rolin e parë. Ç’mund të më thuash për këto eksperienca?
Le të themi që ishte një shkëmbim eksperience. M’u duk sikur mësova shumë nga kolegët dhe njëkohësisht dhashë pak “mësim”për Enxhin. Enxhi është një gonxhe që do çelë shumë shpejt në botën e artit.
Kolo ka folur shpesh për faktin që filmi është indipendent, pra me buxhet shumë të ulët. Ti vetë punove një muaj rresht, për ditë, dhe do paguhesh kur filmi të dalë në kinema dhe të nxjerrë fitim. Si biznesmen që je, mund të thuash pse e more këtë vendim, a ia vlen risku?
Ka qenë një nga ato lloj vendimesh që mund të merren vetëm si artist. Dhe artistët nuk janë të mirë në përllogaritje risqesh.
Do e bëje prapë?
Komedi romantike, me një skenar e regji të mirë, produksion amerikan, me aktorët më të mirë shqiptarë? Kush do thoshte dot jo?
Më thuaj çfarë rolesh do kishe dëshirë të luaje në të ardhmen dhe a ka ndonjë plan konkret?
Kemi shumë. Ndoshta pas filmit “Femrat” mund të vijë radha e komedisë “Meshkujt”!
“Dashuria është një lojë ku fiton ai që nuk do të luajë”
Prej datës 14 nëntor, fillon projeksionet në kinematë e Tiranës filmi “Femrat”. Me një kast aktorësh si Ermal Mamaqi, Salsano Rapi, Zamira Kita, Olta Daku, Eriona Kakeli, Enxhi Cuku, Robert Aliaj, Andia Xhunga, Besmir Bitraku, Besart Kallaku, Marko Bitraku, është një komedi romantike, e para e këtij lloji pas viteve ‘90. “Femrat” është historia e një avokati 30 vjeçar divorcesh, Riku (interpretuar nga Ermal Mamaqi), i cili u shmanget lidhjeve serioze nga frika se janë shumë të komplikuara. Për të jeta është më e bukur kur je singëll, kuptohet, kur ke një mama që t’i bën gati të gjitha. Çdo gjë duket se shkon për mrekulli deri ditën kur mamaja vendos t’i gjejë një nuse! Gjithë njerëzit rrotull Rikut duket se i kanë vënë vetes një qëllim: ta martojnë! Filmi tregon përpjekjet e Rikut që t’u “shpëtojë” një morie femrash, nga ato më seksi e inteligjente, deri tek ato më të zakonshmet që po vdesin për t’u martuar me një burrë si ai. Por, në fund, edhe Riku, si shumë të tjerë, nuk i shpëton dot dashurisë.
Hera e parë e Enxhit
Përveç aktorëve profesionist ky në këtë prodhim ka edhe personazhe që nuk kanë luajtur asnjëherë në film. Njëra prej tyre është edhe personazhi kryesor, pas Ermalit. Ajo është Enxhi Cuku. Vajza e ka për herë të parë punën e aktores dhe nuk e ka menduar asnjëherë më parë që do të ishte pjesë e kinemasë. Por ja që nëpërmjet një audicioni, ajo është përzgjedhur dhe e ka fituar këtë rol. Enxhi është 18 vjeç, vazhdon studimet në shkollën e mesme të gjuhëve të huaja”Asim Vokshi”. Nuk e dimë nëse Enxhi do të tentojë më tej të jetë pjesë e filmave apo do ta ndalojë këtu këtë suksese.
besart kallaku aktor!! ai i pornokallise??
E ndriten me humorin keta “aktoret” dhe u kishte mbetur pa bere nje film 90 minutesh.Ai Ermalka pastaj eshte aktor i lindur. Vetem Gjin maloku eshte per t’u shpetuar nga te gjithe.
Komedia po i degradon jerezit ne shqiperi. Ose me sakte karagjizlliku. Ky eshte nje deshmi dhe sesi degradon Koloreto, nga djale serioz ne karagjoz. He per me teper qenkan ber eaktore majmunet e portokallise.